Nga James Traub “Foreign Policy”
Ideja e “jashtëzakonshmërisë amerikane”, është vënë tashmë në dyshim, dhe jo vetëm për shkak se Amerika zgjodhi si president disa vjet më parë një njeri arrogant. Ne duhet të kthehemi shumë pas në kohë, ndoshta në kohën e krijimit të institucioneve të rendit botëror liberal dhe Planit Marshall, për të gjetur ndonjë moment, kur mund të thuhej me siguri se roli global i SHBA-së, ishte veçanërisht më i mirë se sa i keq.
Në disa aspekte, “kufoma” e “jashtëzakonshmërisë” amerikane po përgatitet për funeralin e vet. Mua mu bë sikur dëgjova notat e para të “muzikës” funebre të këtij funerali, kur lexova në media se George Soros dhe Charles Koch, njëri ikonë e globalizmit liberal, dhe tjetri një libertarian i krahut të djathtë, janë bërë bashkë për financimin e ngritjes së Institutit Quinsy, që ka mision reduktimin e pranisë amerikane nëpër botë.
Instituti ka marrë emrin e presidentit John Quincy Adams, që tha më 4 korrik 1821, se Amerika “nuk do të shkojë jashtë vendit, në kërkim të përbindëshave që duhen shfarosur”. Realistët si George Kennan, ishin plotësisht dakord me këtë thënie, por edhe me pohimin tjetër të Adams se një Amerikë militariste, mund të bëhet “diktatorja e botës”, por “nuk do të ishte më sunduesja e shpirtit të saj”.
Ky duket të jetë parimi udhëheqës i Institutit Quincy, ose i të paktën 2 prej bashkë-themeluesve të tij, Adrew Bacevich dhe Stephen Wertheim. Megjithëse e ka përshkruar veten si një “konservator katolik”, Bacevich është një kritik i ashpër i SHBA gjatë Luftës së Ftohtë, dhe i politikës së saj të pasluftës.
Në një shkrim të kohëve të fundit, Bacevich bëri thirrje për një politikë të re të jashtme, bazuar në pranimin se “projekti perandorak… çon në mënyrë të pashmangshme tek falimentimi, si ekonomik ashtu edhe moral”. Edhe Wertheim, argumentoi në një artikull të kohëve të fundit në “New Republic” se që nga fundi i Luftës së Ftohtë, liberalët e kanë pranuar vizionin neokonservator të epërsisë ushtarake amerikane, duke ndërtuar një konsensus rreth politikës së luftërave të pafundme.
Kështu, liberalët kanë qenë shumë të heshtur, shkroi Wertheim, përballë lavdërimit të ushtrisë nga Donald Trump. “Për dekada me radhë”, argumentoi ai, “ata nuk kanë arritur ta ndalojnë luftën dhe dhunën, për të njëjtën arsye që kanë dështuar të ndryshojnë pabarazinë e madhe ekonomike në vend”.
Por këtu duhen qartësuar disa gjëra, që lihen ne hije. Së pari, shumica e amerikanëve preferojnë realisht të qëndrojnë në “kopshtin” e tyre, përveç rastit ku ndihen tejet të rrezikuar. Së dyti, “luftërat e përhershme”, siç i quajnë kritikët ato në Irak dhe Afganistan, i kanë krijuar votuesit idenë se Amerika nuk mund të bëjë ndonjë gjë të mirë në botë përmes përdorimit të forcës.
Së treti, Trump duket se ka thelluar cinizmin, si të atyre që e admirojnë, ashtu edhe atyre që e urrejnë. Dhe së fundmi, kush ka të drejtën morale ta përdorë parullën “Jepini fund luftërave të përhershme”?
Ka një afrim të natyrshëm mes kritikëve të krahut të majtë, që e konsiderojnë fuqinë amerikane si keqdashëse, dhe atyre realistë, që heqin dorë nga moralizmi i të majtës dhe së djathtës, dhe e shohin promovimin e demokracisë, ndërtimin e kombit dhe vokacioneve të tjera liberale si një harxhim të kotë të denergjive kombëtare, dhe si një projekt që është i përcaktuar të dështojë.
Ka pasur shumë komente lidhur me aleancën mes Soros dhe Koch, por analisti Stephen Walt, thotë se ata kanë shumë më shumë të përbashkëta në politikën e jashtme, sesa mund të mendohet. Pra ndryshe nga dikur, Soros është tashmë skeptik ashtu si edhe Walt rreth rendit botëror liberal, dhe rolit të Amerikës në ruajtjen e saj. Për mendimtarët e majtë si Bacevich dhe Wertheim, dhe për realistët si Walt dhe Michael Mandelbaum, dallimi midis liberalëve dhe neokonservatorëve, lë të themi mes John Kerry dhe Paul Wolfowitz – është më shumë taktik.
Sipas Walt, që të dy ata “janë dakord me konceptin e jashtëzakonshmërinë amerikane… favorizojnë supremacinë ushtarake, dhe mbështesin synimin e përhapjes së vlerave liberale në çdo cep të botës”. Siç e bëri të qartë në fjalimin e tij kur fitoi Çmimin Nobel për Paqe, Barack Obama nuk ishte një anti-militarist parimor, por gjatë fushatës së vitit 2008, ai i ngazëlleu liberalët duke u zotuar se do të përdorte më shumë instrumente shtetërore, dhe më pak fuqinë ushtarake se sa Xhorxh W.Bush.
Obama hyri në Shtëpinë e Bardhë duke argumentuar dhe besuar se rivaliteti mes fuqive të mëdha, ishte një gjë që i përkiste së kaluarës, dhe se çështjet kryesore ishin ato globale: ndryshimet klimatike, mospërhapja e armëve bërthamore, varfëria dhe shtetet e dështuara.
Për Obamën, SHBA-ja duhej të nënkuptonte udhëheqjen jo në çështjet kombëtare, por në ato transnacionale.
Ai nuk dështoi për shkak i munguan përpjekjet. Ai i ofroi Rusisë rivendosjen e raporteve të reja më të mira, dhe doli huq kur Vladimir Putin pushtoi Ukrainën, dhe kërcënoi anëtarët e NATO-s në Evropën Lindore dhe Balltik. Ai zbuti kritikat mbi respektimin e të drejtave të njeriut në Kinë, por nuk fitoi asgjë mbi praktikat e tregtinë, biznesit, apo sigurinë rajonale.
Ai i tërhoqi të gjitha trupat luftarake nga Iraku, por më pas u detyrua t’i kthente sërish, kur vendi dukej se po shpërbëhej nga sulmet e Shtetit Islamik. Ai u përpoq ta zhvendoste fokusin e SHBA-së nga Lindja e Mesme në Azi, por nuk mundi. Obama u rrëmbye nga realiteti:Ai zbuloi se tranzicioni nga “bota ashtu siç është”, tek “bota siç e dëshirojmë që të jetë”, ishte shumë më i vështirë nga sa e kishte menduar.
Ai u detyrua të mbante disa mijëra trupa në Irak, pasi ky vend kishte nevojë për ndihmën e Amerikës për të luftuar ISIS-in, të cilin Obama e konsideronte me të drejtë një kërcënim serioz dhe gati ekzistencial, për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Ai tregoi Moskës muskujt për të mbrojtur aleatët në NATO. Obama nuk e lavdëroi kurrë përdorimin e forcës, siç bëri Bush apo Donald Trump në fjalimin e tij të 4 korrikut. Ai e përdori atë, vetëm kur nuk mundi të gjente ndonjë instrument tjetër më efektiv./TIRANA TODAY