Autoritetet në Podgoricë ende nuk e dinë si u vra ish-shefi i anti-drogës Rudolf Elezoviç. Pak ditë më parë u raportua nga mediat se ish-shefi i antidrogës në Malin e Zi, është vrarë me 1 plumb në kokë para 10 ditësh. Megjithatë, policia nuk ka gjetur armën me të cilën është vrarë apo gëzhojën.
Pranë trupit nuk është gjetur asnjë provë në ndihmë të grupit hetimor. Autoritetet në Podgoricë, ende nuk kanë një raport zyrtar të autopsisë, që të tregojë shkakun e vdekjes së oficerit të policisë Rudolf Elezoviç. Zëdhënësja e Prokurorisë së Lartë të Shtetit në Podgoricë, Lepa Medenica, i tha “Vijesti” se çështja është në fazën e zbulimit dhe se një numër “masash dhe veprimesh të nevojshme për të përcaktuar rrethanat e ngjarjes” janë marrë.
“Është lëshuar një urdhër për autopsinë e trupit, dhe raporti i autopsisë nuk është dorëzuar në këtë prokurori. Në rrjedhën e mëtejshme të procedurës, do të merren masa dhe veprime të tjera për të cilat ka nevojë, të gjitha me qëllim të sqarimit të rrethanave nën të cilat ka ndodhur vdekja e Elezoviç”, thuhet në përgjigjen e Medenica-s.
Si dhe në çfarë rrethanash ndodhi vdekja e Elezoviç, do të jetë më e qartë kur raporti i autopsisë dorëzohet në prokurori, dhe të kuptohet në cilin kënd u mor plaga me armë në kohë si dhe koha e përafërt kur ndodhi vdekja.
Dyshimet e hetuesve
Fillimisht u dyshua se Elezoviç ishte vetëvrarë, por pas hetimeve dhe kqyrjes së plagës, u arrit në konkluzionin se ai ishte ekzekutuar. Hetuesit kanë dyshime të forta se oficeri i antidrogës së Ulqinit dhe Tivarit është ekzekutuar në një vend tjetër, dhe më pas është çuar buzë lumit Buna.
Zhdukja e tij u raportua nga gruaja e tij, pasi ai humbi gjurmët mes kufirit ujor të Shqipërisë me Malin e Zi në afërsi të Pentarit dhe Reçit në lumin Buna, ndërsa ka dyshime se ka bashkëpunuar më trafikantët për lejimin e kalimit të sasive të mëdha të drogës.
Pse e vranë?
Mediat lokale kanë raportuar se zhdukja e ish-shefit të Antidrogës në policinë kufitare të Ulqinit kishte të bënte me aksionin policor “Kurthi”, ku u arrestuan 24 persona për trafikimin e 2.5 ton marijuanë nga Shqipëria, përmes Malit të Zi e drejt vendeve të rajonit e më pas për në vendet e BE-së. Elezoviç dyshohet se ishte përfshirë në rrjetin kriminal.