Pas thirrjes që kryeministri Rama i bëri dje Vuçiç, që të liheshin të kalonin në dogana kamionët me targa të Kosovës, ka ardhur edhe reagimi i Serbisë.
Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç është shprehur se nuk ka asnjë bllokadë për kalimin e mjeteve nga Kosova.
Më tej, Gjuriç u ka bërë thirrje të gjithëve në rajon që të ngrenë zërin kundër bllokadave të reja, që i ka vendosur qeveria e Kosovës.
“Nuk ka kurrfarë bllokade për kalimin e kamionëve nga Kosova në Serbi në dogana. Ka pasur vetëm një masë që lidhej me ndalimin e lëvizjes gjatë orës policore për shkak të koronavirusit, nga e cila para dy ditësh kemi përjashtuar kamionët me artikuj themelorë edhe për shqiptarët nga Kosova.
Kamionët me drithë për të gjithë banorët e Kosovës po presin në kufi, sepse Prishtina kërkon nga Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës. Është i domosdoshëm reagimi urgjent i BE-së ndaj masave (të ashtuquajtura – siç citohet të jetë shprehur Gjuriçi) reciproke, dhe të mos heshtet dhe të kthehet koka anash. BE-ja është garantuese e marrëveshjeve që po shkelen sot dhe ka përgjegjësi për zbatimin e tyre në momentin kur e gjithë bota është e rrezikuar nga epidemia. Askush të mos mashtrohet se kjo është rruga për vazhdimin e dialogut”, tha Gjuriç, raporton “Shqip”.
Kryeministri Rama ia drejtoi këtë kërkesë presidentit serb, Aleksandar Vuçiç mbrëmjen e djeshme, përmes disa postimesh në Twitter.
@avucic Vetëm përmes solidaritetit pa kufi e kompasionit si njerëz të sulmuar nga një armik i egër, ne mund e duhet të fitojmë!Ju lutem z.President ngrijeni traun për kamionët e le ta bëjmë rajonin tonë shembullin rrezatues të #Solidaritetit kaq të nevojshëm për ta fituar luftën
— Edi Rama (@ediramaal) March 31, 2020