Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka dhënë intervistën e tij të parë si kreu i Shtetit.
Pas një fushate mjaft të ashpër ndaj kreut të partisë me të cilin ai ishte në koalicion për 4 vite me radhë, tashmë Meta ka folur në rolin e Presidentit të vendit.
I pyetur se si do jenë marrëdhëniet e tij me kryeministrin Edi Rama, Meta tha se është i gatshëm të bashkëpunojë me këdo që tregohet bashkëpunues.
“Unë e thashë qartë. Sapo hyra këtu lashë pas 25 vite në politike. Është detyrim kushtetues dhe qytetar dhe unë jam i hapur për bashkëpunim jo vetëm me z. Rama por edhe aktorët e tjerë politikë në vend. Është detyrim”, deklaroi Meta i cili a bërë të ditur se marrëdhënia e tij publike me LSI ka përfunduar.
Gjithashtu, Meta foli për rolin e tij si President, ndërsa i pyetur nëse mendon se Shqipëria do të jetë anëtare e BE-së, pas 5 vitesh, kreu i Shtetit u shpreh pesimist, teksa tha se kjo është edhe në dorën e Bashkimit Evropian.
Për herë të parë presidenti i Republikës nuk rreshton pranë bashkëshorten e tij. Nuk e dimë akoma a është zonjë e parë Monika Kryemadhi?
Mendoj se personin për të cilin ju flisni dilte aq kollaj në rresht. Së dyti, Monika e ka bërë zgjedhjen e saj publike në momentin që unë jam zgjedhur president. Ajo është zgjedhur më pas zëvendëskryetare e Lëvizjes Socialiste për Integrim duke e bërë të qartë e duke qenë politikane aktive dhe që nuk do të ishte zonjë e parë. Kështu që unë besoj se misioni i saj por edhe paraqitja e sotme janë një mesazh i qartë e presidentit dhe presidenca nuk mund të ndikohet nga askush përfshirë edhe atë për qëllime të caktuara politike. Kështu që besoj se mesazhi është tepër i qartë.
Gjëja e dytë që më bëri përshtypje është takimi me kryeministrin, shkëmbyet shtrëngim duarsh por jo shikimesh. Tani e tutje doni s’doni do keni kontakt institucional. A ka kontakt njerëzor midis z. Ramës dhe jush?
E pashë dhe më duket se më pa. Besoj se mesazhi im ishte shumë i qartë. Në orën 18:00, unë kam lënë 25 vitet e mia parlamentare, politike dhe partiake atje ku i nisa para 25 vitesh. Absolutisht me këtë detyrë, unë do të jem bashkëpunues me të gjithë sepse është detyra dhe detyrim kushtetues. Është edhe detyrim qytetar dhe absolutisht që unë jam i hapur për të bashkëpunuar jo vetëm me z. Ramën por edhe me të gjithë aktorët e tjerë. Është detyra ime.
Deri në fund ishte ai ankthi mos vallë Ilir Meta ndryshon apo ka ndryshuar mendje gjatë këtyre javëve. Për shembull e menduat këtë? E menduat që të jepnit realisht dorëheqjen pa e marrë detyrën siç edhe e shprehët në një moment të caktuar?
Unë më duket se e kam bërë të qartë edhe pasi jam zgjedhur president ndërkohë që opozita vijonte protestën e saj e lajmëronte bojkotin e zgjedhjeve. Madje e kemi shprehur edhe më 17 maj ku edhe Petrit Vasili e ka bërë shumë të qartë që Lëvizja Socialiste për Integrim ishte për t’i dhënë fund këtij ngërçi e kësaj krize të madhe që po vjen.
Kërkoi të zbatojë paketa McCallister ditë për ditë edhe për këtë gjë është e gatshme që të tërhiqet edhe nga posti i presidentit meqenëse ky post ishte në një ditë me këtë paketë. Dhe ky ishte treguesi i përgjegjshmërisë për të evituar një krizë. Natyrisht që nuk më ka shkuar nëpër mend më pas që të jap dorëheqjen për arsye të tjera sepse kjo do të ishte një sfidë e panevojshme dhe e tepruar ndaj të gjithëve. Do të ishte një mungesë e respektit për institucionin e presidentit të Republikës por edhe për mjaft partnerë të cilët kanë duruar në atë moment dhe kanë qenë të hapur për bashkëpunim.
Në fushatë thatë se Edi Rama do i telefonojë z. Petrit Vasili pas zgjedhjeve. Unë kam dëgjuar që Kryeministri iu ka telefonuar sërish dhe ju sërish nuk jeni përgjigjur. Si mendoni do ta menaxhoni këtë raport deri para orës 18:00 të ftohur mes jush dhe kryeministrit të vendit?
Ne sapo u takuam.
Po, por ju i dhatë dorën dhe i shikonit atletet…
Së pari, unë nuk impresionohem nga atletet. Ato janë një zgjedhje mjaft normale. Nuk është hera e para, në kuptimin që është diçka e re që tërheq vëmendjen time. Unë i kam dhënë dorën me shumë sinqeritet edhe z. Rama, dhe të gjithë të pranishmëve që na nderuan në këtë ceremoni që nuk është për një individ, por është për institucionin e Presidentit të Republikës.
Duket një mallkim raporti midis këtij institucioni dhe Kryeministrit të vendit. A do ta ndryshoni ju këtë trend dhe të ngriheni mbi emocionet personale që keni pasur me z. Rama para orën 18:00?
Unë mund t’iu them që bashkëpunimi im si Kryeministër me presidentin Mejdani ka qenë i shkëlqyer. Unë jam bashkëpunues me të gjithë dhe pa dyshim që do jem bashkëpunues me Kryeministrin Rama, me çdo kryeministër, me çdo qeveri, me çdo forcë politike të opozitës dhe me çdo institucion, pasi kjo është dhe detyra kryesore e Presidentit, të punojë për bashkëpunim, për unitet, për bashkëveprim të gjithë institucionet, të gjithë aktorëve, në interes të vendit, në interes të gjithë qytetarëve tanë, pa dallim idesh partiake dhe politike.
President shumë vetë patën pikëpyetje për mënyrën se si u përfshitë në fushatë. Minimalisht u duk politikisht jo korrekte. Megjithatë a keni reflektuar mbi këtë?
Unë jam President nga ora 18:00.
Patët deklaruar se nuk do të dekretonit një Kryeministër që vjedh zgjedhjet. A do të presim surpriza në shtator?
Natyrisht që unë do të përmbyssh të gjitha detyrimet e mia kushtetuese dhe institucionale, në mënyrën më korrekte. Dhe sigurisht që do të duhet të presim konstituimin e Kuvendit të ri.
Do të merreni në konsideratë mosdekretimin e qeverisë së re për të gjitha arsyet që keni thënë? Do të ketë vendime të forta?
Do të prisni vendime krejtësisht kushtetuese, institucionale, demokratike dhe transparente. Ka procedura se si ndodh një proces. Edhe unë kam nevojë të pyes këshilltarë. Ka zyra të cilat e këshillojnë Presidentin, ka një praktikë në të kaluarën se si ndodh.
Cilat do të jenë prioritetet e Presidencës?
Besoj se i kam bërë të qarta. Në të dyja fjalët e mia u përpoqa të mos kishim një përsëritje, duke e përshtatur edhe në betimin në Kuvend por edhe në ceremoninë e marrjes së detyrës në Presidencë. Për mua është vendimtare të rrisim besimin e të rinjve për të qëndruar në Shqipëri. Në takimin që pata me Presidentin Nishani para se të merrja detyrën edhe ai më shprehu këtë shqetësim se çdo ditë e më shumë të rinj dhe njerëz të aftë kërkojnë të lënë nënshtetësinë shqiptare për të marrë shtetësitë e vendeve të ndryshme. Dhe ky është një problem. Jo se kjo është diçka që duhet ndaluar sepse ne jemi një vend demokratik dhe çdo qytetar bën zgjedhjet e tij por në duhet të japim më shumë besim për të rinjtë tanë, për intelektualët tanë, për forcat më progresive dhe më të afta të shoqërisë për ta parë të ardhmen këtu. Natyrisht që kjo kërkon një frymë bashkëpunimi midis të gjitha institucioneve dhe të gjithë aktorët.
Më kujtohet vizitua juaj si kryeministër në Athinë dhe ishit politikani i parë i atij niveli që hapët diskutimin për çështjen çame. Tani jeni president, do ta bëni sërish apo jo?
Çështja çame nuk ka nevojë që të hapet, ka nevojë që të marrë zgjidhje dhe është shumë e rëndësishme që të ndërtojmë një marrëdhënie mirëbesimi e cila ndihmon në zgjidhjen e të drejtave të qytetarëve shqiptar të cilët janë larguar me dhunë nga trojet e tyre në Greqi në një kohë të caktuar dhe natyrisht që kjo mund të ndodh vetëm duke punuar për t’i përmirësuar marrëdhëniet me Greqinë. Acarimi i marrëdhënieve me Greqinë nuk i ndihmon zgjidhjen e këtyre të drejtave apo rivendosjen e këtyre të drejtave. Përkundrazi, mund të krijojë probleme të tjera që nuk janë as në interesin tonë, as në interesin e fqinjëve tanë.
Meta sa i përket edhe një herë raporteve të mëparshme midis presidentit dhe kryeministrit të vendit, ka patur në të shkuarën edhe akuza ndaj presidentëve sepse ata kanë bërë lojën e kryeministrave, me siguri edhe për shkak të reformës në drejtësi, gjasat janë që në tavolinën tuaj të vijnë propozime të rëndësishme. Çfarë do të presim nga presidenti Ilir Meta ndryshe nga paraardhësit e tij në sjellje për procese të tilla të rëndësishme për drejtues institucionesh?
Duhet të jemi të qartë një herë e përgjithmonë, që unë jam në këtë zyrë për të mos bërë as lojën e qeverisë dhe çdo lloj qeverie, as lojën e opozitës dhe çdo lloj opozite, por për të zbatuar Kushtetutën e vendit dhe për të bërë lojën më të mirë për Shqipërinë në mënyrë të hapur, transparente, bashkëpunuese, larg konflikteve dhe polemikave të panevojshme dhe absolutisht për mua gjithnjë do të jetë parësore transparenca dhe integriteti edhe për çështje të cilat ka rol Presidenti drejtpërdrejtë për emërime dhe për gjithçka tjetër për mua themelore do të jetë transparenca dhe integriteti. Në mënyrë që të rrisin transparencën në mënyrë e funksionimit të institucioneve, të rrisin integritetin e këtyre institucioneve, që të rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet dhe te shteti.
Ku do të jetë Shqipëria pas 5 vitesh? Si e imagjinoni ju?
Unë jua thashë edhe më parë. Shqipëria pas 5 vitesh duhet të jetë një vend ku të rinjtë tanë që studiojnë jashtë, një pjesë e mirë e tyre, të ktheheshin këtu dhe të merrnin përgjegjësi, të sillnin njohuritë që ata kanë fituar dhe për të cilat prindërit e tyre kanë investuar dhe sakrifikuar aq shumë dhe t’i japin një goditje të fortë kësaj tendencë për emigracion, sidomos të rinjve dhe të njerëzve më të kualifikuar, të cilët na duhen këtu për të çuar Shqipërinë më shpejt drejt realizimit dhe plotësimit të standardeve të një vendi evropian këtu, dhe jo në vendet e tjera të Evropës.
Është e mundur që Shqipëria të jetë një vend i BE-së pas 5 vitesh?
Natyrisht, që nuk jam kaq optimist për këtë çështje, sepse ne jemi ende në një proces ku synojmë hapjen e negociatave për anëtarësim sa më parë. Po të kemi parasysh përvojat e vendeve të tjera ky është një proces që ka kërkuar jo pak kohë.
Është një proces që nuk varet vetëm nga ne, por që varet edhe nga Bashkimi Evropian si dhe shumë zhvillime që do të ketë vetë ai. Por që ne të rrisim besimin e të rinjve për të realizuar ëndrrat e tyre në këtë vend mendoj që e kemi ne në dorë. Edhe Norvegjia nuk është një vend anëtar i BE-së, edhe vende të tjera.
Anëtarësimi në BE nuk është qëllim në vetvete. Është një instrument, është një kuadër, një perspektivë në mënyrë që ato standarde që njerëzit tanë kërkojnë t’i prekin individualisht. Të mos i prekin duke emigruar, por t’i realizojnë këtu, në vendin tonë që është një vend i mrekullueshëm. Jo se jam në këtë detyrë, por edhe si Ministër i Jashtëm kam qenë në shumë vende të botës, është e vështirë të gjesh një vend midis Italisë, Greqisë, Kroacisë, me një potencial të jashtëzakonshëm për t’u zhvilluar, është e pamundur ta ndërrosh me një vend tjetër në botë.
Çfarë do të bëni ju pas 5 vitesh?
Këtë gjë nuk e di se çfarë do të bëj pas 5 vitesh por di që gjatë 5 viteve do të bëj gjithçka për t’i qëndruar betimit të sotëm, edhe angazhimeve të mia gjatë ditës së sotme të cilat janë publike.
Marrë me shkurtime nga intervista në emisionin “Top Story” në Top Channel