Policia ka identifikuar autorët e plagosjes së Edon Martinit, ditën e djeshme në lagjen nr.1 të qytetit të Laçit.
Duke iu referuar njoftimit të policisë, janë shpallur në kërkim: G.R. 21-vjeç dhe A.M. ( L.) 25-vjeç, të dy banues në Laç. Ndaj tyre rëndojnë akuzat e “vrasjes së mbetur në tentativë’’ dhe “armëmbajtje pa leje’’.
Mësohet se konflikti mes tyre ka nisur disa javë më parë mes tre personave, ndërsa ditën e djeshme u përshkallëzua në plagosjen me armë zjarri të 19-vjeçarit, i cili është kushëriri i parë i Ervis Martinit, të përfshirit në vrasjen në ish-Bllok.
I plagosuri ndodhet në spitalin e Traumës për mjekim të specializuar, pasi ka disa plagë në trup. Ai u gjet i gjakosur në anë të rrugës në lagjen nr. 1 të qytetit, pasi u qëllua nga 21-vjeçari që është shpallur në kërkim.
Njoftimi i policisë:
’Kurbin
Policia e Komisariatit Kurbin zbardh ngjarjen e ndodhur dje në Laç, ku mbeti i plagosur me armë zjarri shtetasi E.M.
Identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët e dyshuar të identifikuar
Policia e Komisariatit Kurbin, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, menjëherë pas ngjarjes ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga grupi hetimor, u bë e mundur zbardhja e dinamikës së ngjarjes së ndodhur dje në lagjen nr.1 Laç, ku shkak dyshohet vijim i një konflikti për motive të dobëta ndodhur para disa javësh, i cili ka vazhduar edhe dje duke u përshkallëzuar në plagosjen me armë zjarri të shtetasit E.M. që ndodhet në spital.
U shpallën në kërkim dhe punohet intensivisht për kapjen e shtetasve:
– G.R. vjeç 21, banues në Laç i dyshuar për veprat penale ” Vrasje me paramendim’ mbetur në tentativë” dhe ” Mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”
– A.M. ( L.), vjeç 25 , banues në Laç për veprat penale ” Mbajtje pa leje e armëve luftarake e municioneve” dhe ” Moskallëzim krimi”.
Vazhdon puna policore intensive për kapjen e tyre si dhe materialet procedurale në ngarkim të tyre iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprime të mëtejshme.’’