Deri në pranverën e vitit 1915, Lufta e Parë Botërore kishte shpërndarë trupat e copëtuara të mijëra burrave dhe djemve fushave, dikur të harlisura me bar në Ipre të Belgjikës. Shumë nga kufomat dergjeshin në ujin e ndotur të gropave të hapura nga bombardimet.
Ushtarët e asaj lufte luftuan dhe vdiqën në një lloj ferri, që nuk mund ta kishte imagjinuar asnjë brez i mëhershëm. Në anën gjermane të kësaj shfaqje makabre ishte Fric Haber. Shtatshkurtër, tullac, ai vështronte përtej fushës së betejës armiqtë e vendit të tij britanikët, francezët.
I mbështjellë me një pallto leshi, për të përballuar freskun e asaj mbrëmje prilli, kimisti gjermano-hebre po përgatisje nisjen e një sulmi të veçantë. Përpara tij ndodheshin 6.000 shishe metalike që përmbanin “shpikjen” e tij.
Në orën 6 të mbrëmjes, era kishte nisur të frynte në drejtimin e frontit armik. Me cigaren në gojë që varej nga mustaqet e tij të shkurtra, ai dha sinjalin: “Zoti do ta ndëshkojë Anglinë!”. Bombardimet e artilerisë pushuan. Valvulat e shisheve u hapën. 168 ton gaz klorin u lëshuan në ajër.
Një mjegull e verdhë në të gjelbër gati 5 metra e lartë, nisi të qarkullojë në hapësirën midis 2 fronteve midis kufomave të dekompozuara dhe ulërimave të njerëzve të plagosur. Gjethet nisën të tkurren në degët e tyre, sapo ranë në kontakt me gazin. Bari mori menjëherë ngjyrën e metalit. Qindra zogj ranë menjëherë nga qielli. Kishte nisur Operacioni “Dezinfektimi”. Trupat aleate e panë me kurreshtje afrimin e këtij gazi. I mbartur nga flladi i erës, ai mori ngjyrën rozë në prag të perëndimit të diellit. Nëse do largoheshin me vrap, gazi mund të shmangej. Por askush nuk vrapoi. Pasi askush nuk e kishte parë më parë diçka të tillë.
Gazi mbushi me shpejtësi llogoret dhe mushkëritë e tyre. Dhimbja e fortë i gjunjëzoi ushtarët. Ata nisën të kishin konvulsione nga dhimbjet, dhe të kolliteshin duke përshtyrë gjak. Në fund vdiqën. Të tmerruar, shumë ushtarë aleatë vrapuan të largoheshin, duke braktisur të paktën 6 km nga vija e frontit.
Kur trupat aleate rifituan pozicionet e tyre, ata gjetën mbi 6000 burra të vdekur, me fytyrat e tyre të nxira, dhe këmishët e shqyera si pasojë e një nevoje dëshpëruese për të marrë frymë. Ky ishte plani i Fric Haber. Ai kishte dalë vullnetar për përdorimin e asaj arme të tmerrshme. Ai i shkroi komandës së lartë gjermane, duke ia sugjeruar atë.
Dhe nuk u tërhoq as pas kundërshtimit të gjeneralëve, që thanë se përdorimi i armëve kimike do të shkelte Konventat e Hagës mbi luftën. Tre vjet më vonë, Haber fitoi Çmimin Nobel për Kimi. Para zbulimit të tmerrshëm të Fric Haber, shkencëtarët besonin se raca njerëzore do të arrinte në 1.5 miliardë banorë, dhe më pas do të përballej me një uri masive.
Fric Haber kaloi në ekstremin tjetër, duke zgjidhur një nga problemet më të mëdha me të cilat përballet njerëzimi ndonjëherë: Si të ushqehej bota. Ishte një arritje monumentale për një hebre nga Breslau. Fric Haber lindi më 9 dhjetor 1868. Si djalë i një tregtari, ai kishte ambiciet më të mëdha se sa ofronte jeta e atij qyteti të vogël.
I shkolluar fillimisht në Breslau, ai nisi të kishte që hershëm interes mbi kiminë, dhe e ndoqi këtë pasion deri në universitet. Në vitin 1890 Haber, u bë profesor i kimisë dhe elektrokimisë në Institutin e Teknologjisë në Karlsruhe. Atë vit, u njoh dhe u dashurua me gruan e tij të ardhshme, Klara Imervar.
Ndërkohë, Fric Haber ishte duke punuar për zgjidhjen e një krize, që shqetësonte seriozisht Gjermaninë në fund të viteve 1800. Vendi kishte mundësi për të ushqyer 30 milionë njerëz. Por pa një mënyrë për të shtuar të korrat, 20 milionë qytetarë të tjerë do të përballeshin me urinë. Zgjidhja e këtij problem, ishte shumë e thjeshtë. Në vitet 1840, Justus Von Liebig, identifikoi azotin si thelbësor për shtimin e të korrave. Dhe azoti është një element që gjendet shumë lehtë. 4.000 trilion ton gaz azoti, përbëjnë gati 80 për qind të atmosferës sonë. Përtej atmosferës sonë, ai është elementi i pestë më i bollshëm në univers.
Por deri atëherë nuk kishte asnjë mënyrë për ta nxjerrë atë nga ajri. Në fillimin e shekullit XX-të, Fric Haber kuptoi se si mund të prishte lidhjet e azotit. Pasi e futi ajrin në një rezervuar të madh prej hekuri nën nxehtësi dhe në një presion ekstrem, ai shtoi atje hidrogjen. Kjo prishte atomet e azotit, ndërsa secili prej tyre lidhej me 3 atome hidrogjeni, duke formuar amoniak.
Nga rezervuari dilte pleh i lëngshëm, që mund të hidhej në tokë për të shtuar të korrat. Në vitin 1909, ai e bëri publike zbulimin e tij. 100 milionë ton pleh sintetik prodhohen çdo vit me këtë metodë. Për mbi 7 miliardë njerëzit që popullojnë sot Tokën, gjysma e azotit në trupin tuaj vjen nga ‘Metoda Haber’. Ajo është ndoshta zbulimi më i madh shkencor në histori.
Pasi ndaloi luftërat, ushqeu fëmijët, dhe solli epokën tonë moderne. Kjo ishte ëndrra e Fric Haber. Ndonëse ishte hebre, ai e donte shumë edhe vendin e tij të lindjes. Gjatë Luftës së Parë Botërore, gjermanët nisën të pësojnë humbje të mëdha. Gjërat për Gjermaninë, u përkeqësuan me bllokadën detare të aleatëve, që ndërpreu furnizimin e vendit me materiale të papërpunuara, që ishin jetike për prodhimin e municioneve.
Haber tejet patriot, u ofrua vullnetar në luftë. Ai e dinte që mund të ndihmonte ushtrinë. Në letër, u shpjegoi ushtarakëve se duke e përmbysur reacionin kimik, që ai përdorte për të garantuar jetën e njerëzve përmes të korrave të bollshme, mund të krijonte një armë të tmerrshme plasëe.
Zbulimi i Haberit dhe fabrikat e mëdha të amoniakut, ndihmuan në zgjatjen e luftës me 3 vjet.
Por një furnizim i qëndrueshëm me predha, nuk do të çonte në fitoren e Gjermanisë. Forcat aleate kishin të njëjtat armë, dhe shumë më tepër ushtarë. Ndaj Haber bëri një sugjerim tjetër. Amoniakut që distilohej përmes ajrit, mund t’i shtohej klor, për të prodhuar një gaz asfiksues.
E dëshpëruar për të dalë nga ngërçi në frontin e luftës, komanda e lartë gjermane e pranoi sugjerimin e tij. Bashkëshortja e tij, Klara, një pacifiste e bindur, u tmerrua nga ideja e të shoqit. Eksplozivi që ai prodhonte ishte i tmerrshëm. Por gazi helmues, kishte vrarë tashmë trupat gjermane gjatë provave. Por Fric ishte kundërpërgjigjur: “Në kohë paqeje, një shkencëtar i përket botës, por në kohë lufte, ai i përket vetëm vendit të tij”.
Pas vrasjes së mbi 5 mijë ushtarëve armiq në front me gazin helmues, Fric u rrikthye në shtëpi për të kaluar disa ditë me familjen e tij në Berlin. Më 1 maj, ai organizoi një darkë në vilën e tij, në ndërim të suksesit që kishte pasur. Por Klara nuk ishte në humor për të festuar.
Gjatë mbrëmjes ajo u debatoi ashpër me të, dhe i tha se ai ishte moralisht i vdekur. Se ajo që po bënte ishte monstruoze. Por Haber e injoroi.
I rrethuar nga shokët që lavdëronin aktet e tij atdhetare, ai nuk pa asgjë të keqe në shërbimin ndaj vendit të tij. Atë natë, kur Fric ishte në gjumë, Klara e tronditur rrëmbeu revolverin e tij doli jashtë në kopsht, dhe e qëlloi veten në gjoks. Ajo u gjet duke dhënë frymën e fundit nga djali i saj 13-vjeçar.
Të nesërmen në mëngjes, Haber u kthye sërish në fron për të drejtuar sulme të tjera me gazin helmues. Djali i tij Herman mbeti vetëm, për t’u marrë me funeralin e nënës së tij. Në fund të viteve 1930 ai emigroi në SHBA, ku më vonë do të vriste veten. Haber do të përndiqej deri në fund të luftës, nga vdekja tragjike e gruas së tij.
Ndërkohë më 11 nëntor 1918, lufta mbaroi. Gjermania u mund. Miliona ushtarë u rrikthyen në shtëpitë e tyre. Mbi 100 mijë njerëz kishin vdekur nga sulmet me gaz helmues nga të dyja palët, dhe 1 milionë të tjerë ishin plagosur. Miliona të tjerë u vranë nga eksplozivët e prodhuar në fabrikat e municioneve të ngritura nga Haber.
Bashkë me shumë gjermanë të tjerë, Haber u ndje i poshtëruar nga fakti që vendi i tij e kishte humbur luftën, dhe u zemërua me dëmshpërblimet shkatërruese që kërkuan aleatet. Kur nazistët erdhën në pushtet në vitin 1993, jeta për kimistin e njohur u bë edhe më e vështirë.
I pushuar nga puna, Haber u largua nga Gjermania. Ai brodhi nëpër Evropë, duke gjetur më në fund punë si profesor në Universitetin e Kembrixhit në Angli. Por shumë shpejt nisi të sulmohet nga britanikët, që bashkë me francezët e konsideronin një kriminel të neveritshëm lufte.
Ai nisi të sillet sërish andej-këndej nëpër Evropë, teksa shëndeti i tij po përkeqësohej. Gjatë rrugës për në Zvicër për t’u shtruar në një sanatorium, përsoi një sulm fatal në zemër. Fric Haber vdiq i vetmuar në një hotel në vitin 1934. Në fundin e jetës së tij, ai u pendua për përdorimin e mendjes dhe talentit të tij për të zhvilluar luftëra.
Një tjetër nga shpikje e tij ishte gazi helmues ziklon, të cilën nazistët e përdorën masivisht në dhomat e gazit në kampet e përqendrimit, për të vrarë mbi 6 milionë njerëz. Historianët janë ende sot të ndarë në 2 kampe mbi vlerësimin e figurës së tij.
Pa të miliarda njerëz nuk do të ekzistonin. E megjithatë pa të, Lufta e Parë Botërore do të kishte përfunduar vite më parë. Miliona njerëzve do t’i ishte kursyer një vdekje e tmerrshme. Miliona të tjerëve një jetë plot dhimbje për familjarët e humbur.
TIRANA TODAY