Besfort Lamallari merr kompetencat e Ministrit të Brendshëm deri më 30 prill

Balkanweb raporton se Ministri i Brendshëm Bledi çuçi i ka deleguar kompetencat e tij ministrore zv/ministrit Besfort Lamallari deri më datën 30 prill.

Çuçi kandidon për deputet të PS në Gjirokastër dhe është i treti në listë, çka ka sjellë dhe delegimin e kompetencave deri pas përfundimit të zgjedhjeve. Në vendim thuhet se Lamallari do të ushtrojë kompetencat nga 25 marsi deri më 30 prill.

Vendimi:

Në mbështetje të pikës 4, të nenit 102 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; të nenit 28 dhe 29, të ligjit nr.44/2015, “Kodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, dhe të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”,
Urdhëroj:
1. Delegimin e kompetencave të titullarit të Ministrisë së Brendshme, zëvendësministrit të Brendshëm, z. Besfort Lamallari, nga data 25.03.2021 deri më datë 30.04.2021.
2. Këto kompetenca do të ushtrohen për periudhën e sipërcituar, me ndërprerje vetëm në rastet kur kompetencat rimerren nga titullari i institucionit.
3. Për zbatimin e këtij urdhri ngarkohet zëvendës ministri i Brendshëm, z. Besfort Lamallari.
Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.