Nga Cornelia Meyer “Arab News”
Sër Uinston Çërçill e ka thënë bukur dikur: “Thuhet se demokracia është forma më e keqe e qeverisjes, përveç të gjitha atyre formave të tjera, që janë provuar herë pas here”. Asnjëherë më parë, këto fjalë nuk kanë tingëlluar më të vërteta se sa sot.
Demokracia duket se gjendet e sulmuar në të gjitha frontet. Ka regjime që priren drejt një forme autoritare të qeverisjes si Republika Popullore e Kinës dhe Rusia. Ato mbajnë formalisht zgjedhje, por nuk lejojnë aktivitetin e gardianëve të demokracisë. Këtë e dëshmojnë edhe debatet rreth protestave përpara zgjedhjeve lokale në Moskë.
Pretendimet në SHBA, dhe në disa vende evropiane, se Moska po e përdor hapësirën kibernetike për të ndikuar në zgjedhjet sipas qëllimeve të saj, i çojnë gjërat një hap më tej. Demonstratat në Hong Kong, ku miliona njerëz dolën në rrugë, për të mbrojtur të drejtat e tyre sipas Kushtetutës së saj dhe parimit të “një vend, dy sisteme”, ishin një shembull kryesor i asaj që ndodh kur aspiratat e thella demokratike, ndeshen me një regjim autoritar.
Pastaj është Turqia, presidenti i së cilës Rexhep Tajip Erdogan, vazhdon të akuzohet nga Bashkimi Evropian për shtypjen e të drejtave civile, lirisë së fjalës dhe minimin e vetë demokracisë. Këto zhvillime, kanë bërë që Turqia të humbasë shpresat për anëtarësim në BE.
Edhe India e quan veten me njëfarë krenarie, demokracia më e madhe në botë. Por dhuna shtetërore e kohëve të fundit në Xhamu dhe Kashmir, vështirë se përputhet me parimet e larta demokratike. Mjerisht edhe të ashtuquajturat demokraci kryesore, janë duke përqafuar konceptet autoritare.
Liderët populistë si Donald Trump dhe Viktor Orban, po minojnë sistematikisht institucionet që janë ngritur enkas për mbrojtjen e demokracisë. Alternativa për Gjermaninë (AfD) e ekstremit të djathtë, që nuk mbështet parimet demokratike, ka regjistruar suksese elektorale në landet e Turingisë, Saksonisë dhe Brandenburgut.
Analistët shohin një ndarje ideologjike përgjatë vijës së dikurshme kufitare midis ish-Republikës Demokratike dhe Republikës Federale. Partitë e gjera gjermane si Unioni Kristian Demokrat dhe Partia Socialdemokrate, kanë humbur terren. Në Francë, lëvizja e presidentit Emanuel Makron ”La Republique En Marche”, zvogëloi shumë mbështetjen për partitë e qendrës së djathtë dhe të majtë të qendrës gjatë zgjedhjeve të fundit.
Efekti i saj u ndje kur protestat e “Jelekë-verdhëve”, e paralizuan vendin për javë të tëra. Të pakënaqurit nuk kishin më mundësi t’i ankoheshin një opozite parlamentare, ndaj dolën në rrugë. Asgjë nuk ilustron mirë kufizimet e demokracisë sesa Brexit, kur “nëna e të gjitha parlamenteve” të botës është zhytur aktualisht në kaos.
Për të kuptuar kufizimet e demokracisë, janë të rëndësishme disa parime. Së pari dhe më e rëndësishmja, demokracia merr shumë forma. Demokracia parlamentare, demokracia direkte, ka kushtetutë të shkruar dhe të pashkruar, dhe zbatimi i parimeve demokratike ndryshon gjerësisht, si nga historia ashtu edhe nga kultura politike e formave të ndryshme.
Elektorati duhet të ketë aftësinë të sigurojë qasje tek informacionet për kë apo për çfarë po voton. Një nivel i caktuar arsimor, dhe qasje tek burimet e ndryshme të informacionit, janë të rëndësishme, për të garantuar që elektorati ta bazojë vendimin e tij tek informacioni i duhur.
Kjo është tepër e rëndësishme. Pasi fushata e dezinformimit dhe lajmet e rreme, mund të luajnë sot një rol vendimtar. Shqetësime të tilla, janë pikërisht arsyeja pse shumë qytetarë në SHBA dhe Evropën Perëndimore, janë nervozuar me informacionin e deformuar që shpërndahet përmes internetit nga Rusia dhe të tjerët.
Ka edhe udheheqës populistë, që janë mëse të gatshëm të minojnë institucionet demokratike.
Këtë e kemi parë në Hungari, Poloni, dhe në një shkallë më të vogël në SHBA. Brexit-i në Britani është një shembull kryesor. Kryeministri Boris Xhonson ka pezulluar punimet e parlamentit, gjatë debatit më kritik që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe madje ka kërcënuar të mos respektojë ligjet e vendit.
Ai duket se është i vendosur të refuzojë të kërkojë nga Brukseli një shtyrje tjetër të zbatimit të Nenit 50 të Traktatit të BE, për të shmangur një dalje nga unioni pa marrëveshje më 31 tetor.
Në pamje të parë, Xhonson dukej sikur ishte brenda të drejtave të tij kushtetuese kur pezulloi parlamentin, por thyerja e ligjit prej tij është bërë tashmë rrugë.
Problemi me Britaninë, është se ky vend s’ka një kushtetutë të shkruar, por varet nga një korpus ligjesh dhe konventash që shërbejnë si kushtetutë. Dhe nuk ka asnjë Gjykatë Kushtetuese. Një sistem i tillë, funksionon vetëm kur lojtarët kryesorë i përmbahen traditës.
Dikush mund të argumentojë se në këto kohë të populizmit, një kushtetutë e shkruar është bërë një domosdoshmëri, për t’i penguar politikanët të tallen me parimet demokratike, në favor të interesave të tyre të ngushta personale. Demokracitë varen nga toleranca ndaj pikëpamjeve të ndryshme, dhe nga të qenit të hapur ndaj tyre.
Në fillim të këtij viti, presidenti Rus Vladimir Putin kritikoi demokracitë liberale për multikulturalizmin e tyre të pamend. Perspektiva e tij, buron nga ajo një qeverie qendrore të fortë dhe autoritare, që ka ekzistuar në Rusi përgjatë gjithë historisë, nën sundimin e Carëve, nën komunizëm, ashtu edhe sot si Federatë Ruse.
Evropa Perëndimore, ka qenë gjithnjë më liberale. Megjithatë, mungesa e zgjidhjeve ndaj problemit të emigracionit, ka pasur një ndikim të fortë në elektorat. Dhe kjo është ajo që theksoi edhe Putin. Suksesi i AfD në Gjermani, Mateo Salvinit në Itali dhe Orbanit në Hungari, mund t’i atribuohet të paktën pjesërisht, frikës që ekziston nga emigracioni në mesin e popullatës së përgjithshme.
BE ka hasur gjithmonë vështirësi përballë këtij fenomeni. Mjerisht, një sistem gjithëpërfshirës për shpërndarjen e emigrantëve, vështirë se do të ngrihet shumë shpejt. Dhe kjo do të shtojë me tej presionin mbi Greqinë dhe Italinë. Përgjatë Mesddheut, politikat e emigracionit që ndjek administrata e presidentit Trump, Trump janë kritikuar shumë për mungesën e humanizmit dhe respektimin e dinjitetit të emigrantëve.
Dhe kjo na sjell tek argumenti i fundit. Demokracitë kanë prirjen të funksionojnë më mire, atje ku ekziston një klasë e fortë e mesme, dhe ku hendeku midis të pasurve dhe të varfërve nuk është shumë i madh. Por edhe aty ku njerëzit mund t’i diskutojnë çështjet shtetërore në mënyrë të barabartë.
Në këtë kuptim, nuk është rastësi që Norvegjia, Suedia, Danimarka dhe Zvicra kanë demokraci shumë të forta. Në përgjithësi, demokracia është një koncept i shkëlqyer. Sidoqoftë, ekzistojnë disa kushte bazë që duket se i ndihmojnë disa vende të formojnë demokraci më të qëndrueshme se të tjerët.
Ato janë sundimi i ligjit, një shkallë e caktuar drejtësie, dhe një sistem arsimor që i stërvit njerëzit të bëhen qytetarë të përgjegjshëm. Ndërhyrja ndaj vendeve të tjera ose e forcave jodemokratike, nuk është kurrë e dobishme. Gjithsesi, tek e fundit, ato kanë më pak shanse të ndërtojnë demokraci mbi themelet e duhura.
TIRANA TODAY