Krisje në koalicion? Hoti-Haradinaj përplasen për Task-Forcën anti-korrupsion

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, që është partneri kryesor i kryeministrit Avdullah Hoti, ka dalur kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për shuarjen e Task-Forcës anti-korrupsion.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Haradinaj ka thënë se shkarkimi i kësaj force shkakton pasiguri juridike, pasi e njëjta ka hetuar dhe po hetonte raste të profilit të lartë.

“Puna e tyre ka treguar që askush nuk është i paprekshëm nga drejtësia. Normalisht ka pasur shumë gjëra të përmirësohen dhe kjo task-forcë të fuqizohet, qoftë nga rishikimi funksional ose nga rekomandimet e partnerëve strategjik si SHBA-ja dhe BE-ja”, ka shkruar Haradinaj.

Por, i menjëhershëm ishte reagimi kryeministrit Avdullah Hoti.

Hoti tha se qeveria është e vendosur për të forcuar rendin ligjor dhe se ‘siguria juridike garantohet vetëm duke respektuar Kushtetutën, ligjet dhe institucionet shtetërore’.