Presidenti i Republikës, Ilir Meta nga Kisha e Prullit në Lezhë, kërkoi solidarizim në këto ditë të vështira që po kalon vendi për shkak të pandemisë së Covid-19.
Meta theksoi se besimi në Zot është forca më e madhe për mos të humbur shpresën.
Ai ftoi të gjithë shqiptarët që të luten për mjekët dhe infermierët që ndodhen në vijën e parë të zjarrit përballë COVID-19 si dhe për të gjithë ata që sot kanë humbur të afërm apo dhe punët për shkak të situatës nga pandemia.
Ilir Meta: “Ky është një mesazh i fuqishëm dhe shumë kuptimplotë. Aq më tepër në këtë kohë të vështira që po kalon mbarë populli ynë. Vështirësitë janë shtuar dhe për shkak të pandemisë, që ka shtuar dramat njerëzore, familjare, shoqërore. Është një sfidë që po vazhdon. Doja të theksoja në mënyrë të veçantë që të jemi në 30-vjetorin e rikthimit të besimit në Zot. Jo se për 40-50 vite populli ynë e humbi besimin, por e ruajti. Kjo kishë ka qenë dëshmitare e periudhës më të lavdishme të kombit tonë, të Skënderbeut, të Besëlidhjes së Lezhës, por dëshmitare edhe të periudhave më të vështira, të sundimit të barbarëve të huaj dhe atyre vendasve. Fakti që kjo kishë është e rindërtuar, tregon se fuqia e saj vjen nga themelet e këtij vendi të lashtë, që janë të shenjta.
Le t’i lutemi sot Zotit, kishës, kryqit, që të japë më shumë shpresë dhe besim popullit këtu në Spiten dhe mbarë popullit tonë. Besoj se me ndihmën e Zotit dhe të Kryqit ne do ia dalim. Falënderim të veçantë e kam për njerëzit më të përkushtuar të komunitetit tuaj. Zoti të na ndihmojë të gjithë shqiptarëve. Të lutemi për ata që po vuajnë dhe të gjithë ata që kanë mundësi të ndihmojnë. Të lutemi për mjekët dhe infermierët që po luftojnë atje prej pandemisë. Të lutemi dhe për ata që kanë humbur vendet e punës dhe t’ju jemi pranë që mos të largohen nga vendi.”