Nga Jacob Heilbrunn “National Interest”
Në vitin 1960 Xhon Kenedi fitoi votën popullore me 0.2 për qind përballë Riçard Niksonit. Zgjedhjet ishin të kontestuara. Pati shumë pikëpyetje në lidhje me votimin në Ilinois dhe Teksas, me zërat e shumtë se kryebashkiaku i Çikagos Riçard Dalej dhe senatori Lindon Xhonson, ishin direkt të përfshirë në mbushjen e kutive të votimit.
Por Niksoni vendosi në fund të mos e kontestonte rezultatin. Ai e pranoi humbjen më 9 nëntor të atij viti, duke deklaruar se “vendi ynë nuk mundet të përballojë agoninë e një krize kushtetuese”. Por kjo gjë ndodhi 60 vite më parë. Ndërkohë, presidenti aktual Donald Trump, nuk hezitoi që të shpallë fitoren që në orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit.
Nga Salla Lindore e Shtëpisë së Bardhë, ai këmbënguli në ndërprerjen e çdo lloj numërimi të mëtejshëm të votave:”Ky është një mashtrim ndaj publikut amerikan. Ky është një turp për vendin tonë. Ne po bëheshim gati të kremtonim fitoren në këto zgjedhje. Sinqerisht, ne i fituam këto zgjedhje”.
Por kjo sjellje nuk duhet të cilësohet si një surprizë. Trump e kishte lidhur vazhdimisht fushatën e tij me pretendimin paraprak, se do kishte “zgjedhje të manipuluara”. Trump do të mobilizojë ekipin e tij të avokatëve për të tentuar të ndalë numërimin, ndërsa Bajden do të bëjë përpjekjet e tij për ta vazhduar atë.
“Numërimi nuk do të ndalet. Ai do të vazhdojë, derisa të numërohet çdo votë e hedhur siç duhet. Pasi kështu thonë ligjet tona, ligjet që mbrojnë të drejtën kushtetuese e çdo të amerikanëve për të votuar”– tha menaxheri i fushatës së Bajden Xhen O’Mallej Dilon.
Por një gjë është e sigurt:pavarësisht nëse do të fitojë apo humbë në këto zgjedhje, strategjia e fushatës së Trump ka rezultuar fituese. Kritikët e tij thanë se mesazhi polarizues i Trumpit, do të ishte një lloj bumerangu për të. Në fakt nuk ndodhi kështu.
Edhe pse disa rezultate nuk kanë dalë ende, fakt është që performanca e Trumpit dhe Partisë Republikanë në këto zgjedhje, duket të jetë mjaft mbresëlënëse. Ka një bazë solide votuesish të bardhë në zonat rurale, të cilët e kanë mbështetur Trumpin në dy zgjedhje të njëpasnjëshme.
Ndarja fshat-qytet në SHBA, duket më e fortë se kurrë më parë. Ndërkohë “muri jugor” i republikanëve, duket se ka rezistuar. Demokratët shpresonin që të merrnin Floridën. Nuk patën asnjë shans. Votuesit latinë dhe ata afro-amerikanë i shtuan votat tyre pro Trumpit.
Po “muri blu” i demokratëve? Trump e dërrmoi atë në vitin 2016. Bajden ruan një epërsi në disa shtete kyçe. Por Trump shpreson Gjykata e Lartë të ndalë numërimin në shtete të ndryshme.
Siç vëren Rachel Bucchino, zgjedhjet mund të vendosen në një sallë gjyqi. Nëse Bajden arrin një fitore të ngushtë në Kolegjin Elektoral duke marrë Uiskonsinin, Miçiganin dhe Pensilvaninë, ai do të hasë në vështirësi të mëdha që në fillim të presidencës së tij.
Nuk ka asnjë fitore të pastër për partinë Demokratike. Përkundrazi. Ndërkohë nëse zgjedhjet i fiton Donald Trumpi, ai do të bëhet padyshim një nga presidentët më të rëndësishëm të historinë amerikane. Ndikimi i tij në reformimin e qeverisë, gjyqësorit dhe politikës së jashtme do të jetë i madh.
Nëse fiton Xho Bajden, edhe ky ka shumë të ngjarë të ketë të njëjtin efekt. Nëse fiton Trump, ai do të humbasë sërish votën popullore. Kushdo që të bëhet president, rezultati më i mundshëm është një vazhdim i pamëshirshëm i polarizimit të asaj që e ka goditur rëndë Amerikën gjatë dekadës së fundit. Këto zgjedhje nuk shënojnë aspak fundin e grindjeve në Amerikë. Përkundrazi, është vetëm fillimi.
Burimi i lajmit: https://nationalinterest.org/blog/2020-election/donald-trump%E2%80%99s-reelection-strategy-was-real-winner-last-night-171935
Përshtatur nga TIRANA TODAY