Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë ka paralajmëruar farmacitë në Shqipëri, në lidhje me një e-mail që i kërkon atyre të shesin biznesin, duke pretenduar se në anën tjetër të kompjuterit qëndron një investitor i madh.
Përmes një deklarate zyrtare, Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë sqaron se personi në fjalë disponon të dhëna personale të cilat i ka marrë në mënyrë të paligjshme.
Në njoftim thuhet se është e habitshme se si në kohën kur janë reduktuar fitimet e farmacive, ky person kërkon të blejë këtë biznes, duke rrezikuar të ardhurat e tij.
Deklarata e plotë:
Të nderuar kolegë, Ditët e fundit pranë UFSH janë adresuar informacione mbi nje e-mail që ju është dërguar nga një individ, që pretendon se është një investitor i madh, dhe kërkon që t’i shisni farmacitë, madje e proklamon kërkesën e tij si një nder që ju bëhet.
Për më keq, personi në fjalë disponon në mënyrë të paligjshme, të dhëna personale burim i të cilave mund të jenë vetëm institucione shtetërore që e kanë për detyrë me ligj t’i ruajnë ato. Ky fakt lë shkas për dyshime, se ky biznesmen apo shumë të tjerë që së fundmi po tentojnë të gllabërojnë profesionin dhe biznesin farmaceutik, kanë mbështetje nga individë me funksione të rëndësishme shtetërore.
Në mungesë të informacionit se cili biznes apo interes konkret, qëndron pas këtij propozimi, në interes të moscënimit të ivestimit professional dhe financiar të jetës suaj, lutemi të injoroni e mos bini viktimë e çdo biznesmeni sharlatan, që me paratë e fituara legalisht apo në mënyra të dyshimta (verifikimi i të cilave është detyrë e organeve të ngritura me ligj) kërkojnë t’ju nxjerrë jashtë jashtë sistemit.
Në kushtet kur në vend operojnë një numër shumë i madh farmacish, dhe fitimi në farmaci është reduktuar ndjeshëm, është e çuditshme dhe “e pashpjegueshme”, se pse këta investitorë kaq të mëdhenj zgjedhin pikërisht këtë biznes për të rrezikuar paratë e tyre.
Siç ju kemi bërë me dije, Urdhri i Farmacistëve, i ka kërkuar institucioneve përgjegjegjëse, pezullimin e hapjes së farmacive të reja, deri në rishikimin e Legjislacionit, ku të vendosen kritere për hapjen e tyre (dendësia, distanca, pronar i farmacisë të jetë vetëm farmacisti, etj). Ju urojmë punë të mbarë!