Pas protestës së nisur ditën e diel, para Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës, nga qytetarë të Kukësit, merret vendimi nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ardi Veliu që Drejtoria e Policisë së Tiranës dhe 6 komisariatet të kalojnë në gjendje të gatishmërisë.
Drejtori i Përgjithshëm, Veliu, i ka kërkuar drejtorit të Policisë së Tiranës, Kastriot Skënderaj, që të marrë të gjitha masat për parandalimin e incidenteve të mundshme dhe kalimin e shërbimeve në gatishmëri.
Pas transportimit të qytetarëve të arrestuar nga Kukësi në Tiranë, mbrëmjen e së dielës, familjarët, por edhe qytetarë të ndryshëm të kryeqytetit, kanë nisur një tubim duke protestuar para Drejtorisë së Policisë të Tiranës.
Familjarët dhe qytetarët kanë kërkuar lirimin e të arrestuarve nga Policia.