Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, paralajmëron se pandemia e koronavirusit nuk është as afër fundit.
Gjatë një fjalimi për mediat, Ghebreyesus tha se pavarësisht përparimeve që disa shtete mund të kenë pasur, ritmi i pandemisë është duke u përshpejtuar.
“Ndonëse shumë shtete kanë shënuar përparim në nivel global, ritmi i pandemisë është duke u përshpejtuar. Bota do të ketë nevojë për më shumë durim dhe zemërgjerësi në muajt vijues”, tha ai.
Sipas kreut të OBSH-së, pandemia ka nxjerrë në pah më të mirën dhe më të keqen e njerëzimit, duke cituar aktet e solidaritetit, por edhe ato të dezinformatave dhe tentimeve për politizim të koronavirusit.
Këto komente kanë ardhur një ditë pasi OBSH-ja ka raportuar për një tjetër rekord të ri të numrit të të prekurve me koronavirus në 24 orë, plot 189,000 raste.