Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar që të mbahen zgjedhjet në muajt e ardhshëm.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se zgjedhjet tashmë po mbahen anembanë kontinentit. Sipas tij, nuk ka ngërç institucional në Kosovë, por vetëm mospajtime që kanë zgjidhje.
Kurti shton se zgjedhjet vendore mund të mbahen njëkohësisht me ato lokale në Podujevë. Kujtojmë se Gjykata Kushtetuese jep pas 5 ditësh vendimin, nëse qeveria e re LDK- AAK- Nisma është legjitime apo jo.
Postimi i plotë:
Ngërçi institucional shfaqet vetëm kur përjashton zgjedhjet
Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona.
Ngërç institucional? Nuk është e vërtetë. Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës. Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci. Duhet të kemi zgjedhje edhe në Kosovë e aso lokale në Podujevë. Madje, mundet edhe njëkohësisht.