Një 41-vjeçar nga Vlora është arrestuar nga policia, pasi kishte përdorur një kartëmonedhë false për të rimbushur makinën e tij.
Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme, në një pikë karburanti përgjatë autostradës Levan-Vlorë, ku drejtuesi i një automjeti tip “Audi”, i ka dhënë punonjësit të karburantit kartëmonedhën me prerje 100 euro.
Pas hetimeve të kryera nga ana e Seksionit të Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare pranë Policisë së Vlorës, ka rezultuar se kjo kartëmonedhë dyshohet të jetë e falsifikuar.
Në vijim të veprimeve proceduriale, Policia ka bërë identifikimin, kapjen dhe arrestimin e drejtuesit të mjetit dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të 41-vjeçarit E.P., banues në Vlorë.
Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”.