Andrea Pirlo është një ndër futbollistët që ka konsumuar gjithmonë alkool, edhe gjatë kohës që ishte aktiv në futboll. Këtë e ka vërtetuar vetën në një intervistë për “Repubblica”-n, ku tregoi të gjitha momentet kur ia lejonte vetes ndonjë gotë verë, pas ndeshjes apo ndonjë trofeu.
Me të varur “këpucët në gozhdë”, edhe pse ende i duhet të luajë ndeshjen e lamtumirës, më 21 maj në stadiumin “San Siro”, Andrea Pirlo po i kushtohet me kohë të plotë biznesit të tij të prodhimit të verërave.
“Edhe kur isha në aktivitet, nuk ia lija vetes mangët disa gota pas ndeshjeve, dhe po them disa. Një futbollist, gjatë javës, duhet të jetë shumë i kujdesshëm, sidomos kur afron ndeshje. Por pasi dilnim nga fusha, disa lëshime vetes ia lejoja, aq më shumë kur fitonim.
Madje, edhe pas trofeve me klubet, disa birra nuk mund të mungonin për mua… Festa pas Botërorit? Kur triumfuam në Gjermani festuam për një kohë të mirë, ahh sa shumë, me verë, por edhe me diçka tjetër që po e mbaj të fshehtë… Madje, ditën tjetër jam zgjuar duke mos mbajtur mend thuajse asgjë nga gjithë ajo që kishte kaluar. E rëndësishme ishte të festonim! Ishte momenti më i bukur i karrierës sime futbollistike.”