Studentët kanë hyrë sot në ditën e 15 të protestave të tyre. Teksa gjithçka filloi para Ministrisë së Arsimit, tubimi tashmë më së shumti vijon përballë Kryeministrisë. Por gjatë dy seancave plenare, studentët dolën para Parlamentit.
Një prej pikave më kryesore që ata kërkojnë të përmbushet nga qeveria, lidhet më uljen e tarifave të arsimit. Kjo pasi janë shumë të larta për një familje me të ardhura mesatare. Madje dhe në rastet kur studentët punojnë vetë, pagat janë të ulëta. Duke mos pasur mundësi të përballojnë jetesën.
Tirana Today pyeti disa nga të rinjtë shqiptarë se për çfarë ata shpenzojnë më tepër dhe për çfarë i duhet të kursehen. Dhe përgjigjet e tyre janë nga më të ndryshmet. Ku disa duhet të heqin dorë nga daljet e shpeshta apo frekuentimin e clubeve. E të tjerë, e kanë më të lehtë dhe plotësojnë çdo dëshirë.
“Për momentin jam pa punë, por edhe kur kam punuar; përsëri nuk ia kam arritur të mbuloj gjithë shpenzimet e mija. Unë afërsisht në një muaj shpenzoj 200 mijë lekë të vjetra. Mundohem të plotësoj në fillim gjërat primare dhe pastaj ndonjë gjë luksi. Si psh., të dal në party apo qejfe të atilla.”
“Është shumë e vështirë se rrogat dhe gjëndja ekonomike e Shqipërisë është shumë e ulët. Po ne shpenzimet na fillojnë që te transporti ku na duhet të blëjmë abonenë, ushqimi, por edhe detyrat e shkollës na kushtojnë goxha. Kursehemi në shumë gjëra, kryesisht te daljet me shoqet.”
“Është e vërtetë që pagesat janë shumë të ulëta dhe çmimet e shërbimeve apo produkteve janë të larta. Por, kjo nuk do të thotë që është e papërballueshme jetesa këtu. Të rinjtë duhet të heqin dorë nga kafet apo gjëra jo shumë të nevojshme dhe ato shpenzime t’i bëjnë në gjëra që kanë më shumë vlerë.”
“Jam në punë, por paga është shumë e ulët dhe nuk ia dilet shumë mbanë. Unë marr afro 400 mijë lekë të vjetra dhe më duhet ta shpërndaj me laps e letër. Por, sigurisht që duhet të heq dorë nga daljet në restorante të shtrenjta apo pube të ndryshme.”
Teksa për shumë të rinj është e vështirë të përballojnë jetesën në kryeqytet, ka dhe nga ata për të cilët jeta është më bujare.
“Mua më shkon shumë shtrenjtë muaji dhe kryesisht harxhoj për gjëra qejfi. Pastaj cili është ai i ri i cili nuk harxhon për këtë arsye?! Unë kam qejf t’i bëj të gjitha gjërat që më pëlqejnë dhe nuk heq dorë për shkak të çmimit. Por, është babi ai i cili mi jep lekët.”
“Unë punoj si shef kuzhine dhe në një muaj shpenzimet mund të më shkojnë afro 900 mijë lekë të vjetra. Por, psh., ky muaj me shumë mundësi do më shkojë rreth 2 milion lekë, pasi duke qenë se janë edhe festat afër.” / TIRANA TODAY