Një ditë pasi përfundoi mandatin 5-vjeçar si President i Republikës dhe ia dorëzoi detyrën Bajram Begajt, Meta ka dalë me deklarata të forta. Ish-presidenti Ilir Meta jashtë selisë së LSI-së u shpreh krenar për themelimin e kësaj partie.
Sikurse e ka paralajmëruar, ai do t’i kthehet politikës aktive. Në orën 19:00 LSI mban sot Konventën Kombëtare në Pallatin e Kongreseve dhe Meta pritet që të konfirmohet si kryetar i saj.
Ai është pyetur nga mediat nëse do të marrë drejtimin e LSI-së, apo do të krijojë forcë të re politike, ku tha se “partia e referendumit na pret përpara”, duke e quajtur atë partinë e popullit të 2 Marsit.
“Duke u bërë një shtojcë e pavetëdijshme e pushtetit, që ishte Partia Demokratike e Lulzim Bashës. Që çdo gjë e kishte mirë programuar me Edi Ramën. Jam këtu për t’i falenderuar mbështetësit e LSI-së për të gjithë angazhimet e tyre të mëparshme. Kemi një ndryshim të rrethanave historike nga momenti që u krijua LSI-ja. Dhe nuk është tani një forcë politike që mund të ndryshojë fatet e vendit, siç ishte momenti i krijimit të LSI-së kur zgjidhte ngërçin dhe krizat politike nga dy partitë e mëdha.
Ka ardhur momenti për një transformim të sistemit në vend. Ka ardhur momenti që populli i 2 Marsit të nisi rrugën e tij. Të shumëfishohet çdo ditë dhe shumë shpejt të fitojë referendumin që si e vetmja rrugë të vendosë nën kontroll këtë klasë politike të papërgjegjshme, dhe jo vetëm atë. Jam plotësisht i bindur se referendumi i ka munguar popullit të Shqipërisë prej vitit 1998 dhe referendumi do të jetë shpata e Demokleut, mbi të gjithë uzurpatorët, Esat Pashët e rinj të këtij vendi që i ngulin thika pas shpine në mënyrë sistematike edhe shtetësisë së Kosovës dhe shqiptarëve kudo që ata janë”.