Pasditen e sotme, në Portin e Durrësit janë sekuestruar 6.5 kg lëndë narkotike, e dyshuar kokainë. Në kuadër të operacionit policor të koduar ”Rada”, Task Forca e përbërë nga Policia Kufitare, ka ushtruar kontroll në 10 konetjnerët e kompanisë “Alba Exotic Fruit”. Nga kontrolli i imtësishëm, në njërën prej kontejnerëve u zbuluan 6.5 kg kokainë.
”Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.
Njoftimi i plotë
Vijon operacioni policor i koduar “Rada”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën trafikimit të lëndëve narkotike.
Në kuadër të operacionit “Rada” të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritetet doganore të Portit u gjetën dhe u sekuestruan 11 kg e 675 gr. lëndë narkotike kokainë, dhe veprimeve hetimore të kryera më datë 17.07.2021, ku në Port u konstatuan të hapur dy kapakë të njërit prej kontenierëve për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar pasditen e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada” pasditen e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit është ushtruar kontroll i imtësishëm në 10 kontenierë për llogari të kësaj kompanie, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm, në një nga kontenierët u gjetën dhe u sekuestruan 6.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e një grupi të posaçëm prokurorësh të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe të SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës, shtetasi E. D.
Kokainë në kontejnerët “Alba Exotic Fruit”, edhe dy herë të tjera
Kjo është hera e tretë që autoritetet policore zbulojnë kokainë, të fshehur në në kontejnerët “Alba Exotic Fruit”. Vetëm pak ditë më parë, konkretisht më 13 korrik, ushtruan kontroll në kontejnerë, nga ku u sekuestruan 11 kg e 675 gr kokainë. Për këtë rast, u arrestua në flagrancë menaxheri i firmës, si dhe administratori.
Në vitin 2019 , u realizua një megaoperacion në portin e Pireut në Greqi. Në kontejnerët e kësaj kompanie, u zbulua një sasi e madhe prej 137 kg kokainë, e cila vinte nga Ekuadori. Kjo kompani është me seli në Kombinat, Tiranë, dhe operon në treg që nga viti 2011, ndërsa pronarë të saj janë Eduart Dauti dhe Barjon Gumeni.