Mësimi për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të fillojë në datën 14 shtator. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, në një deklaratë për mediat ka deklaruar se për shkak të situatës së rëndë me pandeminë, mësimi nuk do të jetë më si më parë.
Nga nisja e sezonit të ri të vitit shkollor, një pjesë e mësimit do të bëhet online dhe një pjesë fizikisht. Gjithsesi këtë plan ministrja e la të hapur, pasi do të shihet si do vazhdojë pandemia. Ministrja shtoi se nëse frenohet përhapja e COVID-19, do të ndryshojnë planin.
“Mësimi do të fillojë në shtator, por nuk do jetë i njëjtë si më parë për shkak të COVID-19. Ne po zhvillojmë politikat e mësimit të përzier, një pjesë e të cilit do zhvillohet në shkollë dhe pjesa tjetër do të vijojë online dhe në kanalin e RTSH-së, RTSH SHKOLLË. Do të bëhet një kombinim. Për planet e detajuara do të na duhet edhe pak kohë, sepse do të shohim si do të përhapet më tutje pandemia. Nëse frenohet përhapja, do ta ndryshojmë planin, nëse përhapet shumë do të marrim një vendim tjetër. Do t’ju njoftojmë.
Gjatë kësaj kohe po zhvillohen xhirimet dhe RTSH do të jetë gati të zëvendësojë shkollën në kushte shtëpie. Nëse deri tani kemi përdorur në shumë raste WhatsApp-in si një aplikacion i njohur më shumë nga nxënësit dhe mësuesit, tani do të fillojnë të përdorin një platformë tjetër. Sikurse e kemi vendosur tashmë, mësimi për shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme do të fillojë në datën 14 shtator”, tha ministrja Besa Shahini.