Rikthehet në vëmendje ngjarja që ndodhi në muajin gusht në restorantin “Panorma” në Qeparo, ku disa turistë spanjollë u dhunuan nga pronari i restorantit.
Të ftuar në emisionin “Opinion”, ministri i Turizmit Blendi Klosi është përplasur në debat mbrëmjen e sotme me ish-avokatin e Mihal Kokëdhimës, Kujtim Cakranin. Ky i fundit deklaroi se ish-klienti i tij u hodh instinktivisht mbi makinë pasi mendoi se turistët do ta shtypnin, ndërsa dha detaje për ngjarjen duke treguar versionin e tij.
“Sipas versionit dhe të prokurorisë është i evidentuar tashmë që grupi i shqiptarëve bashkë me turistët kanë shkuar kanë porositur, ashtu si shqiptarët bëjnë dhe pazare të ndryshme. Kanë shkuar kanë porositur aq sa deshën, ua ka servirur dhe peshkun ndërkohë janë ulur në tavolinë, i ka marrë menu-në për gjera e tjera ndërkohë ishin duke pritur që të përgatitej peshku. Pas disa minutash ata ngrihen, nuk e di se si… u ngritën dhe kanë dalë jashtë.
Zoti Kokëdhima kishte parë tek tavolina dhe del jashtë. Merr policinë dhe i thotë që po ikin, ndërkohë këta ndezin makinën edhe ikin. Ai është hedhur instinktivisht tek makina se ka menduar se donin ta shtypnin. Ai godiste makinën me telefon se nuk kishte ku të kapej. Këta zotërinjtë kanë ecur tre kilometra e gjysmë me Mihalin sipër makinës. Ata nuk kanë ndaluar asnjëherë që ai të zbriste”, tha avokati.
Nga ana tjetër, ministri Klosi reagoi duke nënvizuar se Kokëdhima “nuk ishte në terezi” ditën e ngjarjes.
“Ata ishin me bluzën e grisur, familja ishte e shqetësuar. Kryefamiljari ishte i çarë në buzë, pastaj situata mori ndryshe. Nuk është ekzagjerim që i vajta me tufë me lule… Video është e tillë, ata ndaluan në atë lokal nga dita e bukur, nga mikpritja e njerëzve. Unë nuk jam për avokat as për prokuror. Të vetmin justifikim që i vinin ngjarjes është se zotëria nuk ishte në terezi. Ata nuk kanë konsumuar asnjë gotë ujë në atë lokal”, shtoi Blendi Klosi.