Rama rrit pagat në dy sektorë, Basha premton krijimin e shtresës së mesme.
Kryeministri Edi Rama, në një konferencë shtypi, të mbajtur ditën e djeshme, njoftoi se duke nisur nga data 1 janar e vitit të ardhëshëm dhe në vijim pagat për mjekët dhe infermierët do të rriten me 40 %, ndërsa për mësuesit 15%. Gjithashtu, një tjetër nismë ishte se paga minimale në çdo sektor, publik dhe privat të jetë jo më pak se 30 mijë lekë. Për të gjithë ata që punojnë në këtë sektor pa dyshim që ishte lajm i mirë, por, nga ana tjetër, vetishëm ngrihet edhe artikulimi i ditëve të fundit për krijimin e “shtresës së mesme” në shoqëri. Dhe ajo nis nga paga dhe të ardhurat… Pak javë më parë edhe kreu demokrat, Lulzim Basha, artikuloi dendur projektin e opozitës për krijimin e “shtresës së mesme” pasi të marrë pushtetin. Një tezë intersante, e hedhur në tregun publik edhe në prag të fushatës elektorale, ku koha ka treguar se premtimet dhe realizimet në shumë raste janë fort larg.
Përse politika po lufton për “shtresën e mesme”?
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike në betejën për “të krijuar” dhe tërhequr pas vetes “shtresën e mesme”. Artikulimi politik i dy forcave kryesore në vend dhe si është ndarë shoqëria shqiptare, në krahasim me vendet e zhvilluara. Cila konsiderohet shtresë e mesme dhe rëndësia e saj në jetën shoqërore të vendit.
Nga: Adrian Civici
Në diskursin politik, veçanërisht në periudha zgjedhjesh, problemi i madhësisë dhe rolit të shtresës së mesme, është gjithmonë prezent. Në mënyrë direkte apo të tërthortë, forcat politike që kanë mundësi të jenë forca qeverisëse, e artikulojnë vazhdimisht shqetësimin e “polarizimit të skajshëm të shoqërisë shqiptare dhe reduktimin e shtresës së mesme”, ashtu dhe “objektivin për krijimin apo zgjerimin e shtresës së mesme të shoqërisë shqiptare”. Në këtë fillim fushate elektorale në Shqipëri duket se kjo temë do të zërë një vend të rëndësishëm në programet elektorale dhe politikat që do të propozohen për arritjen e këtij objektivi të rëndësishëm.
Çfarë nënkupton dhe pse është e rëndësishme shtresa e mesme?
Natyrisht që ky është një shqetësim plotësisht i përligjur, një ekuilibër e proporcion ekonomiko-social mjaft i rëndësishëm. “Një klasë e mesme e qëndrueshme dhe e zhvilluar është thelbësore për rritjen ekonomike dhe kohezionin social. Klasa e mesme mbështet konsumin, stimulon ndjeshëm investimet në arsim, shëndetësi dhe strehim, luan një rol të rëndësishëm në konsolidimin e sistemeve të mbrojtjes sociale, falë taksave që paguan. Shoqëritë që mbështeten në një klasë të mesme të fortë kanë përqindje të ulët kriminaliteti dhe nivel të lartë besimi e respekti për jetën dhe ligjin, ato gëzojnë një shkallë të lartë stabiliteti politik dhe mirëqeverisjeje”.
Por, çfarë nënkuptojmë me termin “shtresë e mesme”? “Shtresë e mesme” është një term me kuptim të gjerë që synon të përcaktojë shoqërinë si të ndarë në tri grupime dhe që varion si përkufizim nga kuptimi i përdorimit. Shtresë e mesme në kontekstin e periudhës së fillimit të revolucioneve industriale, fundi i shek. XVIII dhe gjysma e parë e shek. XIX, mbas fundit të shoqërisë së organizuar në rende sociale (fisnikëria, kleri, klasa e tretë) nënkuptonte atë pjesë të shoqërisë që i përkiste shtresës tregtare urbane apo profesionistëve të ndryshëm, si mjekë, juristë, inxhinierë, funksionarë të lartë publikë etj., si një identitet i dallueshëm nga klasa e lartë (aristokracia, elita apo borgjezia e pasur) dhe klasa e ulët (punëtorët, të varfrit).
Ky term i referohet konceptit të klasave sociale. Autorë të shumtë, përfshirë këtu dhe Karl Marksin, që e identifikonte me “borgjezinë e vogël që dispononte një minimum kapitali, por nuk mund të garantonte një konsum të lartë, i janë referuar vazhdimisht nocionit të “klasave të ndryshme sociale”. Nga njëra anë janë kapitalistët (të pasurit), nga ana tjetër proletarët (punonjësit me paga dhe të ardhura të ulëta), ndërsa në mes qëndron një klasë apo shtresë e veçantë “amorfe e diverse” me të ardhura mesatare dhe statut social specifik, sidomos për llojet e profesioneve, pjesëmarrjen e saj në procesin e prodhimit dhe shpërndarjes dhe specifikat e konsumit të saj, perceptimet personale për statusin social etj. Megjithatë, në grupin e studiuesve të fushës, nuk ekziston një përcaktim absolut konsensual për kriteret e përcaktimit dhe “thelbin e klasës së mesme”: niveli i jetës, shkalla e konsumit, niveli i të ardhurave, llojet e profesioneve, niveli kulturor etj. Bëhet fjalë për kontekstin konkret në të cilin përkufizohet klasa e mesme. P.sh., në sociologjinë amerikane, klasa e mesme përcaktohet në mënyrë më subjektive si pjesë e “ëndërrimit të arsyeshëm” duke mos e lidhur eskluzivisht me situatën e saj ekonomike dhe vendin në procesin e prodhimit, duke i ndarë në klasa superiore, klasa inferiore dhe klasa të mesme, bile klasa e mesme rafinohet akoma më shumë duke u ndarë në klasë e mesme e ulët (punonjësit socialë, infermierët, mësuesit etj.) dhe klasë e mesme e lartë (inxhinierët, profesorët e universitetit, profesionet intelektuale etj.).
Aktualisht, përkufizimi dhe përcaktimet për klasën e mesme janë të ndryshme, duke u bazuar gjithnjë e më shumë në nivelin e të ardhurave, shkallën e konsumit dhe specifikat kulturore e profesionale. Përkufizimet janë të larmishme. Sipas Observatorit të Pabarazive, klasa e mesme përfaqëson popullsinë e vendosur në intervalin mbi 30% të më të varfërve dhe nën 20% të më të pasurve. Sipas OCDE-së, klasa e mesme përfaqësohet nga persona që kanë një të ardhur që varion ndërmjet 75% – 200% të të ardhurave mesatare. Sipas Pew Research Center, që analizon strukturën sociale në SHBA, klasa e mesme karakterizohet nga personat që kanë një të ardhur që varion nga 66% – 200% të të ardhurave mesatare. Thomas Piketty vlerëson se në Francë “shtresë e mesme duhet të konsiderohen personat që kanë një të ardhur mesatare mujore prej 3000 euro/muaj, ndërsa në Gjermani, një familje me katër persona, që të konsiderohet e shtresës së mesme, duhet të ketë të ardhura mujore që variojnë nga 2100 euro në 7 mijë euro në muaj. Por, kjo ndarje apo klasifikim i shtresave sociale mbetet shumë relativ, duke reflektuar ndryshime të mëdha nga njëri vend në tjetrin. P.sh, për vendet e BE-së, në vitin 2018, shtresa e mesme varion në intervalin 1230 – 2300 euro/muaj të ardhura për person, 3350 – 5800 euro/muaj për një familje me dy të punësuar dhe dy fëmijë. Diferencat janë mjaft evidente kur krahasohen të ardhurat e shtresave të mesme ndërmjet vendeve me nivel të ndryshëm zhvillimi. P.sh., Luksemburgu, vend me “dysheme” të lartë për nivelin e varfërisë dhe “tavan” shumë të lartë për nivelin e pasurisë, ka një shtresë të mesme që është rreth 15-16 herë më e pasur se shtresa e mesme në Indi, Brazil, Paraguaj, Egjipt, Filipine, Taxhikistan apo Pakistan. Diferencimi shkaktohet edhe nga fakti se “tradicionalisht me të ardhura të mesme nënkuptohen individë apo familje që kanë të ardhura për të bërë një jetesë me mirëqenie, por jo luksi. Por, termi shtresë e mesme nënkupton njëkohësisht “siguri ekonomike”, gjë që në shumë vende nuk është e garantuar për shkak të faktorëve të tjerë”.
Si paraqitet situata e shtresës së mesme në Shqipëri ?
Duke u mbështetur në kriterin kryesor të përcaktimit të shtresës së mesme, kriterin e të ardhurave mesatare dhe shpërndarjen apo madhësinë e të ardhurave sipas individëve dhe familjeve, mund të bëhet një përllogaritje e përafërt e gjendjes dhe përqindjes së shtresës së mesme në Shqipëri, natyrisht relative për Shqipërinë dhe vështirësisht e krahasueshme me vendet e BE-së. Për këtë duhet të merren në konsideratë dhe tregues të tjerë, si “siguria ekonomike”, “barazimi i fuqisë blerëse”, “ndikimi i sistemit fiskal”, “niveli i pagës mesatare krahasuar me vendet e tjera”, sidomos ato të zhvilluara etj. Sipas revistës ‘Monitor’ (prill, 2019), “Paga mesatare në Shqipëri, prej rreth 50 mijë lekësh (gati 400 euro) është më e ulëta nga të gjitha vendet e rajonit. Më e larta është në Mal të Zi (765 euro), Serbi (644 euro), Maqedoni (591) dhe Kosova e parafundit (528 euro) … Duhet pasur parasysh se Shqipëria është një nga vendet që ka evazionin më të lartë në sigurimet shoqërore, çka nënkupton që pagat reale mund të jenë dhe më të larta…”. Nëse kalojmë nga referimi te pagat në referimin kundrejt “të ardhurave në tërësi”, të ardhurat mesatare janë akoma më të larta, sidomos si efekt i remitancave.
Duke iu referuar p.sh, kriterit të OCDE-së që klasa e mesme përfaqësohet nga persona që kanë një të ardhur që varion ndërmjet 75% – 200% të të ardhurave mesatare, rezulton se në Shqipëri në shtresën e mesme duhet të futen individët me paga në intervalin 38000 lekë – 150 000 lekë, të ndara në dy kategori : “Klasa e mesme e ulët” mund të përfshijë punonjësit me paga në intervalin 40000 – 95000 lekë/muaj, ndërsa “klasa e mesme e lartë”, punonjësit me paga në intervalin 95000 – 150 000 lekë në muaj. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT-it (shtator 2019 – dhe jo shifrave të dhjetorit 2019 apo qershorit 2020, mjaft të ndikuara nga situata e post-tërmetit të 26 nëndorit 2019 dhe pandemisë së COVID-19), rezulton se nga mbi 1,1 milionë të punësuar të raportuar si të punësuar, vetëm 4,4% e tyre paguajnë sigurime me paga më të larta se 120000 lekë. Sipas Pew Research (2014), në nivel global, bota ndahet në pesë kategori ose grupe duke iu referuar nivelit të të ardhurave: të varfër, ku përfshihet 15% e popullsisë globale; me të ardhura të ulëta, 56% e popullsisë; të ardhura mesatare, 13% e popullsisë; të ardhura mbi mesataren, 9% e popullsisë; të ardhura të larta, 7% e totalit. Nga kjo pikëpamje, Shqipëria rezulton të ketë përqindje ndjeshëm më të ulët të popullsisë së varfër; përqindje pak më të ulët të popullsisë me të ardhura të ulëta; përqindje më të lartë të popullsisë me të ardhura mesatare; përqindje më të ulët të popullsisë ose të të punësuarve me një pagë mbi mesataren; dhe përqindje të ulët në raport me pagat e larta. Nga mbi 1,15 milionë të punësuar që u raportuan si të punësuar nga INSTAT-i, vetëm 4,4% prej tyre paguajnë sigurime me paga më të larta se 120 mijë lekë.
Vetëm 50000 individë raportojnë se paguhen më shumë se 120000 lekë/muaj, grup ku bëjnë pjesë kryesisht disa funksionarë të lartë në administratën publike, entet dhe ndërmarrjet shtetërore, institucionet e pavarura buxhetore, drejtues e menaxherë të sektorit bankar e financiar, telekomunikacionit, të korporatave e ndërmarrjeve të mëdha të sektorit privat etj., që ofrojnë paga relativisht të larta. Referuar INSTAT-it (2019), 40.2% e të punësuarve (460174 persona) në Shqipëri paguajnë sigurime shoqërore deri në pagën 30000 lekë/muaj; 13,9% e të punësuarve (159115 persona) paguajnë sigurime shoqërore deri në pagën 40000 lekë/muaj; 38,2% e të punësuarve (437280 persona) paguajnë sigurime deri në pagën 95000 lekë, ndërkohë që më shumë se 50% e tyre paguajnë sigurime për paga nga 40000 – 60000 lekë/muaj; vetëm 4,4% e të punësuarve (50367 persona) paguajnë sigurime për paga më të larta se 120000 lekë/muaj. Në bazë të këtij klasifikimi, mbështetur në kriterin e OCDE-së, që bazohet në nivelin e të ardhurave, shtresa e mesme në Shqipëri, grupi me të ardhura të ulëta nën 40000 lekë/muaj zë mbi 54% të totalit të të punësuarve; shtresa e mesme e ulët për pagat në intervalin 40000 – 95000 lekë/muaj zë 38,2% (por me peshë të lartë specifike të të ardhurave në intervalin 40000 – 60000 lekë); ndërsa shtresa e mesme e lartë, zë afërsisht 5%; shtresa me paga të larta mbi 150000 lekë zë afërsisht 2,5-2,8% të të punësuarve.
Si mund të realizohet “rritja e shtresës së mesme”?
Duke pasur parasysh se shtresa e mesme e lartë zë vetëm 5% të të punësuarve, kryesisht disa funksionarë të lartë në administratën publike, entet dhe ndërmarrjet shtetërore, institucionet e pavarura buxhetore, drejtues e menaxherë të sektorit bankar e financiar, telekomunikacionit, të korporatave e ndërmarrjeve të mëdha të sektorit privat, sfida dhe objektivi thelbësor për rritjen e shtresës së mesme në Shqipëri mbetet rritja e përqindjes së të punësuarve me paga nga 40000 – 120000 lekë, veçanërisht rritja e përqindjes dhe numrit të të punësuarve me paga nga 60000 – 95000 lekë në muaj që përbëjnë dhe grupin kryesor të shtresës së mesme në përgjithësi.
Në radhë të parë duhet të kemi parasysh se niveli i pagave dhe struktura e madhësia e të ardhurave për cdo individ apo familje varet shumë dhe është në funksion të strukturës ekonomike të vendit, cilësisë dhe nivelit të produktivitetit në degë e sektorë të ndryshëm prodhues apo shërbimesh; nivelit të formimit profesional të punonjësve, nga politikat fiskale dhe madhësia e tatimeve e taksave që paguajnë shtresat e ndryshme të shoqërisë, specifikisht shtresa e mesme; politikat mbështetëse sociale dhe standardet e shërbimeve kryesore publike, si arsimi, shëndetësia etj.
Pa dyshim, “cilësia e vendeve të punës” që shpreh cilësinë e kapitalit të investuar dhe produktivitetit të tij mbetet faktori çelës që përcakton dhe nivelin e pagave të punonjësve të angazhuar në këto vende pune. Zgjerimi i sektorëve prodhues e shërbimeve që përdorin masivisht teknologjitë e reja moderne, inovacionet, digjitalizimin dhe inteligjencën artificiale; zgjerimi i sektorëve e degëve me vlerë të shtuar të lartë; zgjerimi i aktiviteteve me karakter industrial e shërbimeve cilësore; rritja e kualifikimit profesional në shkallë të gjerë e punonjësve për t’iu përgjigjur më mirë kërkesave dinamike të tregut të punës; rritja e vazhdueshme e pagës minimale; politikat e indeksimit të vazhdueshëm të pagave dhe rritja e tyre në sektorin publik, veçanërisht në administratën publike, arsim, shëndetësi etj.; politika specifike për lehtësimin fiskal të shtresave të mesme e të varfra; zgjerimi i politikave dhe masave të mbrojtjes sociale; i gjithë grupi i masave dhe politikave që ndikojnë pozitivisht në uljen e kostos së jetesës, çmimeve të produkteve bazë, banesave, karburanteve, transportit etj.; lehtësimi i aksesit në kredinë bankare dhe investime të ndryshme etj.
Polarizimi i shoqërisë si shkak kryesor i zvogëlimit të shtresës së mesme
Në nivel global, debatet e nxehta për vëmendje më të madhe ndaj gjendjes së shtresës së mesme janë intensifikuar veçanërisht këto dy dekadat e fundit. Shkaku kryesor i rikthimit të vëmendjes ndaj shtresës së mesme është rritja galopante e pabarazive sociale e ekonomike dhe e polarizimit ekstrem, të cilat arritën shifra rekord në 2-3 dekadat e fundit. Sipas OXFAM-it (2020), “2153 miliarderë në vende të ndryshme të botës zotërojnë një pasuri të barabartë me atë të 4,6 miliardë njerëzve… 22 njerëzit më të pasur të botës zotërojnë një pasuri më të madhe se gjithë popullsia femërore në Afrikë… 1% e njerëzve më të pasur zotërojnë 27% të rritjes ekonomike globale… vetëm 4% e të ardhurave fiskale në nivel global vjen nga tatimi mbi pasurinë etj.”
Jo vetëm në vendet e varfra, por edhe në shumicën e atyre të pasura, polarizimi i shoqërisë është evident dhe konsiderohet problem mjaft shqetësues. Por, si pasojë e strukturës ekonomike, nivelit të zhvillimit e produktivitetit të ekonomisë, politikave fiskale e sociale të aplikuara dhe, mbi të gjitha, vëmendjes politike e qeverisëse kushtuar kësaj çështjeje, në shumë vende të botës, veçanërisht në SHBA, Kanada, Japoni, vendet e BE-së etj., në vitet 1980-2000, shtresa e mesme njohu një rritje të ndjeshme si pasojë e një sërë masash e politikash specifike të adresuara për këtë qëllim: rritja e sektorit publik, shtimi i vendeve të punës dhe profesioneve që asociohen me shtresën e mesme, zvogëlimi i numrit të anëtarëve të një familjeje, ulja e ndjeshme e papunësisë, lehtësirat fiskale për shtresën e mesme etj. Por, në dy dekadat e fundit, veçanërisht mbas krizës financiare globale të vitit 2008, në shumicën dërrmuese të vendeve të botës, përfshirë dhe një pjesë të vendeve të mësipërme, vërehet tendenca e zvogëlimit të shtresës së mesme dhe e thellimit të polarizimit të shoqërisë. Shumë studime dedikuar këtij fenomeni evidentojnë një lidhje të ngushtë ndërmjet thellimit të pabarazive të të ardhurave dhe erozionit të shtresave të mesme. Këtë tendencë e konfirmojnë dhe një sërë raportesh të institucioneve ndërkombëtare, si FMN-ja, Banka Botërore, Organizata Botërore e Punës, OCDE-ja etj. Ky fenomen është akoma më evident në vendet ku shtresa e mesme zë një përqindje të vogël në raport me dy shtresat e tjera.
Aktualisht, përkufizimi dhe përcaktimet për klasën e mesme janë të ndryshme, duke u bazuar gjithnjë e më shumë në nivelin e të ardhurave, shkallën e konsumit dhe specifikat kulturore e profesionale. Përkufizimet janë të larmishme. Sipas Observatorit të Pabarazive, klasa e mesme përfaqëson popullsinë e vendosur në intervalin mbi 30% të më të varfërve dhe nën 20% të më të pasurve.
Vetëm 50000 individë raportojnë se paguhen më shumë se 120000 lekë/muaj, grup ku bëjnë pjesë kryesisht disa funksionarë të lartë në administratën publike, entet dhe ndërmarrjet shtetërore, institucionet e pavarura buxhetore, drejtues e menaxherë të sektorit bankar e financiar, telekomunikacionit, të korporatave e ndërmarrjeve të mëdha të sektorit privat etj. /Fjala.al