Partia Demokratike ka nisur procesin e konsultimit për kandidatët për deputetë. Në një njoftim për shtyp, selia blu thekson se janë 1700 individë që janë propozuar nga më shumë se 23 mijë qytetarë në aplikacionin online të faqes së PD-së.
“Afro 1700 individë janë propozuar nga më shumë se 27 mijë qytetarë në aplikacionin online, në faqen zyrtare të PD-së dhe afro 1500 propozime kanë ardhur nga baza demokrate gjatë një procesi që zgjati 3 muaj dhe përfundoi pak para protestës së opozitës më 18 shkurt”, thekson PD.
Kreu i kësaj force politike Lulzim Basha ka përzgjedhur edhe grupin që do të merret me analizimin e kandidatëve potencialë për zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas Bashës, anëtarët e grupit të punës janë jashtë konfliktit të interesit në qarqet ku janë përcaktuar dhe në rast kandidimi të ndonjërit prej tyre në këto qarqe nuk do të lejohet të garojë në qarkun ku është angazhuar aktualisht.
“Kryetari i Partisë Demokratike ka ngritur një grup pune i cili prej dje ka nisur punën në terren në kontakte me strukturat e PD-së dhe me faktorët e komunitetit për të siguruar të dhëna sa më objektive rreth kandidatëve potencialë të PD-së. Ky proces synon evidentimin e kandidatëve me përfaqësues në baze të integritetit, aftësive dhe reputacionit të tyre në komunitet. Anëtarët e grupit të punës janë përcaktuar jashtë konfliktit të interesit, dhe se në rast kandidimi, asnjëri prej tyre nuk do të garojë në qarkun ku janë angazhuar këto ditë në këtë proces”, përfundon njoftimin Partia Demokratike.
Përbërja dhe ndarja e grupit të punës sipas qarqeve:
- Shkodër: Edi Paloka
- Lezhë: Arben Ristani
- Kukës: Dhurata Cupi
- Dibër: Ervin Salianji
- Durrës: Florjon Mima
- Elbasan: Albana Vokshi
- Fier: Flamur Noka
- Berat: Tritan Shehu
- Korçë: Edmond Spaho
- Vlorë: Grida Duma
- Gjirokastër: Gent Strazimiri
- Tiranë: Aldo Bumçi