Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Zegjine Sollaku u përball të enjten me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, kur gjatë seancës dëgjimore u evidentuan mungesa financiare për pasurinë.
Gjyqtarja u mbrojt në seancë nga bashkëshorti i saj avokat, ish-kryeprokurori Theodhori Sollaku, i cili i kundërshtoi gjetjet e KPK-së për pasurinë.
Zegjine Sollaku ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë dhe ka punuar si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës në vitet 1992-2003. Prej vitit 2003, ajo e ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Procesi i saj i vetingut po kryhet nga trupa e drejtuar nga Xhensila Pine, me relator Lulzim Hamitaj dhe anëtarë Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Francesco Ciardi.
Gjatë relatimit u konstatuan pasaktësi në deklarime dhe mungesa të burimeve financiare në vlerën e 7 milionë lekëve. Sollaku u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës si dhe nuk u konstatuan probleme domthënëse në kriterin profesional.
Avokati Theodhori Sollaku deklaroi në fillim të seancës se do ta përfaqësonte ai bashkëshoten e tij, gjyqtaren Zegjine Sollaku.
“Ashtu si ka rezultuar edhe nga hetimi administrativ, të gjitha transaksionet financiare janë kryer nga ana ime,” tha ai, ndërsa shtoi se bashkëshortja kishte qenë e fokusuar tek detyra e saj.
Mungesat financiare
Gjatë seancës dëgjimore u relatuan pamundësi financiare për të justifikuar investimet e kryera në blerjen e gjashtë apartamenteve dhe të një autoveture. Ndërkohë, për një apartament dhe një shëpi private në Fier të trashëguar nga vjehrri i subjektit dhe një makinë tjetër ka rezultuar se bashkëshortët Sollaku kanë pasur burime të mjaftueshme financiare.
Avokati Sollaku i kundërshtoi balancat negative të Komisionit. Ai paraqiti një përmbledhje të bilanceve të të ardhurave dhe shpenzimeve të tij që nga viti 1991 e në vijim, duke pretenduar se kishte pasur burime të mjaftueshme dhe të ligjshme për krijimin e pasurive.
Ai kërkoi që të konsideroheshin dietat e përfituara nga udhëtimet jashtë shtetit në vitet 1991-1992 e në vazhdim, duke argumentuar se ato kishin qenë dhjetëra herë më të larta se pagat mujore që përfitonte atëherë si këshilltar i Presidentit.
“Për shkak të pozicioneve që kam pasur në periudhën 1992-1997, kemi pasur udhëtime të shpeshta jashtë shtetit në cilësinë e ekspertit dhe jemi paguar,” pretendoi Sollaku.
Gjithashtu, ai kërkoi që të përfshiheshin të ardhurat për periudhën 1990-1992, kur tha se kishte punuar si pedagog dhe si avokat. Ai pohoi se kishte gjetur si prova një çështje që kishte përfaqësuar në atë periudhë dhe procesverbalin për marjen në provim të 1000 studentëve.
Sollaku këmbënguli se kishte vërtetuar edhe punësimin si këshilltar i jashtëm në një bankë, duke pretenduar se për periudhën 1996-2001 ishte paguar me 200 mijë dhrahmi në muaj. Lidhur me pamundësinë e gjetjes së dokumentacionit për periudhën 1996-1999, Sollaku kërkoi që të merrej në konsiderat pamundësia objektive për t’i siguruar ato dokumente.
Gjithashtu, ai kërkoi që të merreshin në konsideratë edhe pagesat në tre universitete private. Sollaku deklaroi se me të padrejtë nuk ishin konsideruar të ardhurat nga puna si pedagog dhe këshilltar në ish-Universitetin Kristal, duke argumentuar se kishte vërtetuar se pagat ishin dorëzuar në llogari bankare, megjithëse nuk kishte pasur kontratë të nënshkruar për punësimin.
Për pamundësinë e burimeve financiare në shumën 950 mijë lekë për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 84 m2 në Tiranë në vitin 1995 nga Enti Kombëtar i Banesave, Sollaku këmbënguli se për shlyerjen e çmimit të kësaj pasurie kishin shërbyer të ardhurat e përfituara nga shitja e një apartamenti në Fier në vitin 1995.
Edhe pse Komisioni konstatoi se kontrata e shit-blerjes së apartamentit në Fier është e vitit 1998 dhe nuk mund të ketë shërbyer për blerjen e një apartamentit në Tiranë tre vite më parë, Sollaku pretendoi se shitja de facto ishte kryer në ’95-ën.
Për një apartament me sipërfaqe 195 m2 + garazh 22 m2 në Tiranë në vitin 2003 është deklaruar pagesa e shumës 60 mijë euro. Si burim për këtë pagesë janë deklaruar një kredi në shumën 25 mijë USD dhe 35 mijë euro kursime. Sollaku ka shpjeguar se kursimet ishin krijuar nga pagat e bashkëshortit, kryesisht ato të përfituara si këshilltar në një bankë për periudhën 1996-2001.
Hamitaj tha se një prej pagesave ishte kryer nga babai i subjektit dhe për këtë arsye është konsideruar si person tjetër i lidhur. Nga hetimi ka rezultuar se babai i subjektit nuk ka pasur mundësi financiare për pagesën e këstit të parë 30 mijë euro, pasi ka rezultuar me balancë negative në shumën 2.2 milionë lekë. Gjithashtu, kanë rezultuar pamundësi financiare edhe për pagesat e këstit të tretë dhe të katërt, respektivisisht në shumat 1.1 milion lekë dhe 1.6 milion lekë.
Avokati Sollaku tha se vjehrri ishte konsideruar me të padejtë si person tjetër i lidhur, pasi ata i kishin dhënë shtëpinë ku rrinin vetë në këmbim të apartamentit që ai kishte prenotuar dhe kishte kryer pagesën.
Sollaku e kundërshtoi edhe gjetjen tjetër të Komisionit se vlera e shitjes së një trualli në Golem në vitin 2007 kundrejt çmimit 127 mijë euro, i deklaruar si burim për blerjen e një apartamenti 140 m2 + një garazh, ishte disa herë më i madh se çmimi i blerjes prej 10 mijë USD në vitin 2000.
Sollaku tha se kur ishte blerë, trualli kishte qenë tokë arë dhe se kishte vendosur ta zhvillonte dhe ishte dakordësuar me një shoqëri ndërtimi. Ai tha se çmimi i shitjes përfaqësonte pjesën takuese në objektin e ndërtuar nga shoqëria dhe se ishin dakordësuar të shlyhej në vlerë monetare.
Hamitaj tha se mungesë burimesh është konstatuar edhe për blerjen e dy apartamenteve dhe tre garazheve në vitin 2010 kundrejt shumës 300 mijë euro. Sipas relatorit, subjekti ka deklaruar si burime dy kredi, një në shumën 200 mijë euro dhe tjetrën në vlerën 139 mijë euro.
Komisioni konstaton se subjekti nuk ka specifikuar në deklarime një hua në shumën 100 mijë euro të marrë në vitin 2010, që ka shërbyer për pagesën e një pjese të vlerës së këtyre pasurive. Hamitaj tha se duket se huadhënësi nuk ka pasur mundësinë për kursimin e vlerës 100 mijë euro në momentin e transaksionit, megjithëse Sollaku ia ka kthyer këtë vlerë pasi është disbursuar kredia.
Sollaku deklaroi se kishte arritur të siguronte deklarimin DIVA të shoqërisë së administruar nga huadhnësi, prej nga rezultonte se kishte pasur 30 milionë lekë të ardhura në atë periudhë. Ai shtoi se huadhënia nuk ishte deklaruar, pasi ishte marrë dhe shlyer brenda vitit.
Nga analiza financiare paraprake ka rezultuar pamundësi në shumën 1.7 milionë lekë për një apartament me sipërfaqe 70 m2 në Kavajë të porositur në vitin 2009 me vlerën 3 milionë lekë.
Avokati Sollaku tha se të ardhurat për krijimin e kësaj pasurie janë të ligjshme dhe se duhet të përfshihen në analizën financiare. Ai shtoi se nëse do të konsiderohej gjendja cash, balanca negative do të mbetej në shumën 349 mijë lekë
Po ashtu është konstatuar pamundësi në shumën 2.6 milionë lekë për pagesën e vlerës 30 mijë euro për një apartament + verandë në vitin 2013. Sollaku shpjegoi se kishte pasur njohje me ndërtuesin, por pasi kishte shkuar për të parë apartamentin, kishte konstatuar se nuk ishte ai që pasqyrohej në kontratë dhe kishte kërkuar revokimin.
Bashkëshortët Sollaku kanë rezultuar në pamundësi financiare edhe për blerjen e një autoveture tip Citroen në vitin 2009 për shumën 30 mijë euro. Si burim krijimi për këtë pasuri është deklaruar shuma e përfituar nga shitja e truallit në Golem.
Nga hetimi ka rezultuar se subjekti ka shitur një apartament në vitin 2005 në Fier kundrejt shumës 45 mijë USD, që e kishte blerë dy vite më parë në shumën 1.9 milion lekë.
Komisioni nuk ka konsideruar si burim vlerën 45 mijë euro të përfituar nga shitja e apartamentit në 2005-ën, për blerjen e një apartamenti tjetër në vitin 2007 në Golem, pasi ka rezultuar se nuk është deklaruar gjendje cash në vitet 2005 dhe 2006.
Hamitaj shpjegoi në seancë se nisur nga ky konstatim, nuk është konsideruar në analizën financiare shuma e përfituar nga shitja e apartamentit në Golem në vitin 2016.
Komisioni nuk evidentoi mungesa burimesh për një apartament të blerë në Sarandë dhe një shtëpi + truall në Fier të dhuruar nga vjehrri i gjyqtares.
Sa i përket kriterit të pasurisë, relatori Hamitaj pohoi se subjekti i rivlerësimit kishte dorëzuar prova dhe shpjegime voluminoze, të cilat do të vlerësoheshin përpara vendimarrjes përfundimtare.
Në seancë u relatua për 58 denoncime nga publike për gjyqtaren Zegjine Sollaku, njëzet prej të cilave ishin depozituar nga i njëjti person. Sipas Hamitajt, mes denoncimeve nuk ishin gjetur indicie që mund të sjellin pasoja në vlerësimin profesional –për të cilin u konstatuan vonesa në fillimin e seancave apo dorëzimin e vendimeve.
Në fund të fjalës së tij, avokati Theodhori Sollaku deklaroi se provat dhe shpjegimet e dorëzuara krijonin bindjen se pasuritë ishin krijuar me burime të ligjshme dhe se subjekti i rivlerësimit duhet të konfirmohej në detyrë. KPK njoftoi se seanca e radhës do të mbahej më 8 korrik, ora 09:30./BIRN