Gjithmonë kur ka tensione politike, revolucione, grusht shteti apo trazira e deri në luftë civile në një vend të caktuar të globit, ekstremistët e piketojnë menjëherë shkaktarin e tyre; Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ky armik gjendet menjëherë sapo liderët autoritarë të vendeve ku qytetarët ngrihen ndaj tyre ndiejnë rrezikun e humbjes së pushtetit.
E tillë ishte edhe situata në Iran ku pakënaqësia popullore ndaj pushtetit të Ali Khamenei u cilësua si një përpjekje për grusht shteti e orkestruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Trazirat u përhapën në qytetet në ndryshme në nisje të këtij viti dhe shkaktuan dhunë në qytete të ndryshme të vendit duke lënë pas 18 persona të vdekur, në mesin e cilëve edhe një efektiv police.
Teherani zyrtar duke përforcuar gjithnjë e më shumë këtë argument gjeti edhe mbështetjen e Rusisë e cila gjithashtu piketon SHBA-në në shumicën e ndryshimeve politike dhe shoqërore në shumë vende të botës.
Në këtë mënyrë, Moska nuk ngurroi të gjente armikun e saj si zanafillën e zemërimit popullor në Iran.
Këtë radhë, Kremlini përmes instrumenteve të tij propaganduese në Ballkan hodhi një tezë sipas së cilës amerikanët përgatitin në Shqipëri ekstremistë që të sulmojnë Iranin.
Këtë silurë propagandistike e lëshoi para disa ditësh “Sputnik” media ruse në gjuhën serbe, e cila aludonte përmes analistit politik Aleksandar Paviç se Shqipëria shërben si qendër e grupeve të rekrutuara nga SHBA për të goditur Iranin.
Ky i fundit argumenton se CIA kohët e fundit ka formuar edhe selinë e saj operacionale për Iranin, ku sipas tij, është e përfshirë dhe Shqipëria.
Sipas tij janë “rreth 3,000 njerëz që kanë selinë e tyre dhe një faqe interneti për të monitoruar nga afër situatën në Iran dhe rekrutohen Është një organizatë e çuditshme që ka organizuar sulme terroriste kundër autoriteteve iraniane në Iran gjatë dhjetë viteve të fundit”.
Kjo nuk është hera e parë që përmes “Sputnik” Rusia kërkon të dërgojë sinjale në opinionin publik për të targetuar Shtetet e Bashkuara si shkaktarin kryesor të ngjarjeve të ndryshme, që nga Ballkani e deri në Lindjen e Mesme.
Në këtë aspekt, politika e Moskës përqendrohet vazhdimisht në devizën e saj shumëshekullore “Përça dhe sundo”.
Një politikë e tillë synon më shumë se qasje gjeopolitike. Ajo ka për qëllim destabilizimin e rajonit të Ballkanit për ta penguar atë me çdo kusht të anëtarësohet në Bashkimin Evropian të jetë properëndimor. Dhe mbi rajon të fryjë era e carëve rusë për të realizuar ëndrrën e tyre historike; daljen në Detin Mesdhe dhe dominimin e rajonit të Ballkanit.
Për këtë arsye, propaganda ruse shërben si mjet makiavelik për të arritur qëllimin e saj, ashtu si edhe në rastin e trazirave në Iran, që ia faturon SHBA-ve.
Duke iu referuar akuzave të Iranit zyrtar kundrejt SHBA-ve, lëvizjet propagandistike të Moskës janë natyrisht një goditje poshtë brezit ndaj Uashingtonit në gjithë trajektoren e e saj gjeopolitike të rajonit të Ballkanit.
Nisur nga qasja gjeopolitike e Moskës ndaj rajonit të Ballkanit ajo që vlen të përmendet, është se e gjithë struktura propagandistike e Rusisë ka të bëjë me ushtrimin e influencës dhe krijimin e zonave proruse në Ballkan.
Aq më tepër që ky është një rajon ku Fuqitë e Mëdha janë përplasur historikisht. Ndryshe nga e kaluara në ditët e sotme, propaganda mediatike, sulmet kibernetike, përhapja e lajmit të rremë pa asnjë fakt dhe përdorimi i lobeve të caktuara janë mjetet e reja që po tentojnë të fitojnë terren dhe hapësirë në Ballkan.
Për këtë arsye, sa herë ujërat turbullohen në Ballkan, ka një aleat nga i cili ky rajon i hedh vazhdimisht sytë, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropa Perëndimore për të mbajtur sa më larg “Ariun rus” që kërcënon gjithmonë stabilitetin e këtij rajoni. Bardhi Quku/Tirana Today