Flet për të parën herë, Elton Mema, djali i Fadil Memës, ish-oficerit shqiptar të vrarë me 7 plumba mesnatën e 13 marsit të vitit 2015 në Torino të Italisë.
Toni, siç i thërrasin të gjithë Eltonit, nëna, dy vëllezërit dhe dy motrat me fëmijët e tyre, që tashmë janë zhvendosur të gjithë në Itali me frikën e hakmarrjes, kanë qenë sot në varrin e tij në tre vjetorin e vrasjes, ende pa asnjë autor.
Djali i ish-oficerit akuzon hapur ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla si mbështetës të fisit Çapja në Elbasan. Dy fiset, Çapja dhe Mema, kanë prodhuar një seri vrasjesh që e kanë zanafillën që 13 vite më parë. Toni, përmend emra politikanësh që sipas tij i kanë dhënë ndihmë të vazhdueshme fisit Çapja.
Ndonëse jeton me frikën e hakmarrjes, djali i ish-oficerit ka shpresë se ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe kryeprokuorja e re Arta Marku do vendosin drejtësi e do arrestojnë autorët.
Elton Mema në newsbomb.al:Ja kush e ka mbështetur familjen Çapja
“Pavarësisht zhvillimeve në Shqipëri dhe konflikteve midis Prokurorisë dhe policisë së shtetit, përplasjeve ku haptazi njerëz në prokurori të mbështetur nga ish kryeprokurori Adriatik Llalla i cili ka qenë suporti kryesor i familjes Çapja, (xhaxhallarët e Adriatik Lallës Mustafa e Sadet Llalla kanë ndertuar dy vila trekatëshe ne truallin pronë e Çapjave) por edhe struktura të caktuara të policisë së shtetit dhe të interpol Tiranës (vlen të përmendet arrestimi i Nipit të Ardian Çapjas, Ambri Sinakoli bashkë me nipin e nëndrejtorit të interpolit Bulent Luniku duke shitur drogë në gjimnazet e Elbasanit shtatorin e kaluar, pavarësisht këtyre zhvillimeve dhe dhjetëra fakteve të tjera që provojnë se autore është familja Çapja e cila ka urdhëruar vrasjen pikërisht më 13 mars ne ditelindjen e Florenc Çapjas dhe policia nuk guxoi as t’i merrte në pyetje pasi ishin duke festuar ditën e verës në praninë e deputetit Taulant Balla më të cilin kanë lidhje krushqi pasi kushëriri i Taulantit (Ballës) është martuar me motrën e Florenc Çapjas.
Familja Çapja ka qenë vazhdimisht pa shkëputje nën suport politik, si nga PD me Aurel Bylykbashin, Lul Bashën të cilët kanë liruar nga burgu Florencin dhe shoferin e Aurelit, Fadili e ka rrahur gjatë fushatës së zgjedhjeve të 2005 sepse i kërcënuan djalin. Suport i tyre ka qenë edhe PS e përfaqësuar nga Taulant Balla, apo vijon të mbështetet nga LSI përfaqësuar nga Pjerin Xhuvani dhe së fundi nga Monika Kryemadhi“, akuzon politikanët Toni Mema ndërsa kujton edhe kohën kur i ati kandidoi për Aleancën Demokratike në vitin 2005.
Elton Mema në newsbomb.al: Vrasja e urdhëruar nga politika
Fati i keq i Fadilit dhe familjes tonë ndoshta ishte kandidimi në vitin 2005 për t’u bërë deputet si kandidat i Aleanca Demokratike në zonën e gabuar atë nr .54 përballë kandidatëve dhe fakti që ai u vra sapo mbushi 54 vjeç, është plot kuptim se është urdhëruar nga politika.
Pasi Fadili jo vetëm qe nuk ka qenë kurrë pjesë e grupeve kriminale në Elbasan por edhe në itali ai nuk kishte droje të takohej me njerëz që e njihnin, por është zgjedhur pikërisht kjo datë dhe ky vit për ekzekutimin e tij e urdhëruar nga familja Çapja.
Familja Mema kurrë nuk ka zhvilluar veprimtari te paligjshme por ka reputacionin e një familje të ndershme që jeton përmes punës, këtëe e tregoi edhe pjesëmarrja e qindra njerëzve në pervjetorin e tretë të vrasjes se tij , shumë miq e shokë lanë punët tyre për të perkujtuar Fadil Memën”, tregon i prekur për newsbomb.al djali i oficerit.
“Pavarësisht se deri tani hetimet janë penguar nga struktura të inkriminuara të shtetit shqiptar ne jemi besim plotë që ministria e rendit dhe prokuroria nën drejtimin e Zotit Fatmir Xhafaj dhe zonjës Arta Marku do të ndihmojnënë zbardhjen dhe vënien para ligjit të autorëve dhe urdhëruesve të vrasjes”, përmbyll me besim Toni Mema për newsbomb.al.
Fadil Mema babai i tre fëmijëve, 16, 21 dhe 29 vjeç, në zgjedhjet parlamentare të 2005 kishte qenë kandidat për deputet. Mema kishte qenë edhe më herët objektiv i një atentati, ku sërish dy persona e qëlluan atë në afërsi të shtëpisë duke e plagosur në këmbë. Në orët e para të mëngjesit të 13 marsit 2015, në Torino të Italisë, vrasësit që mendohet të kenë qenë dy, e kanë pritur të dalë nga banesa për të shkuar në punë dhe e kanë qëlluar me 14 plumba. 7 prej tyre kanë lënë të vdekur 54 vjeçarin i cili ishte përpjekur të fshihej brenda shtëpisë.
Si nisi historia e hakmarrjes mes fisit Çapja-Mema
-Përplasja me Fadil Memën dhe nipin
Edhe pse askush,nuk guxonte të përballej me Çapjat, një ish-shef qarkullimi rrugor në qytetin e Elbasanit i quajtur Fadil Mema, teksa bënte detyrën e tij ka ndaluar në 2005, njërin nga anëtarët e këtij fisi, Sokol Çapjan. Ky i fundit në atë kohë vetëm 33-vjeç, është ndaluar teksa udhëtonte me makinë. Mes Çapjat dhe Fadil Memës ka pasur një përplasje verbale dhe më pas palët janë ndarë pa probleme. Mirëpo ky sherr është transmetuar nga Fadili tek nipi i tij Dritan Sheme, i cili pas disa ditësh ka kërkuar të sqaroheshin me Sokol Çapjan. Nga sa mësohet takimi është bërë në diskon “Road Hause” që ndodhet afër konvikteve të universitet të Elbasanit. Pikërisht në këtë diskotekë Sheme dhe Çapja në vend që të sqaroheshin janë konfliktuar fizikisht me njëritjetrin, por ndërhyrja e truprojave të diskotekës ka sjellë ndarjen e palëve.
-Zënka në diskotekë e garancia e Memës
Dritan Sheme për këtë zënkë njofton dajën e tij në polici Fadil Memën dhe të afërmin Roland Rrexhepi, që atëherë drejtonte sektorin e drogës në policinë e Elbasanit. Fadil Mema, duke pasur njohje të vjetra me anëtarët e familjes Çapja dhe duke shfrytëzuar miqësinë me disa prej tyre hyn si negociator tek familja Çapja, për të shuar gjakrat. Palët bien dakort dhe japin besën që të mos vijohet më tej konflikti mes djemve të dy familjeve si Çapja ashtu dhe Mema. Mirëpo, pavarësisht kësaj Dritan Sheme, nipi i Fadilit ka njoftuar të afërmit e tjerë të fisit si Gentian Beqirin dhe Armando Hasanin. Besa e thyer dhe fillimi i vrasjeve Pa njoftuar Fadil Memën, i cili u kishte dhënë besën anëtarëve të familjes Çapja për shuarjen e konflikteve, tre personat e mësipërm të veshur me uniforma të zeza dhe të maskuar,janë paisur me automatikë “Skorpions”.
Në 26 dhjetor 2005 Sokol Çapja, ka qenë në lokalin “Acuario” në qytetin e Elbasanit i shoqëruar nga dy vajza Juliana Jolla e Marsela Beqo. Rreth orës 19:00, papritmas në lokal janë futur tre persona me maska, të armatosur e pasi kanë bërtitur “largohuni” janë drejtuar tek tavolina ku ishte viktima e kanë qëlluar atë me armë zjarri me breshëri e pasi viktima u rrëzua në tokë, ata u larguan me një makinë “Golf 3” në një rrugicë ku ndodhet “Tv Skampa”.
Viktima Sokol është ndihmuar nga Ermal Tafaj dhe Gentian Likrama që të dërgohej në Spitalin e Elbasanit, por ka gjetur vdekjen rrugës. Në vendin e ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale 22 gëzhoja e tre predha. Vrasja e Sokol Çapjas ka sjellë tërbimin e anëtarëve të fisit, kjo pasi ata kishin bërë një pakt me Fadil Memën.
Fillimisht për këtë ngjarje policia e Elbasanit ka arrestuar Gentian Beqirin,kjo pasi ai në tentativë për tu larguar ka kapërcyer një mur dhe ka thyer këmbët, duke mbetur i paralizuar. Dy vite më pasështë arrestuar Armando Hasani, i cili ishte kthyer nga Italia ku qëndronte i fshehur në një hotel.Për vrasjen e Sokol Çapjan janë proceduar penalisht Gentian Beqiri, Armando Hasani, ku ky i fundit është dënuar me 25 vjet burg dhe Beqiri me 18 vjet.Mirëpo në 21 nëntor të 2012 Gjykata e Lartë ka prishur vendimet e dënimit të tyre, duke rikthyer dosjen për rigjykim në Elbasan. Rikthimi i dosjes solli dhe mbarimin e afateve të paraburgimit, e për pasojë Beqiri e Hasani dolën nga burgu duke qëndruar në arrest shtëpie.Dosja është rigjykuar sërisht dhe Armando Hasani është dënuar me 25 vite burg, i cili është i vetmi që ndodhet në burg edhe pse ka fituar disa herë ulje dënimi. Dyautorët e tjerë të vrasjes janë vrarë nga Çapjat.
-Hakmarja e shpejtë e fisit Çapja
Edhe pse prokuroria e Elbasanit, në 2005 ngriti akuzë në mungesë për Dritan Shemen, nipin e Fadil Memës, ai nuk mundi të jetojë më shumë se tre muaj nga vrasja e Sokol Çapjas.Djemtë e fisit Çapja megjithë tronditjen e pësuar nga vrasja e Sokolit, mbajnë në mbikqyrje të plotë të dashurën e Dritan Shemes. Ata e gjurmojnë deri në Tiranë, ku konstatojnë se ajo hyn në një hotel. Pikërisht në këtë hotel kanë hyrë dhe vrasësit të cilët kanë ekzekutuar Dritan Shemen brenda dhomës së hotelit, duke e lënë të vdekur në vend. Për këtë ngjarje deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar dhe se dosja është pezulluar.
-Sulmi i parë mbi Fadil Memën
Ende pa u shuar jehona e vrasjes së Dritan Shemes, nipit të Fadil Memës,ky i fundit besohet se ka kërkuar pajtim me Çapjat por ata kanë refuzuar. Çapjat sulmojnë në vitin 2006 Fadil Memën, teksa po hynte në banesën e tij, që ndodhet afër doganës së Elbasanit. Autorët e kanë qëlluar, por vetëm një plumb në këmbë e ka plagosur. Për këtë krim, prokuroria arrestoi Florenc Çapjan dhe një person tjetër, por ata janë liruar për mungesë provash. Për këtë ngjarje deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar dhe se dosja është pezulluar.
-Vrasja e kunatit të Fadil Memës
Edhe pse Çapjat ishin kundërpërgjigjur shumë shpejt duke marrë hak, ata kanë vijuar me serinë e vrasjeve mbi miqtë e Fadil Memës. Në pamundësi për të vrarë ish-efektivin e policisë, Çapjat kanë ekzekutuar disa vite më pas kunatin e tij Ardjan Ibrahimin. Ky i fundit është qëlluar brenda autoshkollës së Fadil Memës me disa plumba. Për këtë ngjarje deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar nga drejtësia dhe se dosja është pezulluar.
-Vrasja e vetë Fadil Memës
Në orët e para të mëngjesit të 13 marsit 2015 vrasësit e kanë pritur të dalë nga banesa për të shkuar në punë dhe e kanë qëlluar me 14 plumba. 7 prej tyre kanë lënë të vdekur 54 vjeçarin , me dy diploma një në Shkenca Politike dhe një në inxhinieri, ndonëse ai ishte përpjekur të fshihej duke hyrë brenda në shtëpi. Nga të shtënat janë dëmtuar edhe makinat që ndodheshin të parkuara aty pranë.