Paraditen e sotme, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit mbajti një protestë para SPAK, duke akuzuar këtë të fundit se po hesht ndaj padrejtësisë që është bërë për shembjen e Teatrit. Një protestë e cila mbështetet edhe nga Partia Demokratike.
Aktori dhe regjisori i njohur, Edmond Budina, teksa bën thirrje për drejtësi, u shpreh se teatri do të ndërtohet siç ishte dhe aty ku ishte. “Le të ketë guximin të mbyllë hetimet, por nuk e ka atë guxim, sepse është në shërbim të mafies nëse nuk reagon. Prandaj them ne do të vazhdojmë protestat tona derisa të realizohet qëllimi ynë. Teatri, aty ku ishte dhe siç ishte”, tha ai.
Aktori i njohur Mehdi Malkaj nga protesta tha se janë lënë të vetëm nga shoqëria civile, në kauzën e tyre.
“Përshëndes ata që na shohin nga lokalet e nuk begenisin të vijnë këtu. Përshëndes edhe këta që na shikojnë nga xhamat por një përshendetje e kam për atë që quhet shoqëri civile, që është kaq e mirë, kaq e urtë, kaq elegante me pushtetin e gjendet gjithmonë atje ku janë paratë.
Ka ndonjë të shoqërisë civile këtu? Nuk ka se ashtu e kanë hallin ata. Kemi 5 vjet që rropatemi, për Teatrin se ra Teatri ta gëzoni demokracinë, diktaturën”.