520 njerëz vdiqën në total në Britaninë e Madhe midis datave 19-25 mars, për shkak të koronavirusit. Këto janë shifra shumë të ulëta për një vend që gjatë valës së parë të pandemisë, kishte një nga nivelet më të larta të vdekjeve në botë në raport me popullsinë.
Këto shifrat janë edhe më të mbresëlënëse kur krahasohen me ato që janë regjistruar ditët e fundit në vendet evropiane.
Franca dhe Gjermania kishin një numër të krahasueshëm vdekjesh në datat 23-25 mars,dhe Italia i tejkaloi ato në një ditë të vetme, më23 mars. Dhe merita për këto shifra më të ulëta i është atribuar fushatës efektive të vaksinimit, që në Mbretërinë e Bashkuar është shumë më përpara pjesës tjetër të Evropës, por jo vetëm.
Por 1 vit më parë, në fazat e hershme të pandemisë në Evropë, situata ishte shumë e ndryshme. Konsulentët e qeverisë britanike, folën hapur për lejimin e qarkullimit të lirshëm të koronavirusit për të arritur një formë të imunitetit të tufës. Ndërsa mediat raportuan se Boris Xhonson po e menaxhonte shumë keq situatën.
Gjatë muajve prill-gusht 2020, Mbretëria e Bashkuar ishte një nga 2 vendet kryesore midis vendeve evropiane për numrin e vdekjeve në raport me popullsinë. Dhe sot mbetet vendi evropian me më shumë vdekje në total, pak më shumë se 126 mijë.
Deri në janar 2021, situata në Britani dukej ende shumë e rëndë. Të dielën e 3 janarit, u regjistruan mbi 50 mijë raste të reja,dhe kjo për të gjashtën ditë radhazi. Ndërkohë pati shumë shqetësime mbi variantin e koronavirusit të identifikuar në Mbretërinë e Bashkuar, dhe që u cilësua nga ekspertët si shumë më ngjitës sesa origjinali.
Megjithatë, sot gjërat janë përmirësuar shumë. Për momentin, Britani ka administruar gjithsej 31 milion doza vaksine, një numër ky shumë madh, duke pasur parasysh se rreth 60 milion doza gjithsej janë administruar nga 27 vende të Bashkimit Evropian.
Sipas një analize të BBC, arsyeja e parë e zvogëlimit drastik të rasteve dhe vdekjeve në Britani është shpërhapja shumë e madhe e vaksinës. Në Angli dhe Skoci, e kanë marrë tashmë dozën e parë më shumë se 80 për qind e njerëzve mbi 50 vjeç, dhe mbi 95 për qind e njerëzve mbi 60 vjeç.
Pra, brenda 3 muajsh qeveria britanike arriti që të sigurojë mbrojtjen e gati gjithë pjesës më të moshuar të popullsisë, pra më të rrezikuarit nga koronavirusi. Sot e dimë që një fushatë e tillë efektive e vaksinimit, ishte mbi të gjitha e mundur falë bollëkut të dozave të disponueshme, blerja e të cilave lidhet me një rrezik të madh të ndërmarrë nga qeveria e kryeministrit britanik Boris Xhonson:ai i vari të gjitha shpresat tek vaksina e zhvilluar nga kompania AstraZeneca në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.
Që nga fazat më të hershme të zhvillimit të vaksinës AstraZeneca, qeveria britanike financoi me miliarda paund kërkimet në laboratorët e Oksfordit, dhe nënshkroi një kontratë më të detajuar sesa vendet e tjera dhe Bashkimi Evropian.
Gjithashtu,Britania e miratoi shumë më herët përdorimin e vaksinës, kur dyshimet në lidhje me fazën eksperimentale nuk ishin zbehur ende, dhe britanikët refuzuan që të eksportojnë jashtë vendit dozat e prodhuara në territorin britanik (ndërsa ajo mori miliona doza nga vendet e Bashkimit Evropian).
Për më tepër, agjencia britanike e barnave (MHRA), e këshilloi menjëherë qeverinë të mos mbante mënjanë rezervat e vaksinave të nevojshme për dozën e dytë:një intuitë e justifikuar më pas nga studimet pasuese, sipas të cilave doza e parë e vaksinave AstraZeneca dhe Pfizer – BioNTech, ofron një mbrojtje kundër zhvillimit të formave më të rënda të COVID-19.
E kombinuar me bollëkun e dozave, kjo gjë i dha mundësi Mbretërisë së Bashkuar që të vaksinonte popullatën me ritme shumë të larta, gati deri në 900 mijë doza në ditë.
Në fund, disa nga bastet rezultuan të suksesshme, përfshirë edhe bastin qendror mbi AstraZeneca:vaksina është ndër më efektivet në botë, aq sa sipas disa të dhënave më të fundit të mbron pothuajse 100 për qind nga format më serioze të Covid-19, dhe qeveria po e shfrytëzon suksesin e fushatës së vaksinimit për të justifikuar vendime të tjera të diskutueshme politike siç është dalja nga Bashkimi Evropian.
“Unë besoj se anëtarësimi në Bashkimin Evropian, ka pasur një efekt mahnitëse mbi aftësinë tonë për vendimet që morëm”- tha së fundmi ish-negociatori kryesor britanike mbi Brexit, Dejvid Frost. Sipas tij, Brexit i ka dhënë Mbretërisë së Bashkuar mundësinë që “të rikthehet të jetë sërish një vend që mund të trajtojë problemet”.
Por suksesi i qeverisë Xhonson në uljen drastike të numrit të vdekjeve dhe rasteve të përditshme, ka të bëjë edhe me disa vendime që nuk kanë lidhje e fushatën e vaksinimit, siç janë kufizimet e lëvizjeve. Është e paqartë se çfarë e shkaktoi ndryshimin e ritmit.
Mbi këtë gjë qarkullojnë shumë teori, përfshirë dorëheqjen e këshilltarit të diskutueshëm të Boris Xhonson, Dominik Kamings në mesin e nëntorit 2020.
Mbretëria e Bashkuar ka qenë në një bllokim mjaft të rreptë që nga fillimi i janarit. Shkollat u rihapën vetëm pas dy muajsh, më 8 mars, ndërsa takimet midis njerëzve nga familje të ndryshme janë lejuar që nga kjo e hënë. Po nga e hëna do të lejohen sërish martesat por në to do të mund të marrin pjesë vetëm 6 persona.
Prej disa javësh qeveria ka bërë publik planin e saj shumë të detajuar për një rihapje graduale. Duke filluar nga data 12 prill dhe jo më parë, në Angli do të rihapen të gjitha dyqanet, ndërsa baret dhe restorantet do t`u shërbejnë klientëve që janë ulur jashtë.
Nga data 17 maj do të jetë e mundur që njerëzit të takohen në shtëpitë e njëri-tjetrit por pa tejkaluar kufirin e 6 personave në të njëjtën kohë, ndërsa do të lejohet rihapja e kinemave dhe teatrove në natyrë. Që nga 21 qershori, do të hiqen kufizimet mbi numrin e njerëzve të pranishëm në ngjarje publike dhe private etj.
Gjithashtu javët e fundit, qeveria ka investuar shumë në rritjen e aftësisë së saj për të kryer teste të shpejta në popullatë. Nxënësit e shkollave të mesme, prindërit e tyre dhe mësuesit,do të testohen dy herë në javë. Ndërsa në Angli të gjitha kompanitë private mund të kërkojnë teste të shpejta falas për punonjësit e tyre në vendin e punës.
Në këtë mënyrë, Britania e Madhe ishte në gjendje të kalonte nga rreth 500.000 teste në ditë në mesin e shkurtit në më shumë se 1.5 milion teste në ditë javën që kaloi, duke qenë një faktor tjetër që ndoshta ndihmoi në identifikimin dhe mbylljen e shpejtë të çdo vatre të re epidemike.
burimi: https://www.ilpost.it/2021/03/28/regno-unito-coronavirus-pochi-casi-vaccino
Përshtatur nga Tirana Today