Nga: Xhezair Zaganjori
24 tetori është dita e OKB-së. Në këtë ditë të shënuar, 75 vjet më parë hyri në fuqi Karta e kësaj organizate shumë të rëndësishme ndërkombëtare, synimet madhore të së cilës kanë qenë dhe mbeten ruajtja e paqes dhe sigurisë globale, zhvillimi i marrëdhënieve miqësore mes popujve, mbrojtja e të drejtave dhe lirive themelore si dhe nxitja e bashkëpunimit ndërmjet shteteve për përballimin dhe zgjidhjen e problemeve me natyrë ekonomike, shoqërore, kulturore apo humanitare (neni 1 i Kartës).
Kremtimi i këtij përvjetori qe krijon mundësinë për të bërë bilancin e arritjeve dhe për të përcaktuar sa më qartë dhe sa më mirë detyrat e bashkësisë ndërkombëtare për përballimin e sfidave të kohës, ka filluar me Konferencën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së organizuar me 21 shtator 2020, pra rreth një muaj më parë, me titullin apo moton kryesore “E ardhmja që Ne duam, OKB për të cilën kemi nevojë: Duke afirmuar angazhimin e përbashkët për Multilateralizëm”. Në këtë kuadër, në takimin plenar të kësaj konference, zhvilluar kryesisht online për shkak të Pandemisë, Kryetarë të shteteve dhe të Qeverive të shteteve anëtare dhe të ftuar të tjerë prekën çështje shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me paqen dhe sigurinë; krijimin e një bote më të drejtë, më të shëndetshme e më të begatë për të gjithë; ndërtimin e institucioneve më të forta në nivel kombëtar e ndërkombëtar, përfshirë këtu edhe reformimin e OKB-së, e të tjerë. Vëmendje e veçantë ju kushtua gjithashtu edhe kujdesit më të madh ndaj mendimit dhe kërkesave të brezit të ri.
Konferenca e 21 shtatorit miratoi në fund të punimeve edhe një deklaratë politike, në të cilën u paraqitën problemet dhe rekomandimet lidhur me “ përcaktimin dhe avancimin e axhendës së përbashkët të OKB-së për përballimin me sukses të sfidave aktuale dhe të së ardhmes”. Mes tyre pa dyshim që janë çështjet e paqes e sigurisë në rajone të ndryshme të botës; përballimi me sukses i Pandemisë Covid 19; ndryshimet dramatike të klimës dhe mbrojtja e ambientit; lufta kundër diskriminimit dhe pabarazive për shkak të gjinisë, racës, besimit, kombësisë apo bindjeve politike; garantimi i një zhvillimi të qëndrueshëm edhe në shtete e rajone të ndryshme të globit, e të tjerë. Për këtë qëllim, Konferenca ka mandatuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres për të qenë në kontakt të vazhdueshëm dhe për të koordinuar bashkëpunimin me shtetet anëtare dhe me institucionet e mekanizmat kryesore të kësaj organizate. Është më se e qartë që përballimi i problemeve, realizimi i objektivave dhe garantimi i suksesit të reformave kërkon tashmë një nivel krejtësisht të ri lidershipi në planin kombëtar si dhe një bashkëpunim sa më efektiv në atë global.
Në fakt, ideja e krijimit të institucioneve të përbashkëta në nivel botëror e ka origjinën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte Presidenti i shquar amerikan Woodrow Willson ai që për herë të parë, me projektin e tij të mahnitshëm me 14 pika në shërbim të paqes së qëndrueshme mes shteteve, projektoi mes të tjerave që me fillimin e Luftës së Parë Botërore krijimin e Lidhjes së Kombeve.
Përmes saj synohej shmangja e luftrave dhe zbatimi i rregullave e parimeve të shtetit të së drejtës edhe në nivel ndërkombëtar, si parakushte të domosdoshme për të bërë realitet ëndrrën e Immanuel Kantit “Për një Paqe të Përjetshme” në botë.
Realizimi i këtij projekti nga Konferenca e Paqes së Parisit në vitin 1920, do të shënonte fillimin e një epoke të re në marrëdhëniet ndërkombëtare, pavarësisht dobësive që shfaqi Lidhja e Kombeve sidomos në dekadën e dytë të funksionimit të saj, duke e ndjerë veten të pafuqishme për të reaguar siç duhet veçanërisht ndaj politikave agresive dhe pushtuese të Japonisë, fashizmit italian e nazizmit gjerman.
Pikërisht për këto arsye, do të ishte Presidenti tjetër i shquar amerikan Franklin Roosevelt, që me një kujdes e vizion të jashtëzakonshëm, do të paraqiste në Departamentin e Shtetit që në vitin 1939 një projekt të ri për organizatën botërore, i cili merrte parasysh si sukseset ashtu edhe dështimet e Lidhjes së Kombeve. Ideja qendrore e këtij projekti të ri ishte që fuqitë kryesore të kohës, Kina, Bashkimi Sovjetik, Britania e Madhe dhe ShBA duhet të merrnin më shumë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për garantimin e paqes dhe të sigurisë në botë, duke disponuar për këtë qëllim, në rast nevoje dhe me konsensus të përbashkët, edhe forca të armatosura.
Kjo ide do të qartësohej edhe më shumë pas sulmit të pabesë të avionëve bombardues japoneze ndaj luftanijeve amerikane në Pearl Harbour (Hawai) me 7 dhjetor të vitit 1941. Pak ditë më vonë ShBA do ti jepnin fund asnjanësisë, duke i shpallur luftë Japonisë. Mbi këtë bazë, në janar 1942, me nismën amerikane do të nënshkruhej në Uashington Deklarata e Kombeve të Bashkuara, përmes së cilës, 26 shtete aleate betoheshin për të luftuar deri në fund Fuqitë e Boshtit Romë – Berlin – Tokio. Siç shihet, për herë të parë bëhet fjalë për Kombet e Bashkuara, si një bashkësi shtetesh që synojnë luftën pa kompromis ndaj së keqes dhe krijimin e një rendi të ri botëror. Megjithatë, krijimi i OKB do të kalonte më pas në filtrin e vështirë të debateve e kompromiseve mes përfaqësuesve më të lartë të Fuqive Aleate në Konferencat e Moskës dhe të Teheranit në vitin 1943, në Konferencën e Dumbarton Oaksit (lagje në Washington) të vitit 1944, në Konferencën e Jaltës të shkurtit të vitit 1945 dhe në Konferencën e San Franciskos të prillit të vitit 1945, e cila ishte edhe konferenca përmbyllëse, pasi punimet e saj nxorën produktin kryesor, Kartën e OKB-së, si instrumentin më të mire e me madhor të paqes ndërkombëtare, pasi krijonte shpresë e besim real për nxitjen e mirëkuptimit mes shteteve dhe zhvillimin e qëndrueshëm për të gjithë njerëzimin.
Ratifikimi i këtij dokumenti të rëndësishëm nga 5 të mëdhenjtë dhe shumica e vendeve pjesëmarrëse në Konferencën e San Franciskos do të çonte në krijimin de jure të OKB me 24 tetor 1945. Presidenti Roosevelt nuk e përjetoi këtë zhvillim spektakolarre që projektoi e realizoi vetë hap pas hapi, deri në Konferencën e Jaltës në shkurt 1945, në të cilën mori pjesë serish edhe personalisht, duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe jetën e tij për shkak të sëmundjes së rëndë. Por duhej patjetër të merrte pjesë në Jaltë, për të bindur Stalinin për çështjen kryesore të formatimit dhe kompetencave kryesore të Këshillit të Sigurimit, ku përveç katër Fuqive të Mëdha të përmendura më sipër (Kinë, Bashkim Sovjetik, Britani dhe ShBA), ishte përfshirë tashmë edhe Franca, si e vetmja përfaqësuese e Europës kontinentale. Vetëm pas rreth një muaji e gjysmë nga ky takim, ne fillim te prillit 1945, Presidenti Roosevelt do të ndërronte jetë. Në intervistën e tij të fundit për New Yok Times ai do të theksonte ndër të tjera se “të gjitha energjitë dhe shpresat e mia ……. janë vënë në shërbim të krijimit të kësaj organizate ndërkombëtare”. Por pavarësisht kësaj humbjeje të rëndë, ky ideal do të çohej deri në fund nga pasardhësi i tij, Presidenti Harry Truman, i cili nënshkroi edhe dokumentet përkatëse të anëtarësisë së ShBA në këtë organizatë, përfshirë këtu edhe vetë Kartën e OKB. Si e tillë, Karta nuk është vetëm një traktat ndërkombëtar shumëpalësh që përcakton të drejtat dhe detyrat e shteteve anëtare, por është njëkohësisht edhe Kushtetuta e OKB, sepse ajo përshkruan qartësisht dhe me hollësi përbërjen, funksionet dhe kompetencat e organeve e mekanizmave të saj, përfshirë ketu gjithashtu edhe dimensionin e vlerave, qe jane parimet e organizimit dhe mbrojtjen se të drejtave njerëzore. Politikani amerikan John Foster Dallas, i cili do të bëhej më vonë Sekretar Shteti, do ta cilësonte Kartën si “ Një Magna Karta të shkëlqyer”, ndërsa senatori republikan Arthur Vandenberg si “Një Deklaratë emancipuese për të gjithë njerëzimin”.
Seanca e parë e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u mbajt me 17 janar të vitit 1946 në Londër. Vetëm pas dy muajsh, selia e OKB-së do të vendosej përfundimisht në New York. Nga viti 1952, godina qendrore e saj është “ndërtesa e kristaltë” 39 katëshe në Manhattan, pranë East River. Skulptura kryesore e vendosur aktualisht në sheshin pranë hyrjes së godinës simbolizon mjaft bukur punën dhe veprimtarinë e OKB-së. Një pistoletë e stërmadhe, në grykën e së cilës është e lidhur nyje një litar. Jo dhunës, OKB është e angazhuar për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Skulptura e bronztë është punuar në fakt nga artisti suedez Carl Reutersward në kujtim të shokut dhe idhullit të tij John Lennon, kompozitorit dhe këngëtarit legjendar të grupit te mirenjohur “Bitells”, vrarë pranë Central Park të New Yorkut në dhjetorin e vitit 1980. Kjo skulpturë i është dhuruar OKB nga Luksemburgu në vitin 1988.
Pavarësisht problemeve dhe vështirësive të shumta të imponuara kryesisht nga tensionet apo mosmarrëveshjet në kuadër të Luftës së Ftohtë apo mes shteteve të ndryshme, OKB ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ajo është rritur nga dekada në dekadë, duke realizuar detyra dhe objektiva që askush nuk mund ti bënte e ndoshta as edhe ti mendonte më parë. Ajo ka ndërhyrë energjikisht për shuarjen sa më parë të konflikteve apo parandalimin e luftërave në shtete e rajone të ndryshme të botës si dhe ka koordinuar luftën kundër terrorizmit dhe dënimin e krimeve veçanërisht të rënda në nivel kombëtar e ndërkombëtar. Ka dërguar forca paqeruajtëse në Kongo, Sierra Leone, Haiti, Etiopi, Qipro, Liban, Timorin Lindor, Bosnjë, e të tjerë. Administratorët e saj kanë ndihmuar në krijimin dhe funksionimin e institucioneve të reja shtetërore dhe në rindërtimin e vendit në periudhën post – konfliktuale në Afganistan apo duke vepruar si autoritet sovran në Kosovë nga viti 1999 deri në vitin 2008. Komisioni e më pas, nga viti 2006 Këshilli i të Drejtave të Njeriut, janë përpjekur gjithnjë e më shumë të kontribuojnë në mbrojtjen sa më efektive të të drejtave dhe lirive themelore. Komisioneri i Lartë për Refugjatët është dashur të angazhohet në ndihmë të miliona e miliona njerëzve të shpërngulur forcërisht apo jashtë vullnetit të tyre për shkak të përndjekjes apo konflikteve të armatosura. Institucionet dhe 15 agjencitë e specializuara të OKB-së kanë dhënë dhe japin ndihmë të pakursyer për popullsinë e vendeve të varfra e të pazhvilluara, e të tjerë.
Sidoqoftë, ritheksojmë se stadi i ri, angazhimet e shumta dhe problemet e mëdha që përjeton bota sot kërkojnë gjetjen e zgjidhjeve më të plota, më efektive e më të shpejta edhe në planin global, detyra që nuk mund ti realizojë askush më mirë sesa OKB. Por përballimi i tyre kërkon edhe reforma më të mëdha brenda vetë kësaj organizate. Aq më tepër që marrëdhëniet ndërkombëtare, situata e balancat globale, proceset integruese e demokratizuese si dhe interesat gjeopolitike janë shumë më të ndryshme se sa 75 vjet më parë. Mes të tjerave kërkohet reformimi i Këshillit të Sigurimit si organ kryesor përgjegjës për garantimin e paqes dhe të sigurisë ndërkombëtare si dhe forcimi i legjitimitetit të vendimmarrjes së organeve të OKB, duke futur në sistemin e saj edhe një Parlament apo Asamble Parlamentare, si përfaqësuese e drejtpërdrejtë e zërit dhe interesave të qytetarëve në nivel botëror. Me të drejtë mendohet që në këtë mënyrë fitohet një tribunë e rëndësishme politike ndërkombëtare, përmes së cilës do të mund të përcillet më mirë vullneti i shteteve dhe qytetarëve të tyre. Padyshim objektiva ambiciozë, shumë të rëndësishëm por njëkohësisht edhe mjaft të vështirë për tu realizuar në praktikë.
Pa hyrë në hollësi, mund te thuhet se prej rreth dy dekadave kërkohet të gjenden formula të reja për një përfaqësim më të gjerë, vendimmarrje më të shpejtë dhe funksionim më racional të Këshillit të Sigurimit. Aktualisht ai vazhdon të përbëhet nga 15 shtete anëtare, 5 prej të cilëve, siç kemi theksuar, janë të përhershëm dhe kanë të drejtën e vetos në vendimmarrje, ndërsa 10 te tjerët zgjidhen me rotacion rajonal për një periudhë dy vjeçare. Një nga variantet e propozimeve të reja bën fjalë për një Këshill Sigurimi me 24 anëtarë, prej të cilëve 5 të përhershëm e me të drejtë vetoje, ashtu si gjithnjë, ndërsa 19 anëtarë me rotacion, 8 prej tyre me rotacion 4 vjeçar ndërsa 11 me rotacion 2 vjeçar. Propozimi tjetër bën fjalë sërish për një Këshill Sigurimi me 24 anëtarë, prej të cilëve 11 anëtarë të përhershëm, por vetëm 5 prej tyre me të drejtë vetoje (ato që janë që nga viti 1945), ndërsa 13 të tjerët me rotacion për një periudhë dy vjeçare. Brenda këtij propozimi flitet gjithashtu edhe për mundësinë e marrjes së vendimeve me shumicë të cilësuar edhe brenda vetë anëtarëve të përhershëm, gjë që duket mjaft e vështirë për tu pranuar, pavarësisht se do të krijonte lehtësi në trajtimin e zgjidhjen e çështjeve apo situatave te renda nga ky Këshill. Si kandidatë të mundshëm për anëtarësi të përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së shihen Japonia, India, Gjermania, Italia, Brazili, e të tjerë. Franca ka insistuar gjithnjë që në rastin e adoptimit të kësaj formule, si anëtar i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të ishte të paktën edhe një shtet nga Afrika. Sidoqoftë, prej vitesh këto projekte kanë mbetur në sirtar, sepse anëtarët e përhershëm ekzistues nuk e kanë të lehtë të binden për nevojën e këtyre ndryshimeve.
Lidhur me ndryshimin e dytë madhor, krijimin e një Parlamenti Botëror në kuadër të OKB-së, duhet të theksohet se mendimi për përfaqësimin e drejtpërdrejtë të njerëzve të thjeshtë në forumet ndërkombëtare i ka rrënjët që në periudhën antike. Ky mendim do të kristalizohej më mirë veçanërisht në periudhën e Rilindjes Europiane. Sen Simoni do ti dërgonte Kongresit të Vjenës projektin e tij për paqen në Europë, në qendër të të cilit duhet të ishte krijimi i një mekanizmi ku do të përfaqësoheshin parlamentet kryesore të Europës, veçanërisht ai i Britanisë dhe Francës, e më pas edhe ai i Gjermanisë. Johann Baptist Sartorius do të shkruante që në vitin 1837 mbi idenë e krijimit të një “Republike Popullore të Njerëzimit”, në të cilën, procesi ligjvënës do të bëhej nga një parlament i veçantë i zgjedhur përmes kolegjeve zgjedhore në shtete e rajone të ndryshme të botës. George Jellinek shkruante që në fillim të shekullit të 19 se përfaqësimi parlamentar duhet të jetë pjesa më e rëndësishme e krijimit të një rendi të ri ndërkombëtar. Edhe projekti fillestar i Presidentit Willson për krijimin e Lidhjes së Kombeve parashikonte krijimin në këtë kuadër të një Parlamenti Botëror, në të cilin do të përfaqësoheshin në fillim anëtarë të parlamenteve kombëtare, duke krijuar një lloj të veçantë Konfederate mes shteteve. Kjo ide u konsiderua si shumë e avancuar, ndaj shumë shpejt i la vendin mendimit për përfaqësimin në nivel qeveritar duke krijuar një Lidhje mes shteteve, pra Lidhjen e Kombeve. Me këtë formulë është krijuar e funksionon edhe përfaqësimi në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së.
Prandaj, vitet e fundit, organizata e shoqata të shumta të shoqërisë civile kudo në botë bëjnë thirrje për krijimin e mundësive që edhe qytetarëve tu krijohet mundësia për të qenë më aktivë në procesin vendimmarrës mbi çështjet me natyrë globale. Propozohen formula e zgjidhje të ndryshme, por padyshim që forumi më i përshtatshëm për vënien në jetë të kësaj ideje është OKB, ndërsa si model përmendet shpesh organizimi dhe funksionimi i Parlamentit Europian. Fillimisht do të kërkohej konsensusi i gjerë i shteteve anëtare në OKB, për të bërë të mundur amendimin e Kartës së kësaj organizate, bazuar në nenin 108 të saj, i cili kërkon për këtë qëllim të paktën votën e dy të tretave të anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, përfshirë këtu edhe të gjithë (pesë) anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Ky mekanizëm i ri parlamentar në kuadër të OKB mund te ishte si organ më vete, ose mund të funksiononte për një periudhë të caktuar kohe si organ ndihmës i Asamblesë së Përgjithshme, ashtu siç parashikohet shprehimisht edhe në nenin 22 të Kartës. Deputetët e Parlamentit Botëror mund të zgjidheshin nga parlamentet e shteteve anëtare në OKB, ose në mënyrë të pavarur prej tyre, që do të thotë direkt nga qytetarët. Sigurisht që shoqërisë civile e qytetarëve do tu jepej mundësia për të qenë më aktive në rastin e dytë, e nga ana tjetër, edhe Parlamenti Botëror do të ishte më i pavarur nga parlamentet kombëtare. Për më tepër, zgjedhja e drejtpërdrejtë popullore do të nxiste dukshëm edhe proceset demokratike dhe transparencën në vendimmarrje edhe vendet me regjime totalitare apo autokratike.
Nga ana tjetër, në një rast të tillë, zgjedhja e deputetëve duhej të bëhej përmes një formule të veçantë përfaqësimi, me kufij minimale e maksimale te përcaktuar mire, ashtu siç veprohet për Parlamentin Europian. Madje në mënyrë më drastike, pasi përsa i përket numrit të popullsisë, pabarazitë në shtete e rajone të ndryshme të globit janë jashtëzakonisht të mëdha. Mjafton të përmendet se Kina ka aktualisht gati dyfishin e popullsisë të të gjithë kontinentit Europian me më shume se 40 shtete.
Sidoqoftë, këto janë detaje që do të duhet të merren në konsideratë në momentin e duhur. E rëndësishme është forcimi institucional i OKB-së, duke e bërë atë më efektive dhe më pranë interesave të qytetarëve të të gjithë botës. Një nismë e tillë është mbështetur me rezolutë të veçantë të miratuar në vitin 2018 edhe nga Parlamenti Europian, duke theksuar ndër të tjera se krijimi i një Parlamenti Botëror në kuadër të OKB..”do të rriste karakterin dhe përgjegjshmërinë demokratike si dhe transparencën e qeverisjes globale, duke garantuar njëkohësisht gjithashtu edhe një pjesëmarrje më të mirë qytetare në veprimtarinë e OKB”. Ëndrra është e bukur, por natyrisht jo e lehtë për tu realizuar. Varet nga shumë e shumë faktorë. Sa më e madhe të jetë familja, aq më e vështirë bëhet vendimmarrja dhe vetë procesi demokratik. Gjithsesi shpresohet që këto ide të mos mbeten thjeshtë utopi. /Gazeta Liberale