Në Shqipëri ka një ligj të posaçëm që detyron çdo zyrtar të drejtësisë dhe disa kategori të nëpunësve civilë, të deklarojnë pasuritë pranë ILDKPI-së.
Emisioni “Stop” në Tv Klan ka siguruar një informacion që provon se prokurori i Gjirokastrës, Emëror Kasaj në deklaratat e tij të pasurisë që nga viti 2000 deri në vitin 2020 nuk ka deklaruar një lëvizje financiare, gjë që e ngarkon atë me përgjegjësi penale, që parashikon 3-7 vite burg.
Por emisioni “Stop” ka siguruar dy të dhëna zyrtare, që vërtetojnë 50 mijë euro të padeklaruara nga prokurori Emëror Kasaj.
Stop ka mësuar se në Gjykatën e Tiranës ka një çështje civile të hapur nga vetë prokurori i Gjirokastrës ndaj një qytetari me iniciale L.SH.
Në këtë padi, prokurori Kasaj thotë se i ka dhënë borxh qytetarit me iniciale L.Sh. një shumë prej 50 mijë eurosh, por pa deklaratë noteriale. Prokurori tani kërkon kthimin e 50 mijë eurove nga ky qytetar. Kujtojmë se këtë shumë të konsiderueshme parash që prokurori ia ka dhënë borxh qytetarit, nuk e ka deklaruar asnjëherë në formularin e pasurisë sikundër e parashikon ligji.
“Unë dhe shtetasi L.Sh. kishin njohje të ngushta pasi ishim ortakë në blerjen e një trualli dhe një objekt në Tiranë. Duke qenë se kishim muaj që njiheshim dhe ishim ortakë, ky i fundit në Dhjetor 2010 më ka qarë hallin për një problem financiar të ngutshëm, ku i duheshin urgjentisht 50 mijë euro vetëm për një javë pasi kishte në dorë një shit/blerje prone. Duke u nisur nga fakti që kishte shumë pasuri të paluajtshme në pronësi të tij, i kam marrë një mikut tim të ngushtë shumën prej 50 mijë euro dhe ia kam dhënë të paditurit në mirëbesim pa deklaratë noteriale sepse do m’i kthente për 1 javë. Që nga ajo ditë deri më tani me gjithë përpjekjet e mia të vazhdueshme për të më kthyer borxhin, kjo shumë nuk më është kthyer. Sa më sipër, i kërkoj Gjykatës Penale të Rrethit Gjyqësor Tiranë të marrë në shqyrtim këtë kërkesë padi dhe të vendosë sipas objektit të saj”, thuhet ndër të tjera në kërkesë padinë që prokurori Emëror Kasaj ka bërë në Gjykatën e Tiranës për shumë prej 50 mijë euro.
Në të gjithë deklarimet e pasurisë ndër vite të prokurorit Emëror Kasaj nuk përmendet asnjëherë një shumë e tillë prej 50 mijë eurosh, të cilën e ka patur vetë apo e ka marrë borxh te një miku i tij siç thotë, edhe pse në çdo rast duhet të deklarojë çdo lëvizje financiare sipas ligjit për shkak të detyrës që ka.
Avokati Genci Gjokutaj na sqaron anën ligjore dhe përgjegjësitë që kanë prokurorët për deklaratën e pasurisë. Mosdeklarimi apo fshehja e të ardhurave, sipas Gjokutajt, përbën vepër penale.
“Ky është një rast i pastër i fshehjes së pasurisë. Pavarësisht se si ka ndodhur ngjarja, kjo pasuri që është disponuar nga ky subjekt që ju thoni dhe që i është dhënë dikujt dhe që po kërkohet sot me një padi në gjykatë, kjo domosdoshmërisht duhet të deklarohet pranë ILDKPKI. Ndryshe je subjekt i veprës penale i fshehjes së pasurisë. Çdo lloj veprimi kalimi paraje i marrë, i dhënë, i investuar dhe të gjitha format e zhvendosjes së kësaj paraje, investimi diku duhet të deklarohet në ILDKPKI. Sepse lidhet drejtpërdrejt me pasurinë e këtij subjekti dhe ka detyrimin që ta deklarojë në formën që ka ndodhur.
Neni bazë nga Kodi Penal është pastrimi i produkteve të veprën penale e cila bëhet nëpërmjet fshehjes së saj apo nëpërmjet veprimeve të caktuara, copëtimit, investimit, dhënies borxh, kërkimit, të gjitha këto lloj formash i keni te dispozita e nenit 287 të Kodit Penal. Kjo ka qenë edhe për parandalimin e pastrimit të parave dhe krijimit të agjencive ligjzbatuese deri tek formulari i ILDKPKI që është bërë pikërisht se është një netëork ligjor, i cili detyron këto subjekte që të ndjekin këtë rrugë. Në momentin kur vërtetohet një shumë e cila nuk është deklaruar, automatikisht aktivizohet mekanizmi ligjor dhe kjo është vepër penale për të cilën sigurisht që duhet hetuar, por që duhet hetuar nga organi kompetent, prokuroria”, u shpreh avokati Genc Gjokutaj. /tvklan.al