Protesta në Minesota pas vr*sjes së një 20 vjeçari

Grupe protestuesish u mblodhën të dielën në një qytet të Minesotas, ku familja e një 20 vjeçari thotë se ai u qëllua nga policia para se të hipte përsëri në makinën e tij dhe të largohej, duke u përplasur disa blloqe më tej. Familja e Daunte Wright tha se ai u shpall më vonë i vdekur.

Vdekja nxiti protesta në Brooklyn Center të dielën mbrëma ndërsa Minneapolisi ndodhet në mes të gjykimit të njërit nga katër oficerët e policisë për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd. Brooklyn Center është një qytet me një popullsi prej rreth 30 mijë banorësh që ndodhet në kufirin veriperëndimor të Minneapolisit.

Policia në Brooklyn Center tha në një deklaratë se oficerët ndaluan një individ pak para orës 2 pasditen e së dielës. Pasi gjeti se shoferi kishte një urdhër arresti, policia u përpoq ta arrestonte atë. Shoferi hyri në makinë dhe u largua. Një oficer qëlloi në drejtim të makinës duke qëlluar shoferin. Policia tha se makina udhëtoi disa blloqe përpara se të përplasej me një tjetër.

Policia nuk e identifikoi shoferin që u qëllua, por tha se Zyra Mjekësore e Qarkut Hennepin do të publikojë emrin e tij pas autopsisë dhe pasi të jetë njoftuar familja. Një grua pësoi lëndime të lehta gjatë përplasjes.

Po ashtu një polic u dërgua në spital pas lëndimeve thanë mediet lokale.

Grupe qytetarësh përfshirë edhe familjen dhe miqtë e Daunte Wright, parakaluan me flamujt “Black Lives Matter”, ndërsa në një rrugë ishte shkruar me shkumës shumëngjyrësh: “Drejtësi për Daunte Wright”.

Të dielën vonë policia përdori gazin lotsjellës për të shpërndarë një turmë protestuesish që ishin mbledhur para stacionit të policisë. /VOA/