Nga Matteo Garavoglia “Politico.eu”/Ashtu si qytetarët në shumë vende evropiane, italianët janë rebeluar kundër një sistemi politik të dominuar nga partitë e qendrës së majtë dhe të qendrës së djathtë.
Partitë tradicionale demokratike dhe konservatore, kanë qenë njësoj në rënie për më shumë se një dekadë, pasi po përpiqen ta ri-pozicionojnë diskursin e tyre politik, për t’iu përshtatur shqetësimeve në rritje të votuesve mbi çështjet e identitetit dhe jo ato ekonomike.
Zgjedhjet parlamentare të 4 marsit, në të cilat votuesit e braktisën Partinë Demokratike të Matteo Renzit dhe Forza Italia të Silvio Berlusconit, për të mbështetur partitë populiste – ishin gozhda përfundimtare në arkivol. Ato regjistruan një prirje më të gjerë në Evropë, ku populistët po triumfojnë.
Zgjedhjet jo të favorshme në Spanjë, e kanë copëtuar vendin më shumë se kurrë më parë. Zgjedhjet në Francë, vitin e kaluar shkaktuan rrëzimin e sistemit partive tradicionale të së majtës dhe djathtës.
Dhe Gjermania shënoi një rënie të paprecedentë të mbështetjes për Social Demokratët dhe bllokun konservator të Angela Merkel, në zgjedhjet e shtatorit të kaluar.
Në çdo rast, vota populiste u rrit, pasi sipërmarrësit e aftë politikë u bënë thirrje votuesve që ndiheshin të braktisur nga paria, të kërkonin një shtëpi të re politike.
Çelësi i suksesit të tyre: fokusi mbi çështjet e kulturës dhe identitetit – emigracionit, sovraniteti, anëtarësimi në BE – dhe mbi tema më tradicionale zgjedhore, si taksat dhe vendet e punës.
Edhe në Itali, lëvizjet periferike ishin fituesit e padiskutueshëm. Lëvizja populiste Pesë Yjet që nuk ka mbajtur ndonjëherë ndonjë post në qeverinë qendrore, e bën haptazi të qartë se nuk i përket as të majtës dhe as të djathtës, dhe madje refuzon ta quajë veten një parti politike.
Ndërkohë Lidhja e të djathtës ekstreme, vjen nga e djathta konservatore, por në mënyrë të vazhdueshme i ka bërë thirrje votuesve në gjuhën e politikës së identitetit sesa ekonomisë.
Tani duket sikur të dyja palët kanë një shans të qeverisin vendin së bashku. Nëse ky tingëllon si një lajm i keq – nuk është i tillë. Të paktën jo në një periudhë afatgjatë. Evropa po përjeton tani një ri-reshtim epokal, që mund t’i hapë derën një lloji të ri të politikës.
Kur është fjala për Evropën, pozicioni nacionalist, ksenofobik dhe identitar i Lidhjes, është i qartë:ajo e ka përafruar vazhdimisht veten me drejtuesit e ekstremit të djathtë francez dhe holandez, Marine Le Pen dhe Geert Wilders.
Nga ana tjetër, Lëvizja Pesë Yjet, është përpjekur fort për të krijuar aleanca. Pasi u refuzua në mënyrë të përsëritur nga të Gjelbrit, Liberalët dhe më së fundi nga “En Marche” në Parlamentin Evropian, partia iu bashkua me UKIP të britanikut Nigel Farage, dhe me euro-skeptikët e Evropës së Lirisë dhe Demokracisë së Drejtpërdrejtë.
Ajo që Lidhja dhe Pesë Yjet kanë të përbashkët, është ajo se si partitë populiste e kanë përdorur lëvizjen drejt politikës së identitetit, si një mjet për të apeluar ndaj instinkteve më të thella të votuesve.
Kjo krijon hapësirë për forcat liberale, siç e ka dëshmuar në Francë Presidenti francez Emmanuel Macron. Ata mund të ndjekin shembullin duke apeluar ndaj besimeve që i përmbahen në mënyrë të barabartë vlerave progresive.
Në Francë, ngjitja e shpejtë e Macronit, i detyrohet jo pak drejtueses së ekstremit të djathtë Marine Le Pen. Ndërsa partitë tradicionale u rrënuan, En Marche e Macron u përball me Frontin Kombëtar të Le Pen, që mori votat duke përdorur diskursin më të ulët nacionalist ksenofobik që është parë ndonjëherë. Kjo krijoi hapësirë për Macronin, që ta poziciononte si një mendje-hapur dhe kozmopolit.
Franca kishte nevojë për një shpërthim të Le Pen, në mënyrë që të kishte sukses Macron. I njëjti model pritet të shpaloset edhe në Itali. Lëvizjet populiste dhe kundër parisë, e kanë pushtuar debatin kulturor mbi identitetin, duke u bërë partitë e vetme që i japin përgjigje frikës ndaj emigrimit, globalizimit dhe pasigurisë për të ardhmen.
Muajt dhe vitet e ardhshme, mund t’i shohin sipërmarrësit e rinj politikë të zgjedhin të njëjtat strategji të identitetit, dhe të krijojnë një narrativë politike për ata që kërkojnë një kampion për vlerat e tyre liberale.
Ka shumë njerëz nga anën liberale të spektrit politik, që do të ndjehen të lënë mënjanë, kur partitë populiste të marrin pushtetin – dhe një mospërputhje midis kërkesës dhe ofertës politike, që e bën këtë një moment kyç për të jashtmit e politikës.
Partia Demokratike e qendrës së majtë e Matteo Renzi, e rrënuar nga lufta e brendshme dhe nga rezultati i fundit elektoral, nuk mund të jetë më një forcë për ndryshim. E megjithatë, mund të sjellë me kalimin e kohës figura të reja të afta për të nxitur një debat të ri, më reformist.
Carlo Calenda – ministri në largim i Zhvillimit Ekonomik, i lavdëruar për dinamizmin dhe kompetencën e tij profesionale – do të jetë një nga ata që duhet të shihen në këtë drejtim.
Ai iu bashkua PD-së në ditët e para pas humbjes së zgjedhjeve, dhe po mbledh rreth vetes të rinj ambiciozë. Por sipas të gjitha gjasave, Macron-i i Italisë do të duhet të vijë nga diku tjetër.
Duke pasur parasysh antipatinë e fortë të italianëve ndaj partive politike të të gjitha ngjyrave, dhe mosbesimin e tyre të thellë ndaj parisë, sipërmarrësit e suksesshëm politikë nuk do t’i përkasin as qendrës së majtë dhe as asaj të djathtë.
Ata do të përfshijnë vlerat progresive, liberale dhe do të bëjnë bashkë talente dhe fytyra të reja. Ajo për të cilët ka më shumë nevojë Italia janë individët e ndershëm dhe të aftë, që mund të mbrojnë vlerat evropiane, dhe që të kenë një qasje pragmatike në hartimin e politikave.
Mbi të gjitha, vendi ka nevojë për një listë të re liderësh nga jashtë një sistemi politik, tek i cili shumica e italianëve e kanë humbur besimin.
Shënim: Matteo Garavoglia, është bashkëpunëtor në Qendrën për Studime Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit.
PËRSHTATI TIRANA TODAY