Kryeministri Edi Rama ka dalë në një komunikim live me qytetarët ku edhe do të shpalosë planin financiar për situatën e krijuar nga koronavirusi.
Kreu i qeverisë i bën thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, pasi kjo është e vetmja mënyrë për ta luftuar këtë koronavirus.
Rama thekson se askush nuk e di se kur do përfundojë kjo situatë, teksa shton se ekonomia do të bjerë në pikiatë në muajt e ardhshëm.
“Shtete u kapën të gjithë gafil të paditur nën agresionin e një virusi të panjohur. Si Shqipëria, Amerika, Kosova, Gjermania gjenden në të njëjtën anije në det të hapur dhe kanë armë rezistencën e popullit të tyre. Një armë që ka vetëm një fishek, imunitetin popullor.
Kjo është e para luftë ku kazerma e ushtrisë është shtëpia dhe çdo ushtar duhet të mbyllet në shtëpi. Kjo është një luftë botërore ku secili është më vete dhe zoti është i vetmi që mbetet për të gjithë. Në këtë luftë kemi vetëm njëri-tjetrin.
Në Shqipëri, qeveria, unë që jam në krye të kësaj pune në këtë kohë të mallkuar jemi të dobët sa të gjithë.
Nuk e dimë kur do të vijë dita e çlirimit, por të gjithë e dinë se nuk do vijë as javën tjetër as pas dy javësh. Ju dua shumë dhe ju ndjej si njerëzit e shtëpisë sime, por mos më kërkoni t’ju shes iluzione.
Shtrëngoni dhëmbët kur shpirti iu dhemb për të dalë dhe ndajeni mendjen që kjo luftë nuk i ka dhënë askujt lejen për të ndenjur në shtëpi, të hani të pini dhe të merrni njësoj sikur të ishit në punë”, tha ai.