Nga Ivana Polic “Balkan Insight”/ Fëmijët janë përdorur shpesh si mjete propagandistike politike, duke i bërë fushatë politikanëve dhe linjave të ashpra nacionaliste në Ballkan. Kjo ka ngritur shqetësimin, se brezat e rinj po indoktrinohen me vlera jo-liberale.
Javën e kaluar një fotografi e Panairit të Librit në Beogradit, që u bë virale në internet, tregonte udhëheqësin e Partisë Radikale Serbe Vojisllav Sheshel, të rrethuar nga një klasë plot me nxënës dhe mësuesit e tyre të qeshur, në një stendë që promovonte shtëpinë botuese të politikanit nacionalist të “Serbisë së Madhe”.
Duke pasur parasysh historinë dhe statusin e Sheshelit si një njeri i dënuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish Jugosllavinë, për krime të luftës për nxitje të urrejtjes dhe dhunës ndaj jo-serbëve, krimet për të cilat ai deklaroi publikisht se ishte “krenar, dhe i gatshëm t’i kryente sërish”, këto fotografi janë paksa më shumë se thjesht shqetësuese.
Mjerisht, përdorimi i fëmijëve për qëllime politike në Ballkan nuk është një risi. Të miturit, janë përdorur shpesh për të nxitur ideologjinë shtetërore, ashtu edhe nëpër fushatat politike të politikanëve të ndryshëm dhe partive politike në Jugosllavinë socialiste (pionierët e Titos) dhe shteteve të saj pasuese, veçanërisht Kroacisë, Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ky lloj keqpërdorimi i fëmijëve, nuk përfundoi në vitet 1990. Përkundrazi, ai vazhdoi në një mënyrë edhe intensive se më parë, me çdo palë zgjedhje të reja, që shfaqnin shembuj të rinj të të miturve që përdoren në fushata zgjedhore, në mënyra që janë minimalisht të diskutueshme në aspektin moral.
Për shembull, zgjedhjet e fundit në Bosnje, ngritën pyetje serioze në lidhje me etikën e vendosjes së fëmijëve në postera politikë, si në Kroaci 3 vjet më parë, kur politikanët si pandehuri i krimeve të luftës, Branimir Glavas, apo Ivo Josipoviç pozuan me fëmijë në prag të zgjedhjeve, përkundër paralajmërimeve nga Avokati i Popullit për respektimin e të drejtave të fëmijëve, dhe për mos t’i shfrytëzuar ata për të mbledhur vota.
Sidoqoftë, më alarmuese sot në vitin 2018, është fakti se fëmijët po vendosen në një kontekst shumë të politizuar jo vetëm në raste të veçanta me rëndësi të madhe politike, siç janë zgjedhjet, por në raste të përditshme. Në shtatorin e këtij viti, gjatë kremtimit të çlirimit të Jajces në Bosnje nga ushtria serbe e Bosnjës, nga ana e Këshillit Kroat të Mbrojtjes (HVO), Ushtrisë Kroate dhe Ushtrisë së Republikës së Bosnjës në vitin 1995, përdorën në mënyrë aktive fëmijët e shkollave të zonës, duke i bërë ata pjesëmarrës në programet e tyre etnikisht të ndara.
Gjatë programit kroat, fëmijët kishin veshur bluza me logon HVO. Pjesëmarrja e tyre në ceremoni, e cila ishte plot simbolika ushtarake dhe fetare, supozohej të miratohej nga prindërit e tyre dhe natyrisht edhe nga mësuesit e tyre. Në një shembull tjetër, një djalë 7-vjeçar nga Rijeka në Kroaci, që ndodhej për një vizitë në shkollën verore në Beograd vitin e kaluar, i tha presidentit serb Aleksandar Vucic se ishte tifoz i klubit të futbollit HNK Rijeka.
Ky i fundit sugjeroi që ai të ndërrojë ekip, dhe të bëhet një tifoz i “një klubi më të madh dhe më të mirë, si Partizani apo Ylli i Kuq (klubet e Beogradit)“. Ndërsa mediat serbe e cilësuan komentin të këndshëm, media kroate e portretizoi djalin si një hero që i rezistoi përpjekjeve të Vuçiçit, për të dërguar një mesazh politik përmes një fëmije të vogël.
Pas kësaj, djali u ftua të ishte një mysafir i veçantë në ndeshjen tjetër të Rijekës, dhe mori një bluzë të skuadrës nga presidenti i klubit me autografet e të gjithë lojtarëve. Çështja “Cokolinda”, e quajtur kështu pas ndjesës publike të presidentes kroate Kolinda Grabar Kitaroviç, pasi u dha rëstësisht fëmijëve në kopshtit e Dubrovnikut çokollata të prodhuara nga një fabrikë serbe, si pjesë e një dhuratave për Krishtlindje, është një shembull i politizimit të jetës së fëmijëve – të cilët me siguri nuk do të jenë në gjendje, të tregonin dallimin midis çokollatave serbe dhe atyre jo-serbe.
Duke i parë këto raste, nuk mund të mos pyesim veten se çfarë lloj vlerash, po i transmetojnë brezave të rinj udhëheqjet e këtyre vendeve? A do të rriten këta të rinj, të cilët nuk kishin lindur ende kur po shpërbëhej ish-Jugosllavia, duke mësuar vazhdimisht se ekziston një dallim thelbësor midis dhe atyre dhe nesh, bazuar në kombësinë tonë?
Ndërkohë, duke u rikthyer tek Panairi i Librit në Beograd, raportet mediatike thonë se Sheshel u përpoq t’i bindte fëmijët të përqafonin terminologjinë dhe sloganet lidhur me Çetnikët, duke thënë se ata duhet të “edukoheshin në kohë për të mbrojtur atdheun e tyre”.
Edhe pse përdorimi i fëmijëve për qëllime politike, nuk ndalohet në mënyrë të prerë nga ligji në cilindo prej këtyre 3 shteteve, kjo duhet të rishqyrtohet duke pasur parasysh frekuencën me të cilën jo vetëm lojtarët politikë, por edhe prindërit, kujdestarët dhe edukatorët, shpërfillin rreziqet e përdorimit të fëmijëve në këtë mënyrë.
Për shkak të atmosferës aktuale, në të cilën politikanët ri-nxehin vazhdimisht tensionet etnike, a thua sikur s’ka ndodhur asgjë në të shkuarën, të rinjtë nuk do të kenë asnjë shans të rriten në një mjedis të shëndetshëm, liberal dhe mendjehapur.
Dhe në qoftë se institucionet shtetërore dhe prindërit, nuk pranojnë përgjegjësinë që kanë për futjen e vlerave tek të rinjtë tanë, që nuk mbështeten vetëm tek nacionalizmi, çfarë lloj njerëzish do ta udhëheqin këtë rajon pas 20 apo 30 vitesh?
Shënim: Ivana Poliç është doktorante në Historinë e Evropës Moderne në Universitetin e Kalifornisë në San Diego, duke pasur në fokus Evropën juglindore pas vitit1945.
Përashtati për Tirana Today, Alket Goce