Në mbledhjen e sotme të qeverisë, kryeministri Rama ka pohuar që shumë shpejt do të nisë puna për ndërtimin e lagjeve të reja. Sipas tij, fillimisht do të bëhet verifikimi i tokave ku do të ndërtohet. Kreu i Ekzekutivit nuk ka harruar të përmendë edhe atë që ai e quan “mafia e tokave” ose grupi “KÇK”. Ai ka lëshuar akuza ndaj tyre, duke thënë që mund të kenë surpriza.
Rama vuri në dukje rëndësinë e procesit të verifikimit, pasi sipas tij edhe pse mund të jetë tokë e shtetit mund të jetë e grabitur nga “KÇK”.
“E kanë tmerr, nuk kthehen atje”, Rama tregon planin për familjet e Thumanës
“Menjëherë drejtuesi i Entit duhet të vihet në dispozicion të programit. Qoftë nga pikëpamja e planeve, projekteve, duhet të integrohet në programin e rindërtimit. Puna për ligjin e posaçëm për rindërtimin po ecën. Koha është e ngushtë, kështu që në 19 duhet të kalojmë ligjin e posaçëm. Duhet përgatitur për parlamentin dhe një kërkesë për shtyrjen e periudhës së emergjencës, në mënyrë që të kemi një fokus të detyrueshëm për të gjitha institucionet. Duhet të përgatiten të dhënat se ku do të ndërtohet. i jemi referuar pronës tokë-shtet, por KÇK ka bërë të veten, në kohën kur kemi bërë punë të tjera në gjithë këtë kohë dhe duhet verifikuar në hipotekë çdo pronë. Që mos të gjendemi me surpriza, kur të shohim që është tokë e cënuar dhe e kafshuar nga KÇK. Raporti duhet të jetë gati javën që vjen.”, tha Rama.