Philippe Coutinho, tashmë është lojtari më i ri i Barcelonës. Katalanasit arritën sot marrëveshje me Liverpoolin për blerjen e 25-vjeçarit brazilian, i cili do të nënshkruajë kontratë për sezonin aktual, pra 2017-18, dhe për katër sezone të tjera. Kështu, në parim, kontrata e tij me Barcelonën do të mbarojë më 2022, shkruan e përditshmja spanjolle “Mundo Deportivo”.
Barcelona ende nuk ka dhënë asnjë deklaratë zyrtare sa i përket shifrave të transferimit të tij, por burimet brenda klubit konfirmuan marrëveshjen. Ndërkohë, Coutinho dëshiron të zbarkojë në Barcelonë gjatë kësaj fundjave.
Ai do të prezantohet në “Camp Nou” të hënën, pasi t’i ketë kaluar testet mjekësore. Gjiganti spanjoll do t’i paguajë Liverpoolit plot 160 milionë euro, ku 120 do të paguhen direkt dhe 40 të tjera në formën e bonuseve të cilat parashikohen të jenë lehtë të arritshme.