Policia e Kosovës ka vënë në pranga një person që ka kërcënuar, dhe ka kërkuar para nga Behgjet Pacolli. Lajmin e ka bërë të ditur Naim Murseli, këshilltar i kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, përmes një postimi në Facebook. Shtetasi me inicialet E.H., ka kërcënuar Pacollin dhe fëmijët e tij, ndërsa ka pretenduar të jetë prokuror i Kosovës.
“Personi i arrestuar në orët e vona mbrëmë, me incialet E.H, i cili kërcënoi z. Pacolli dhe fëmijët e tij i ka kërkuar gjithashtu para. Personi ka pretenduar të jetë edhe prokuror i Kosovës. Ai ka kërcënuar po ashtu me arrestim të z. Pacolli. E.H ka kërkuar në internet shkollën e fëmijëve, e cila është shkollë publike, të z. Pacolli dhe ka kërcënuar atë se do t’i rrëmbejë dhe do t’i djeg ata për së gjalli. Z. Pacolli është shumë i tronditur dhe i mërzitur emocionalisht nga kërcënimët e bëra”.
Pas tij, një reagim është përcjellë nga vetë Pacolli, i cili që në krye të statusit nënvizon faktin se familja është vlera më e madhe e shoqërisë. Ai jep mesazhin se asnjëherë nuk do të lejoj askënd që mllefin e tij personal, ta shpreh duke i kërcënuar familjen.
“Familja është vlera më e madhe e shoqërisë. Fëmijët janë të shenjtë për secilin prej nesh andaj t’u japim dashuri sa më shumë që mundemi.
Shoqëria jonë duhet të ketë kujdes dhe të mos tejkalojë limitet e respektit ndaj familjes e veqanërisht ndaj fëmijëve.
Nga ana tjetër unë asnjëherë nuk do ta lejoj askënd që mllefin e tij personal ta shpreh duke më kërcënuar familjen, e fëmijët e mi.
Do përdori të gjithë instrumentet ligjorë që ti ndjek këta persona duke shpresuar që në këtë mënyrë i kontribuoj tërë shoqërisë e cila është e ngopur me dhunë, kërcënime e frikësime”.