Nga: Jochen Bittner “The New York Times”
Britania e Madhe u largua të premten nga Bashkimin Evropian. Pas disa dekadash zgjerimi të qëndrueshëm, unioni do të humbasë anëtaren e saj të parë. Po çfarë mund të bëhet për të parandaluar përçarjen e mëtejshme të Evropës?
Presidenti francez Emanuel Makron, ka bërë thirrje për një konferencë të pashembullt mbi të ardhmen e Evropës, detajet e së cilës Komisioni Evropian i përcaktoi javës që shkoi. Synimi është të lejojmë një debat të hapur, gjithëpërfshirës dhe transparent. Dhe këtu ja ku është ajo që mund të mos pritet aq mirë në Bruksel: Bëjeni BE-në më fleksibël.
Ose shiheni atë teksa shpërbëhet. Po pse kjo zgjedhje radikale? Sepse pyetja themelore dhe e bezdisshme për bllokun – cilat janë avantazhet e një unioni 27-anëtarësh, mbi një shtet të vetëm kombëtar? – nuk është zhdukur vetëm sepse britanikët i janë përgjigjur asaj për veten e tyre.
Krizat e euros dhe emigracionit, kanë hedhur hije dyshimi mbi premtimin themelor të unionit, sipas të cilit bashkimi i sovranitetit individual, do të sjellë një sovranitet më të madh për të gjithë anëtarët e klubit. Të paktën në pjesën lindore të kontinentit, gjithnjë e më shumë evropianë duan më pak Evropë.
Mbështetja për partitë e djathta populiste në rajon, tregon se dashuria për Perëndimin është shndërruar në një zhgënjim. Në vitin 2016, Ministri i Jashtëm i Polonisë, Vitold Vazikovski, u ankua për “25 vjet indoktrinim të majtë dhe liberal”.
Në vitin 2017, Maria Shmid, një nga intelektualet e preferuara nga kryeministri hungarez Viktor Orban, kritikoi ashpër “Willkommenskultur”, idenë e kancelares Angela Merkel, se Evropa duhet të mirëpresë emigrantët e sapoardhur.
Dhe kjo përçarje nuk ka kaluar, pjesërisht sepse evropianët e fuqishëm perëndimorë, si Merkel apo Macron, nuk duket se shqetësohen shumë për kritikët e tyre në Varshavë, Budapest apo Pragë.
Demagogjia e Lindjes, po përballet me neglizhencën e Perëndimit. Tragjikisht, kjo është përsëritje e një gabimi të bërë në vitet para referendumit mbi Brexit. Kur i pyeta diplomatët gjermanë në vitin 2014, si reaguan ndaj kritikave mbi BE-në nga kryeministri i Britanisë, Dejvid Kameron, ata më thanë se ishin ulur me homologët e tyre britanikë në “seanca terapie”.
Mendimi se vetë Bashkimi Evropian, mund të ketë gjithashtu nevojë për terapi, as që nuk u shkoi ndërmend. Por për çfarë lloj terapie ka nevojë BE? Le të provojmë së pari të bëjmë një analizë të shkurtër. Ish-kancelari gjerman Helmut Shmid, thoshte se blloku ishte bërë shumë i madh, për të bashkuar me sukses interesat e të gjithë anëtarëve të tij.
Kur BE përbëhej nga 6 vende, vendimmarrja ishte e lehtë. Kur u zgjerua në 12 anëtarë, u bë më e vështirë. Sot, me gati 30 anëtarë, BE e ka kaluar kufirin e të qenit funksional. Cila është arsyeja pse duhet një “kurë”, që të adresojë rrënjën e problemit:zgjedhja e vjetëruar “anëtar ose jo anëtar”.
Sot një vend evropian, ose mund të jetë një shtet anëtar i BE-së me të drejta të plota votimi, dhe që pritet të marrë pjesë në të gjitha përpjekjet për integrimin e mëtejshëm. Ose nuk mund të jetë fare anëtar. Në vend se t’i përmbahet zgjedhjes ”gjithçka ose asgjë”, Evropa duhet të lejojë një anëtarësim më fleksibël.
Ose të përdorë një term të urryer në Bruksel – marrëveshjet “a la carte”- në vend të menusë së plotë, pak nga kjo, dhe pak nga ajo gjëja tjetër. Për shembull, një vend do të donte të merrte pjesë në më shumë integrime ushtarake, por të qëndrojë jashtë eurozonës. E pse jo?
Dhe pse të mos jesh anëtar i tregut të përbashkët, pa qenë e nevojshme të pajtohesh me politikën e BE-së mbi azilin? Sigurisht që ka gjëra që s’mund të zgjidhen, siç është pjesëmarrja në vetë tregun e përbashkët, dhe detyrimi për t’iu përmbajtur “4 lirive” të tij – të mallrave, shërbimeve, kapitalit dhe njerëzve.
Për shembull, Zvicra dhe Norvegjia nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian, por janë pjesë e tregut të përbashkët të bllokut. Ata nuk janë të përfshira në politika të caktuara, për shembull mbi bujqësinë dhe peshkimin, dhe natyrisht nuk kanë asnjë zë për çështjet politike.
Pra nëse shtetet pranojnë disa kushte të paprekshme, atëherë ato duhet të jenë të lira të abstenojnë nga politika të caktuara, që i konsiderojnë disavantazhuese për veten e tyre.
Thuhet shpesh se kjo gjë është në kundërshtim me idenë e klubit, në të cilin të drejtat korrespondojnë detyrimisht me detyrat. Por a do të dëshironit t’i bashkoheshit një klubi që do t’ju lejojë të luani tenis, vetëm nëse regjistroheni edhe për boks, peshkim, dhe një kurs gatimi?
Një “Ekip i Bashkimit Evropian”, i përbërë nga koalicione të ndryshme të vullnetshme, mund të prodhojë më shumë vëmendje, sesa një koalicion i madh i me gjysmë vullneti.
Kjo gjë do të sillte edhe përfitime strategjike: Anëtarësimi fleksibël, do të lejonte një qasje më të mirë ndaj shteteve të Ballkanit Perëndimor. Për sa kohë që ato nuk i plotësojnë kriteret e anëtarësimit, mund të lidhen më ngushtë me tregun e përbashkët, duke i penguar të bien pre e ndikimit të Rusisë dhe Kinës.
Për më tepër, një union me alternativa, mund të krijojë rrugë për të riintegruar Britaninë, nëse opinioni publik mbi Brexit do të ndryshojë një ditë. Sigurisht, kjo reformë radikale bart edhe rreziqet e veta. Por ka ndërkohë jo pak rreziqe, edhe nga të mosbërit asgjë.
TIRANA TODAY