Dy shtetas shqiptarë të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, u ekstraduan nga Franca dhe Gjermania në vendin tonë.
Policia bën me dije se të ekstraduarit janë Aranit Sulaj dhe Altin Koci.
Operacioni u finalizua nga Interpol Tirana dhe homologët e saj.
Të akuzuar për vjedhje dhe trafikim të lëndëve narkotike
Shtetasi Aranit Susaj ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit Shkodër e ka dënuar me 8 vjet burgim për veprën penale”Vjedhja me dhunë” kryer në bashkëpunim. Ky shtetas, në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, në vitin 2010, ka kryer vjedhje me dhunë në banesën e shtetasit P. L. në fshatin Grude e re, Shkodër.
Gjithashtu, ky shtetas ishte i shpallur në kërkim kombëtar nga Komisariati i Policisë Tropojë, për veprën penale “Falsifikimi dokumenteve”. Gjykata e Shkallës së Parë Tropojë e ka dënuar me 1 vit burgim për këtë vepër penale.
Po nga Interpol Tirana është bërë ekstradimi nga Gjermania drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar Altin Koci, 46 vjeç, lindur në Lushnjë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, në vitin 2016, e ka dënuar me 8 vjet burg, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, mbetur në tentativë.
Më datë 15.07.2015, në Port Durrës, gjatë një kontrolli policor në automjetin që drejtonte ky shtetas u gjet një sasi prej 8 kg e 423 gramë lëndë narkotike heroinë, të cilën ky shtetas, në bashkëpunim me të tjerë, po tentonte ta trafikonte jashtë vendit.