E hënë, 24 Janar, 2022
-3.5 C
Tirana

Prokuroria kërkon 20 vite burg, Bechetti shijon milionat

Nga: Pëllumb Nako

Reformat e ndërmarra në tërësi për përmirësimin e qeverisjes, shpesh, marrin shkas nga perceptimi masiv negativ që ka popullsia për këtë apo atë institucion. I tillë është edhe rasti për drejtësinë në vendin tonë. Perceptimi masiv, tepër negativ për të, bëri të mundur nisjen e procesit të vetingut.

Nuk bëhet fjalë këtu për cilësinë e këtij të fundit, por për faktin e domosdoshmërisë së gjetjes së një mjeti ligjor për një ndërhyrje të thellë në sistemin e pushtetit gjyqësor.

Thënë me fjalë të tjera, njeriu i thjeshtë, gjithsesi viktima e preferuar e të gjitha pushteteve, nuk ka asnjë mundësi reale të gjykojë teknikisht dhe me prova mbi një vendim të gabuar apo të saktë të një gjyqtari, apo prokurori, ndaj dhe ai instinktivisht u beson disa indiceve, qoftë edhe anësore, të akteve të tyre dhe kur këto bëhen të shumta e për to flitet publikisht, ai krijon perceptim negativ për drejtësinë e për rrjedhim mosbesim tek ajo.

Ai e konsideron atë ose të paaftë, të korruptuar, ose të politizuar. Pikërisht, duke u nisur nga njoftimi i fundit publik (vetëm disa ditë më parë) i Prokurorisë së Tiranës, e cila njofton se ka kërkuar dënimin me 20 vite burg për biznesmenin italian Françesko Bechetti, i mirënjohur nga opinioni ynë publik, të bën të mendosh që kemi ende një drejtësi që nuk është shkëputur tërësisht nga ndikimi politik ose mbetet po ashtu e paaftë për të kryer hetime, sekuestrime apo që kërkon dënime të bazuara mbi prova të shëndosha ligjore dhe që janë në përputhje edhe me drejtësinë e vendeve të tjera demokratike.

Pavarësisht nga ndryshimet e mundshme të legjislacionit, parimet, normat, filozofia ku mbështetet ligji shqiptar është i njëjtë me atë të vendeve demokratike e për rrjedhim vendimet e drejtësisë shqiptare duhet të jenë të familjare për këto vende Cilat mund të jenë këto indicie, të cilat flasin për një Prokurori ende të ndikuar politikisht?

Shqipëria është Anëtare e Këshillit të Europës dhe e ka nënshkruar prej shumë vitesh Konventën Europiane të Ekstradimit. Po ashtu, ajo ka edhe një marrëveshje dypalëshe ekstradimi me Britaninë e Madhe, madje drejt këtij vendi ajo ekstradon edhe shtetasit e saj. Pra, vendi ynë ka gjithë mjetet e duhura ligjore për të ekstraduar një individ nga Britania.

Por pikërisht një gjykatë britanike nuk e ekzekutoi kërkesën për ekstradim të shtetasit Françesko Bechetti. Kjo do të thotë se provat e servirura nga Prokuroria e Tiranës nuk e bindën gjyqtarin britanik. Në prill të vitit 2019, Qendra Ndërkombëtare për Zgjidhje të Mosmarrëveshjeve të Investimeve, gjykatë kjo arbitrazhi, pjesë e Bankës Botërore, e dënoi Shqipërinë me shifrën tashmë të njohur prej 110 milionë eurosh, duke e gjykuar mbylljen e televizionit në pronësi të shtetasit italian si “të motivuar politikisht”. Pra, kemi një vendim të një Gjykate Penale të huaj, që nuk bindet nga provat e servirura nga ana e organeve tona të Prokurorisë dhe refuzon ekstradimin.

Dhe këtu bëhet fjalë për një vend me drejtësi të pavarur prej shekujsh. Kemi dhe një vendim të një Gjykate Ndërkombëtare Civile që veprimin e Prokurorisë e cilëson “të motivuar politikisht”. Të dyja vendimet e mësipërme janë dy grushte mjaft të rënda për një drejtësi, për të cilën po pretendohet aq shumë se po futet në shinat e simotrave demokratik, realisht të pavarura.

Po faktori kohë? Duke u referuar mediave, Prokuroria e Tiranës e ka filluar hetimin ndaj biznesmenit italian në vitin 2014. Kjo do të thotë se drejtësisë shqiptare iu deshën 7 vjet për të hetuar dhe për të përfunduar gjykimin ndaj Bechettit dhe për të ngritur kundër tij katër akuza duke kërkuar 20 vjet burg. Ndërkohë, po gjatë kësaj periudhe, biznesmeni italian pati gjithë kohën e duhur në dispozicion të ankimojë vendimin e Prokurorisë në arbitrazh dhe ky i fundit gjeti po ashtu kohën e duhur për të gjykuar çështjen dhe për të marrë vendimin në favor të të hetuarit nga drejtësia jonë.

Po ashtu, edhe Policia britanike gjeti kohën ta arrestojë për qëllim ekstradimi e më pas Gjykata, brenda kohës së saj në dispozicion, e liroi. Vetë Bechetti, gjithmonë gjatë kohës që çështja hetohej, gjeti kohën e duhur të bllokojë disa pasuri të Shqipërisë, pikërisht në vende ku për të kërkohet ekstradim. Bechetti ka filluar të shijojë paratë e taksapaguesve shqiptarë dhe për të më në fund kërkua 20 vite burg.

Drejtësia e vonuar është padrejtësi. Atë e kanë shpallur në kërkim ndërkombëtar. Cili vend mund ta ekstradojë Bechettin drejt drejtësisë shqiptare kur një Gjykatë Ndërkombëtare i ka njohur një të drejtë, mohimi i së cilës u quajt “i motivuar politikisht”? Një vendim i tillë të kujton sekuestrimin nga ana e Policisë të një gjetheje kanabisi në një studio televizive në kohën që bima kishte mbushur mbarë territorin e vendit. Kë të besojmë? Drejtësinë e vendit tonë ku jemi apo drejtësinë e vendeve ku pretendojmë të vemi? Nëse besojmë këtë të dytën, duket që drejtësia shqiptare nuk është ende e pavarur, por e orientuar politikisht.

- Reklama -

Më shumë nga kategoria




Të fundit

Rama: Presidentin e ri do ta zgjedhim ne, do i kthejmë dinjitetin asaj zyre

Kryeministri Rama tha sot në mbledhjen e Grupit Parlamentar, se Partia Socialiste do të nisë punën për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës...

Mbyllja e shkollave për 3 ditë/Aktivistët: Ministrja bën meteorologen

Për tre ditë, shkollat do jenë të mbyllura për shkak të motit të acartë. Lidhur me këtë vendim, aktivistë të Qëndresës Qytetare kanë protestuar...

“E mbyllim në shkurt”/Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS, ja çfarë do ndodhë

Në mbledhjen e Grupit Parlamentar, kreu i qeverisë Edi Rama iu është drejtuar socialistëve të angazhohen seriozisht në procesin e këshillimit kombëtar. Ai vuri...

Basha: Berisha po vë interesat e tij personale mbi ato të demokratëve!

Në Shqipëri zgjedhjet e pjesshme, të parakohshme lokale, më 6 mars, për të zëvendësuar kryetarët e gjashtë bashkive, që iu ka mbaruar mandati, priten...

“20 vite korrupsion në krye të FSHF”, Prokuroria nis hetimet për Armand Dukën

Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka. Hetimet kanë nisur, pas referimit të bërë nga Policia...