Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ka thënë se Irani paraqet një kërcënim të vërtetë për Evropën.
“Ne kemi parë llojet e fushatave që ata kanë realizuar këtu. Ne kemi parë rrezikun e komploteve të atentateve. Ne kemi parë ndjekje penale për këto, në të gjithë Evropën. Nuk ka kuptim që ndonjë vend evropian të mbështesë mundësinë që iranianët të kenë armë”, tha Pompeo në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”.
Intervista u zhvillua në Pragë të Çekisë, ku Sekretari Pompeo qëndroi si pjesë e turneut të tij pesëditor në Evropën Qendrore.
Shtetet e Bashkuar janë duke bërë përpjekje që Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara të zgjasë një embargo të armëve ndaj Iranit, pasi rezoluta aktuale përfundon në muajin tetor.
Pompeo tha se Irani është sponsorizuesi më i madh i terrorizmit në botë.
I pyetur për situatën në Bjellorusi, ku pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 11 gusht kanë shpërthyer protesta, Pompeo tha se “Shtetet e Bashkuara duan rezultate të mira për popullin në Bjellorusi, dhe ne do të ndërmarrim veprime në përputhje me këtë”.