Ka ndërruar jetë në moshën 83 vjeçare një nga ikonat e vuajtjeve në burgjet e diktaturës, Uran Kostreci. Sot në mesditë zemra e tij pushoi së rrahuri, pasi u përball disa muja rresht me sëmundje dhe ndërhyrje.
Urani lindi më 1938, në Sarandë. Arrestuar 5 gusht 1961. Më 28 tetor 1961, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi “për tradhti ndaj atdheut”, e mbetur në tentativë, me 15 vjet burg, konfiskimin e pasurisë së luajtshme e të paluajtshme dhe humbjen e të drejtave elektorale për 3 vjet. Më 28 qershor 1973, Gjykata e Matit, e dënoi “se ka fyer përfaqësuesin e pushtetit” dhe se ka bërë “agjitacion e propagandë”, me 8 vjet burg. Kreu gjithsej 20 vjet burg, u lirua më 13 qershor 1981. Pas burgut bëri 5 vjet internim, 1983-1988 në fshatin Kurtaj të Peqinit, ku u dënua me 3 vjet burg për largim pa leje nga internimi. Ka filluar të shkruajë poezi që në gjimnaz, por nuk mundi të botohej për arsye biografie.
Botimet e para i ka filluar pas rënies së regjimit komunist në shtypin e përditshëm. Ka botuar disa vëllime poezi dhe një novelë. Ndër më të njohurat është poema “Epopeja e karkalecave”, të cilën e shkroi në vitet e burgut të Burrelit dhe mundi ta nxirrte që aty sepse e mësoi përmendësh.
Pas vitit 1990 ai u kthye në një nga zërat më të rëndësishëm të deokumentimit të tipareve të rregjimit. “Komunizmi është një regjim që triumfon nëpër popujt më të pakultivuar, të paarsimuar dhe më të kollajshëm për t’u mashtruar dhe kjo ndodhi edhe me popullin shqiptar”, thoshte shpesh Kostreci. Ai mbeti gjithnjë një rebel, gjë që nuk e ndryshoi as pas vitit 1990.