Ish-deputeti i PD, Agron Shehaj, ka ftuar të gjithë qytetarët që t’iu bashkohen protestës së opozitës së bashkuar, si e vetmja mundësi për të ardhmen e fëmijëve. Ai shkruan në statusin e radhës në Facebook se shteti i dalë nga këto vota, punon për krimin dhe jo për qytetarët.
Ndaj, e vetmja mënyrë për të dalë nga kjo krizë, është që qytetarët të ngrenë zërin e tyre. Ish-deputeti thotë më tej se në kushtet kur krimi kap shtetin, rrënohet ekonomia dhe mirëqenia e njerëzve.
Statusi
Nesër në protestë duhet të dalin të gjithë qytetarët, sepse protestojmë për mundësitë dhe të ardhmen e gjithsecilit.
Siç tregon bashkëpunimi kriminal Dako-Avdylaj, kur krimi blen vota për politikanët, shteti i dalë nga këto vota, punon për krimin dhe jo për qytetarët. Kur krimi kap shtetin ai fillon e rrëmben pronat, rrëmben mundësitë, merr kontratat publike, merr monopolet ekonomike. Kështu rrënohet ekonomia dhe mirëqenia e njerëzve, sepse krimi nuk hap vende pune, krimi nuk krijon mundësi, krimi nuk lejon hapësirë për investimet e huaja apo ato të ndershme.
Prandaj, ata që nuk duan që e vetmja mundësi për fëmijët e tyre të jetë puna në bizneset e krimit, duhet të ngrenë zërin sot. Bashkohuni me ne nesër në protestë, si prindër të shqetësuar për fëmijët tanë, si të rinj të shqetësuar për të ardhmen e tyre, si profesionistë që duan të punojnë ndershmërisht, si sipërmarrës që duan mundësi të ndershme.