Liga Angleze bën me dije se gjashtë lojtarë apo pjesëtarë stafesh të 3 prej skuadrave të Premier League, kanë rezultuar pozitivë pas testeve për koronavirusin.
Brenda dy ditësh janë testuar më shumë se 700 lojtarë dhe anëtarë stafesh. Bëhet me dije se personat e konfirmuar pozitivë do të duhet të qëndrojnë të paktën 7 ditë në izolim.
“Mes të dielës dhe të hënës 748 lojtarë dhe anëtarë stafesh janë testuar për Covid-19 prej të cilëve 6 kanë rezultuar pozitivë, në tre klube. Lojtarët ose anëtarët e stafeve që dolën pozitivë do të qëndrojnë në vetëizolim për shtatë ditë. Premier League komunikon këto të dhëna të përditësuara për të garantuar integritetin dhe transparencën e veprimtarisë. Asnjë detaj specifik mbi klubet ose mbi subjektet në falë nuk do të jepet për çështje ligjore dhe operative”, thuhet në njoftimin e publikuar nga Liga Angleze.
Kujtojmë se për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19, kampionati anglez u pezullua që në datën 13 mars. Në mbledhjet e fundit, Liga kishte caktuar 12 qershorin si datën më të mundshme për rinisjen e kampionatit.
Shumë klube kanë rinisur sot stërvitjet, gjithmonë duke iu përmbajtur rregullave të distancimit social të paracaktuara në protokollin kombëtar.