Një video e shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale është bërë kryefjalë e situatës në Hong Kong.
Në video duket se si policia arreston me forcë një vajzë 12-vjeçare, familja e së cilës thotë se u kap në një turmë proteste ndërsa po blinte pajisje arti.
Oficerët kërkonin të rrethonin një grup njerëzish, përfshirë vajzën e re, e cila u mënjanua dhe u përpoq të ikte. Një oficer e rrëzoi atë në tokë, ndërsa disa të tjerë ndihmuan për ta ulur poshtë.
Më shumë policë të forcave speciale shfaqen, duke mbajtur në tokë vajzën dhe vëllain e saj, i cili ishte përpjekur ta ndihmonte.
Dy të miturit u dërguan më vonë në spital për dëmtime të lehta. Ata u gjobitën për shkeljen e rregullave të distancimit shoqëror që ndalojnë mbledhjet e më shumë se dy personave.