Të tjera detaje kanë zbuluar mediat greke lidhur me kapjen e sasisë prej 1.6 tonë drogë në një gomone në ujerat greke që dyshohet se ishte nisur nga Himara.
Autoritetet e vendit fqinj bënë të mundur ndalimin e 11 personave mes tyre dhe 6 shqiptarë.
Por lidhur me kapjen e sasisë së madhe të lëndës narkotike, mediat greke ngrenë dyshimin se një shqiptar është “big bossi”, i rrjetit.
Sipas grekëve, të tjerë shqiptarë janë ata që kanë ndihmuar kreun e bandës. Në një shkrim të saj, “To Vima” shkruan se grupi kriminal paguante 50-60 mijë euro për vendosjen e motorëve në gomone që të ishin gati për udhëtim.
Disa nga gomonet i deklaronin si të shkatërruara nga zjarri. Grupi ishte i trajnuar për taktika qe do ti shpëtonin nga ndjekja në det. Për të lëvizur në qytet banda thuhet se përdorte automjete me targa të huaja. Shumë nga të arrestuarit kishin përgjegjësi vetëm për ruajtjen dhe mirëmbajtjen e gomoneve. Një pjesëtar kryesor i grupit konsiderohet një 31-vjeçar me shtetësi italiane dhe origjinë shqiptare, i njohur me pseudonimin “Vito”.
Ndërsa televizioni “ANT1” shkruan se greku i arrestuar që kishte parking gomonesh është djalë polici. Nëna e tij shprehet se këtë gomone ai e mbajti tre muaj në parking thjesht në ruajtje. “E thamë 100 herë nuk është i përzier në gjëra të tjera. Çdo njeri mund të ngatërrohet kështu. Është i pafajshëm”, deklaronte nëna e tij.
Sipas dokumenteve, i njëjti qark kishte të bënte me transportin e 2.3 ton droghe të zbuluar në fillim të gushtit nga autoritetet italiane.TIRANA TODAY