Princi Filip, njeriu që eci dy hapa pas Mbretëreshës

Nga: Tina Brown “The New York Times”

Në vitin 1953, gjatë ceremonisë së kurorëzimit të Mbretëreshës Elizabeta II në Abacinë e Uestminsterit, 31-vjeçari Filip Mauntbaten, Duka i Edinburgut, hoqi kurorën e tij, u gjunjëzua në këmbët e gruas së re me të cilën ishte lidhur 6 vjet më parë, dhe u betua për besnikëri.

“Unë, Filipi, Duka i Edinburgut, bëhem njeriu juaj i jetës… ndaj më ndihmo o Zot”. Që Filipi e mbajti atë pretim për 68 vitet që pasuan, kjo është një mrekulli jo vetëm e monarkisë moderne, por edhe e martesës moderne.

Për të nuk ishte e lehtë të merrte një rol, në të cilin ai do të ecte gjithmonë 2 hapa pas gruas së tij. Filipi ishte përkufizimi i një mashkulli Alfa të plotë:i pashëm, i sigurt në vetvete, i paduruar me budallenjtë, por jo vetëm ata. “Mbretëresha duhet ta ketë kuptuar që nga fillimi se ai kishte një karakter shumë të fortë, dhe se nuk do të tërhiqej nga angazhimet”-më tha Sër Nikolas Soames, një mik i Princit Çarls.

Martesa e tyre nuk ishte një bashkim i sajuar, si martesa katastrofike mes Çarlsit dhe Dianës. Ishte që në fillim një lidhje dashurie. Mbretëresha ishte marrosur pas tij që nga viti 1939, kur ishte vetëm 13 vjeçe, ndërsa Princi Filip i Greqisë dhe Danimarkës, një kadet i Marinës britanike, asokohe 18 vjeçar, e shoqëroi atë pranë Kolegjit Detar Mbretëror në Dartmauth.

Me kalimin e kohës, ai ra në dashuri me të, dhe këtë ia tha në një letër të vitit 1946, që përmendet e biografinë e tij shkruar nga Filip Ajdi. Kur i propozoi 7 vjet më vonë në Balmoral, as babai i saj, mbreti dhe as nëna mbretëreshë, nuk menduan se ai ishte një “bast i sigurt”.

Filipi mund të kishte lidhje gjakun me gjysmën e monarkëve të Evropës, por familja e tij ishte e mërguar nga Greqia, dhe princi nuk kishte para. Që fëmijë i vogël, Filipi zotëronte 3 gjuhë, dhe jetoi sa andej-këndej midis afërmve të tij evropianë.

Kur ishte në Gordonstoun, shkolla spanjolle me konvikt skocez në të cilën ishte dërguar, nuk e kishte idenë se ku do t’i kalonte pushimet e shkollës. Princesha Elizabeta ishte e ndrojtur, por një vëzhguese e hollë. Ajo pa tek Filipi karakterin e patundur, të cilën ato do të cilësonte në 50 vjetorin e martesës, si çelësin e asaj marrëdhënie të gjatë.

Të dy ishin të lidhur nga një ndjenjë e detyrës. “Brezi i tij e barazonte shërbimin ndaj vendit, me shërbimin ndaj vlerave në të cilat ai besonte”-thotë Xhemi Louter-Pinkerton, ish-sekretar privat i Princave Uilliam dhe Herri.

E shkuara mbretërore e Filipit, përforcoi bindjen se mbijetesa e monarkisë ndërtohet dhe kufizohet nga një angazhim ndaj detyrës. E nxitur jo pak nderimi që kishte për të, Elizabeta i besoi padurimit të fortë të Filipit. E rrethuar nga një zyrtarizëm i padurueshëm, ajo mund të varej gjithnjë tek ai për ta bërë të qeshte. Dhurata e tij për të ishin sekreti i përbashkët, se formalitetet ishin tërësisht absurde dhe absolutisht të nevojshme.

“Ajo e dinte se do të merrte gjithmonë një përgjigje të sinqertë nga ai”- më tha Alisteir Brus guvernatori i Kështjellës së Edinburgut. Në këmbim, ajo i siguroi Filipit një vend të sigurt emocional që i mungonte që nga fëmijëria e tij. Megjithëse u përfol për disa flirte, përkushtimi i tij ndaj mbretëreshës nuk mund të vihet në dyshim.

Ai e shoqëroi mbretëreshën në të gjitha turnetë e saj jashtë shtetit. (“Mos e ngacmoni mbretëreshën!” do të bërtiste ai ndonjëherë nëse gazetarët do t’i afroheshin shumë asaj). Ai bëri komente që varionin nga ato jo-politike (“Vendi juaj është një nga qendrat më famëkeqe të tregtisë së specieve të rrezikuara”-u tha ai mikpritëse të tij në Tajlandë në vitin 1991), deri tek ato ciniket (“A e qëlloni ende me heshta njëri-tjetrin?”- i pyeti ai pleqtë aborigjenë gjatë një udhëtimi me mbretëreshën në Australi në vitin 2002).

Por fytyra e padeshifrueshme e mbretëreshës në publik, nuk ishte aspak orientuese mbi mënyrën se si ajo mund të sillej me të privatisht. Martesa pati sukses në strategji po aq sa edhe dashuria. Sfida martesore e mbretëreshës, ishte se si të shfrytëzonte energjitë e mrekullueshme të burrit të saj në shërbim të kurorës.

Çelësi i kësaj, ishte që të shmangte të ndjerit e Filipit si njeri pa njeri. Vitet e para ishin të vështira për të, sidomos kur mësoi se fëmijët e tij do të merrnin mbiemrin dinastik Uindsor, jo të tijin. Pastaj në atë kohë kishte pak modele mbi mënyrën e ndërtimit të një martese, në të cilën ekuilibri i fuqisë anonte drejt një gruaje, më përjashtim të rastit të Mbretëreshës Viktoria dhe Princit Albert.

Me sjelljen e saj zakonisht të butë, mbretëresha gjeti mënyra dinake për ta menaxhuar burrin e saj, ndërsa filloi të merrej me çështjet e rënda të shtetit. Ajo e vuri atë në krye të të gjitha pasurive mbretërore dhe shtëpive, të cilat ai mbikëqyri – siç e tha nëna mbretëreshë – me disiplinën e një “ushtaraku gjerman”, dhe ajo i dha atij të drejtën e vendimit mbi vendimet e mëdha familjare.

Elizabeta inkurajoi aktivitetet që e bënë Filipin të ndihej autonom:ai merrej me fluturime, luante polo, dhe ngiste karrocat e tërhequra nga kuajt. Ai drejtonte një karrocë me 4 kuaj rreth Windsor Great Park deri kur ishte 97-vjeç. Filipi kishte pasion teknologjinë.

Më thanë se vitet e fundit, përdorte shpesh Kindle, deri kur i neveritur nga tregtimi i detyruar i librave që nuk donte t’i lexonte, e flaku atë në banjë. Filipi ishte i vendosur të mos e përziente veten në kompetencat kushtetuese të mbretëreshës.

Në vend të tyre, ai drejtonte gati 800 organizata kryesisht filantropike. Ai kishte një pasioni të veçantë për ruajtjen e specieve. Në vitin 2017, në moshën 95 vjeçare, Filipi njoftoi tërheqjen nga detyrat mbretërore. Në një fermë komode në Sandringham, ai lexonte me zell dhe pikturonte në akuarel.

Tërheqja e tij krijoi një boshllëk për Pallatin, por edhe për mbretëreshën. Shumë njerëz besojnë se mungesa e pranisë së tij vendimtare në qendër të familjes, është një nga arsyet kryesore pse familja Uindsor filloi të ziente sërish nga zënkat e brendshme.

Në fillim përfshirja e Princit Endrju në skandalet seksuale të Xhefri Epshtein, dhe më pas zbulimet shpërthyese të Herrit dhe Megan të distancuar nga familja. Por është e vështirë të imagjinohet që edhe Filipi mund ta kishte shmangur këtë situatë.

Për mbretëreshën, kalvari traumatik i Anglisë me Covid-19 ishte një “bekim” i papritur. Ajo ishte në gjendje të kalonte një vit e mbyllur në Uindsor dhe Balmoral me dashurinë e jetës së saj. Në publik, ata nuk i lejuan vetes asnjë shfaqje afeksioni, por privatisht, Brus më tha se ata kishin një intimitet të mrekullueshëm dhe tejet ngacmues. “Ata luajnë me njëri-tjetrin, ashtu siç bëjnë dy njerëz që e duan njëri-tjetrin”- tha ai.

Në dekadat e tij si bashkëshorti i saj, Filipi vazhdoi të kërkonte mënyra për të ripërcaktuar rëndësinë e një monarkie moderne, dhe për ta mbështetur atë ndërsa kishte një angazhim hiperaktiv ndaj kauzave dhe interesave të tij.

Megjithatë, ai nuk e harroi kurrë ndjenjën e tij të detyrës. Kur më në fund e kuptoi se po e linin fuqitë, e pyeti zyrtarisht monarken nëse do ta lironte nga shërbimi i saj. Butësisht dhe me shumë dashuri, ajo e la të shkojë.

Burimi i lajmit: https://www.nytimes.com/2021/04/09/opinion/prince-philip-dead.html

Përshtatur nga TIRANA TODAY