Me Ancelottin në pankinë tek Napoli pritet të ketë ndryshime të shumta dhe një ndër ta duket se do të jetë Elseid Hysaj i cili duket se ka dalë në shitje. Këtë detaj e ka zbuluar gazetari italian Alfredo Pedula, i cili shkruan se Napoli po mbyll marrëveshjen me Atletico Madrid për mbrojtësin kroat Sime Vrsaljko, për 25 milionë euro. Paga për kroatin do të jetë 3 milionë euro në sezon, çka tregon qartë se bëhet fjalë për një investim madhor dhe nuk ka shans që Napoli të shpenzojë aq shumë për një futbollist stoli.
Vrsaljko është mbrojtës i djathtë, ndaj detyrimisht Hysaj del në shitje, me Chelsea që duket destinacioni i tij. Në Londër pritet të shkojë Mauricio Sarri, i cili e ka një ndër lojtarët e tij të preferuar Hysajn dhe e do me vete.
Mbrojtësi i kombëtares sonë do të merrte një rritje të jashtëzakonshme page në Angli, ndaj largimi nga Napoli nuk do të ishte shumë i dhimbshëm, aq më shumë që dështimi i këtij sezoni në javët e fundit, me titullin që mbeti sërish mirazh, ka zhgënjyer shumë lojtarë dhe zor se mjafton ardhja e Carlo Ancelottit që të kthehet entuziazmi te lojtarët kryesorë, duke nisur nga kapiteni Marek Hamsik. Hysaj ka një klauzolë prej 50 milionë eurosh dhe nëse këtë muaj një klub joitalian e paguan, transferimi kryhet menjëherë, mjafton të japë Ok vetë Hysaj.











