“Do e transformojmë atë zonë në një park, po studiojmë një park, brenda vjeshtës së ardhshme ose do e kemi realizuar, ose do jemi duke e realizuar”, deklaroi Kryeministri Edi Rama më 12 Qershor të këtij viti.
“Edhe pse Këshilli Bashkiak i Durrësit e shpalli gjendje të emergjencës mjedisore zonën e Porto Romanos, situata vijon të jetë edhe me rëndë. Për shkak të shtëllungës së tymit është e pamundur të flasësh. Ajo që bie në sy është banorë të shumtë që marrin mbetje nga kjo zonë”.
Kjo është pamja që mbizotëron çdo ditë në këtë vendgrumbullim mbetjesh. Fëmijë, të rinj e të moshuar e gdhijnë dhe e ngrysin ditën të mbuluar nga tymi.
Hedhja e plehrave të Durrësit për 25 vite ka bërë që në këtë fushë, volumi i mbetjeve të arrijë në rreth 530 000 metër kub. Ato janë shpërndarë në çdo cep të kësaj fushe prej 18 hektarësh. Për shkak sepse nuk përpunohen, ato digjen në terren të hapur.
“Po ku ka ngelur i gjithë ngërçi për mosndërhyrjen në këtë zonë, ku situata është mjaft alarmante?”
Rudina Trikshiqi, specialiste e Mjedisit në Bashkinë e Durrësit thotë: “Me shkresë e shpallur emergjenca e mjedisit i është dërguar Ministrisë së Mjedisit, duhet të mblidhet komiteti i menaxhimit të mbetjeve që do miratojë shpalljen e emergjencës mjedisore dhe më pas alternativat që do të jenë për ndërhyrjet në këto 4 vend grumbullime këto janë vend grumbullime pa asnjë kusht teknik dhe të trashëguar ndër vite dhe Bashkia e Durrësit me tarifën që mbledh për pastrim gjelbërimin është relativisht shumë e ulët për të ndërhyrë”.
Por pavarësisht insistimit të vazhdueshëm të Tv Klan, Ministria e Mjedisit refuzon të japë informacion se përse nuk po ndërhyhet në Porto Romano, cili është projekti për rehabilitimin e zonës, sa është kostoja e saj dhe kur banorët e Porto Romanos mund të marrin frymë lirisht./Tv Klan